BallinaUncategorizedKryebashkiaku, çështja që “step” himariotët

Kryebashkiaku, çështja që “step” himariotët

Çështja “Beleri” që këtë verë ka sjellë ngritjen e temperaturave mes Greqisë dhe Shqipërisë, për himariotët mbetet një temë sa politike aq edhe delikate. Faktoje udhëtoi në Himarë për të takuar qytetarët, ata të cilëve kryetari i bashkisë duhet t’u shërbejë, për të kuptuar si e shohin situatën e krijuar në qytetin bregdetar pas zgjedhjeve të 14 Majit.

Jona Plumbi

Parimisht, detyrimet e një kryetari bashkie janë përara qytetareve të tij, duke u varur gjerësisht nga përgjegjësia për të mbajtur premtimet e dhëna ndaj tyre gjatë fushatës elektorale. Kjo, si rregull, do duhej të pasqyrohej edhe në qëndrimin dhe kërkesën e llogarisë apo pritshmëritë që qytetarët kanë ndaj atij që administron qytetin.

Qyteti i Himarës, prej muajit Maj kur u mbajtën zgjedhjet për kryetarin e bashkisë, është në situatën e paprecedentë ku kryetari i saj i zgjedhur është pas hekurave të qelisë së paraburgimit, ndërsa qyteti drejtohet nga një kryetar i cili nuk doli fitues në zgjedhje.

Por për himariotët kjo është një çështje me të cilën nuk duan të përfshihen, të paktën publikisht, pasi ata e konsiderojnë përplasjen si një debat politik.

Faktoje udhëtoi në Himarë për të kuptuar si e kanë përjetuar këtë situatë të paprecedentë qytetarët atje, duke marrë parasysh se janë votues që kanë shprehur vullnetin e tyre për dy kandidatë në garë elektorale.

Vështirësia për të fituar besimin e qytetarëve se mund të flasin lirshëm edhe për këtë temë të nxehtë ndjehet që në kontaktin e parw me ta. Pjesa më e madhe e qytetarëve të Himarës që arritëm të kontaktonim u ‘strukën’ ndaj pyetjeve për situatën e drejtimit të qytetit.

Dhimitri jeton dhe punon prej vitesh në Himarë. Kur e pyesim sesi i kanë ecur punët në këtë sezon veror ku turistët e huaj janë kudo, ai shprehet se punë ka patur, por edhe shpenzime të shtuara.

Për punët që janë kompetencë e bashkisë Dhimitri, i cili është pronar i dhomave që i lëshon me qera për pushuesit, fillimisht heziton të flasw, e më pas shprehet se nuk ka ankesa. Me përgjigje lakonike dhe me shikim disi hetues ndaj qëllimeve të këtyre pyetjeve, ai përgjigjet:

Ujë kemi, energji elektrike si gjithnjë, mbetjet pastrohen. Çfarë të të them tjetër”. Kur e pyesim për zgjedhjet lokale, kryetarin dhe bashkinë ai tërhiqet dhe thotë: “S’kam punë, ato janë punët e bashkisë”.

Hezitimi për t’u shprehur për këtë situatë vihet re tek një pjesë e madhe e himariotëve. Ata preferojnë të mos shprehen për kryebashkiakun e qytetit dhe as për mosmarrëveshjet në nivel diplomatik që kanë tejkaluar kufijtë e rajonit.

Një zotëri që nuk dëshiron të identifikohet me emër, por që po e quajmë Vangjel për referencë, u shpreh i revoltuar për situatën ekonomike në Himarë.

Ka pasur shumë të huaj sivjet, por siç u shtuan turistët u shtuan edhe bizneset, u rritën edhe qeratë. Ndaj aty-aty kemi dalë me vitet e tjera. Mbi të gjitha thonë Shqipëria me çmime të lira, por mua s’më duket fare kështu.” – shprehet Vangjeli i cili punon në breg të detit ku shërben krepa për të 7-n vit rradhazi.

Kur e pyësim për situatën politike apo nëse ajo ka ndikuar në punën e tij apo menaxhimin e qytetit, Vangjeli ndalet dhe thotë: “Keni ardhur për turizmin apo për të bërë politikë? Jemi mirë, nuk kam asgjë për të thënë”.

Kjo nuk është hera e parë që qytetarët e Himarës vihen nën presion politik që vjen nga brenda dhe jashtë kufirit. Në vitin 2003 Himara u kthye në qënder të debateve, ku Greqia foli me tone të forta ndaj Shqipërisë.

Në zgjedhjet e 14 majit 2023 Fredi Beleri, kandidat i koalicionit Bashkë Fitojmë drejtuar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, mori 3840 vota. Kandidati socialist, Jorgo Goro mori 3821 vota, me diferencë prej 19 votash.

Pas lënies së tij në qeli, reagimet politike të Athinës dhe trysnia ndaj qeverisë shqiptare se po shkelen të drejtat e minoritetit kanë ardhur nga shteti fqinj grek. Nëse ka ndikuar ose jo kjo klimë, qytetarët himariotë nuk e artikuojnë, por fakt është se ata refuzojnë të flasin për kryebashkiakun që zgjidhet për t’i shërbyer komunitetit dhe jo politikës.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img