Pretendimi: Tregu i lirë i punës në tre vendet firmëtare të marrëveshjes së “Open Ballkan” sjell përfitime

Verdikti: Mungon konteksti

“Tregu i lirë i punës do të sjellë ndryshime pozitive për të gjithë anëtarët e Ballkanit të Hapur”. Me këtë titull portali “Kosovo – Online” njofton “përfitimet” që sjell tregu i lirë i punës në tre vendet firmëtare të marrëveshjes së “Open Ballkan” për tregun e lirë, që supozohej të niste aplikimin në datë 1 Mars 2024.

Lajmi është në fakt një intervistë e Frosina Velkovska Petkovska, anëtarës së grupit të punës të Agjencisë së Punësimit për zbatimin pa probleme të tregut të lirë të punës në kuadër të nismës Ballkani i Hapur për Maqedoninë e Veriut.

Në të vërtetë, ky lajm është një përsëritje e narrativës serbe për “arritjet e Ballkanit të Hapur”, që dezinformon për gjendjen e marrëveshjes së tregut të lirë në vendet firmëtare.

Siç lexohet në artikull, gazetari/ja që nuk identifikohet me emër në portal, pyet zonjën Petkovska nëse ka vështirësi në qasjen në tregun rajonal të punës që është lehtësuar prej një muaji.

Petkovska në përgjigjen e saj jep informacionin që gjendet në protokollin e firmosur nga tre vendet në janar të këtij viti.

Kur bëhet fjalë për vetë shërbimet elektronike, mund të themi se aksesi në tregun e punës në kuadër të nismës së Ballkanit të Hapur përgjithësisht arrihet në dy hapa. Para së gjithash, një person duhet të regjistrohet në portalin për shërbimet elektronike në shtetin shtetas të të cilit është dhe të kërkojë t’i lëshohet një numër ID i Ballkanit të Hapur. Pas lëshimit të numrit, ai duhet të regjistrohet edhe në portalin e shërbimeve elektronike në vendin ku kërkon punë” – përgjigjet Petrovksa.

Në të vërtetë, tregu i lirë i punës mes tre vendeve nuk është hapur aspak. Siç Faktoje ka raportuar edhe më herët marrëveshja nuk nisi të zbatohet në 1 Mars, si kishin njoftuar politikanët firmëtarë.

Kjo vërtetohet përmes institucioneve shqiptare që i janë përgjigjur kërkesave për informacion të Faktoje, lidhur me nisjen e këtij shërbimi për qytetarët e tre vendeve.

Fillimisht ishte Ministria e Financave, e cila informoi Faktoje-n se deri në muajin shkurt protokolli në fjalë nuk ishte miratuar ende përmes procedurave të brendshme ligjore, duke pamundësuar implementinim e tij.

Në vijim Faktoje kërkoi informacion edhe nga Ministria për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, e cila është përgjegjëse për zbatimin e protokollit për tregun e lirë të punës. Në përgjigjen e saj MEKI i tha Faktojes se “Protokolli pritet t’i nënshtrohet miratimit përfundimtar nga Këshilli i Ministrave dhe të hyjë në fuqi në përputhje me nenin 11 të Protokollit.

Përgjigjja erdhi në postën elektronike të Faktojes në 11 Prill, gjë që vërteton se tregu i lirë i punës nuk ka hyrë ende në fuqi në Shqipëri, duke pamundësuar zbatimin e tij në dy vendet e tjera.