BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookStrategjia për fluturime me zero gjurmë dioksidi karboni nuk është sekret

Strategjia për fluturime me zero gjurmë dioksidi karboni nuk është sekret

Një udhëtim i Papa Françeskut drejt Lisbonës është kthyer në burim debatesh për shkak të njoftimit se avioni me të cilin ai udhëtonte njoftohet të ketë impaktin në ambjent të dioksidit të karbonit në masën zero. Mungesa e besimit ndaj një njoftimi të tillë solli shpërndarjen e lajmit me pretendimin se nuk është argumentuar si është arritur kjo. Një verifikim i Faktoje tregon se linja ajrore e përdorur për udhëtimin në fjalë, ka publikuar një shkrim shpjegues për ç’do të thotë “zero dioksid karboni i lëshuar në ajër”.

Jona Plumbi

Një lajm i publikuar në Vatican News mbi udhëtimin e Papa Françeskut në Lisbonë me një avion që nuk lëshon dioksid karboni në ajër është ri-shpërndarë në rrjet me pretendimin se është i pavërtetë.

Një katror i kuq thekson pjesën e lajmit të publikuar nga Vatican News ku theksohet se avioni kishte zero impakt në mjedis sa i përket lëshimit të dioksidit të karbonit, shoqëruar me pyetjen “pse nuk na thonë çfarë karburanti përdor ky avioni i Papedofilit dhe të marrim masat dhe ne të tjerët që mos ndotim ambjentin?

Një kërkim në rrjet për rastin zbulon një publikim të linjës ajrore “ITA Airways” me titull “Papa Françesku fluturon drejt Lisbonës me ITA Airways”.

Publikimi duket se ka për qëllim pikërisht promovimin e udhëtimit me efekt zero në lëshimin e dioksidit të karbonit në ajër. “Ati i Shenjtë, për udhëtimin e Tij të ardhshëm Apostolik për në Lisbonë më 2 gusht, përmes ITA Airways do të udhëtojë me një fluturim me ndikim zero CO2 në mjedis. Fluturimi me ndikim mjedisor zero CO2 do të niset nga Roma Fiumicino për në aeroportin e Figo Maduro në Lisbonë.” – shkruan linja ajrore.

Në vijim publikimi bën një shpjegim të këtij pretendimi duke dhënë tre arsye pse sipas saj ndikimi në ambjent sa i përket dioksidit të karbonit është zero.

ITA Airways ka përgatitur një udhëtim me ndikim zero CO2 për sa i përket konsumit të karburantit, përmes:

  • efikasitetin e procedurave operacionale dhe eko-pilotuese tashmë në fuqi – planifikimi i rrugëtimit, lëvizjet në aeroport, manovrat e ngjitjes dhe zbritjes, optimizimi i itinerarit, ndërhyrjet në avion – në mënyrë që të reduktohet sa më shumë konsumi i karburantit;
  • përfitimit ambjental që vjen nga përdorimi i SAF (Karburanti i Qendrueshëm) që është 0.5% e sasisë totale të furnizimit të nevojshëm për këtë fluturim. SAF përzien karburantin tradicional me një përqindje të përmbajtjes biologjike (vaj gatimi i përdorur dhe i rigjeneruar, pa konkurrencë me zinxhirin ushqimor ose dëmtim të biodiversitetit), gjë që kontribuon në një reduktim deri në 90% të emetimeve të CO2. Ky SAF do të lëshohet për konsum në aeroportet më afër vendeve të prodhuese, duke ndjekur logjikën e afërsisë;
  • kompensimi i plotë i emetimeve të pa eliminueshme që rrjedhin nga konsumi i karburantit me blerjen e “kreditit të karbonit” përmes pjesëmarrjes në një projekt për reduktimin e CO2 (certifikuar me standardin e artë) të zgjedhur mbi bazën e dy kritereve: destinacioni për komunitetet lokale dhe lokalizimi në një nga vendet ku fluturon ITA Airways.

ITA Airways vijon duke shpjëguar se ‘fluturimi do të operohet nga Airbus A320neo, i cili është i pajisur me teknologji inovative, është më i lehtë dhe efikas, duke lejuar një reduktim prej 20% të konsumit të karburantit dhe emetimeve të CO2 për pasagjer në krahasim me avionët e gjeneratës së mëparshme.

Një kërkim në rrjet lidhur me fluturimin me zero emetime karboni tregon se Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) është angazhuar për të arritur nivelin 0 të karbonit të emetuar.

Në Mbledhjen e Përgjithshme Vjetore të 77-të të IATA-s në Boston, SHBA, më 4 tetor 2021, u miratua një rezolutë nga linjat ajrore anëtare të IATA-s që i angazhonte ato të arrinin emetimet neto zero karbon nga operacionet e tyre deri në vitin 2050. Ky premtim sjell transportin ajror në përputhje me objektivat Marrëveshja e Parisit për të kufizuar ngrohjen globale nën 2°C”. – shkruan Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror.

Strategjia e shpallur për të arritur këtë rezultat, sipas IATA-s, përmbushet në nivelin 65% nga përdorimi i karburantit të qëndrueshëm të aviacionit (SAF), 13% nga përdorimi i teknologjive të reja, elektrike dhe me hidrogjen, 3% përmes efikasitetit operacional dhe infrastrukturor dhe 19% nga skemat e kompensimit të karbonit.

Pavarësisht nëse dikush zgjedh t’i besojë apo jo këto të dhëna, fakti është se ato janë gjerësisht të shpjeguara publikisht. Metodologjia e matjes së progresit të kësaj strategjie, raporte mbi domosdoshmërinë e aplikimit të saj, apo informacione mbi teknologjitë e reja që po zbatohen dhe infrastrukturën, gjenden të publikuara në faqen zyrtare të Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror, ndaj pretendimi se “mënyra sesi kjo arrihet po mbahet e fshehtë” është i pabazuar.

Çfarë është SAF?

Sipas shpjegimit të IATA, SAF është një lëndë djegëse e lëngshme që përdoret aktualisht në aviacionin komercial dhe redukton emetimet e CO2 deri në 80%. Mund të prodhohet nga një sërë burimesh duke përfshirë mbetjet e vajit dhe yndyrave, mbetjet e gjelbra dhe komunale dhe të mbjella joushqimore. SAF mund të prodhohet edhe në mënyrë sintetike nëpërmjet një procesi që kap karbonin direkt nga ajri. Shtatë forma të prodhimit të biokarburanteve janë të çertifikuara për të prodhuar SAF, që funksionojnë në nivele operacionale të barazvlefshme me karburantin Jet A1.

Net-zero-2050-sustainable

Nisur nga këto të dhëna publike të gjendura në rrjet, dalim në përfundimin se pretendimi i ngritur është i pabazuar dhe jashtë konteksti.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img