BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëBurimet e rinovueshme të energjisë

Burimet e rinovueshme të energjisë

Anëtari i Partisë Demokratike Enno Bozdo, deklaroi se në Shqipëri nuk ka investim real për të diversifikuar burimet për energjinë e rinovueshme. Verifikimet rrëzojnë pjesërisht pretendimin e Bozdos, pasi Shqipëria rezultonte me 20 centrale fotovoltaike aktive në fund të 2023. Ndërkohë ai është i saktë në lidhje me mungesën e investimit për shfrytëzimin e gazit natyror. Shqipëria është ende në fazë planifikimi në këtë drejtim. 

“Ne nuk kemi asnjë investim real në fushën e diversifikimit të burimeve për gjenerimin e energjisë elektrike, me anë të gazit natyror apo me anë të llojeve të tjera të rinovueshme të energjisë elektrike.”- deklaroi gjatë një konference për mediat nga selia e Partisë Demokratike, Enno Bozdo

Verifikimet e Faktoje tregojnë se ndryshe nga sa deklaroi zoti Bozdo, në Shqipëri janë bërë hapa konkretë për sa i takon prodhimit të energjisë nga dielli. 

Sikurse dëshmojnë edhe të dhënat zyrtare të INSTAT, vitin e kaluar 1% e prodhimit total të energjisë ka ardhur nga prodhuesit fotovoltaikë.

Burimi: Instat

Referuar të dhënave zyrtare, pjesën më të madhe të prodhimit e realizuan hidrocentralet publike me 58,2 %, më pas hecet private dhe koncensionare në masën 40,8 % dhe 1% e prodhimit të energjisë elektrike erdhi nga prodhuesit fotovoltaikë. 

Pas një krize të thellë energjitike, vitin e shkuar Shqipëria rezultoi një eksportues neto i energjisë. Bilanci i energjisë nga Instituti i Statistikave tregon se prodhimi i energjisë shënoi vlerën 8.796 GWh, me një rritje 25,6%.

Po ashtu, Enti Rregullator i energjisë konfirmon për Faktoje se deri në fund të vitit 2023 në Shqipëri kanë prodhuar energji 20 centrale fotovoltaike. Nga ana tjetër, fillimi i vitit dëshmon gjithashtu se ka një kërkesë të shtuar dhe konkrete për këto investime. 

Ankandi hibrid për një kapacitet prej 300 MW që njoftoi qeveria në mesin e muajit janar, disa aplikime pranë Komitetit të Investimeve Strategjike si dhe 10 aplikime të reja pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, janë tregues i një zhvillimi të ri në prodhimin e energjisë nga dielli.  

Po ashtu, këtë vit ka nisur prodhimin e energjisë edhe parku diellor i Karavastasë, investimi nga kompania franceze Voltalia, një gjigand ndërkombëtar në energjitë e rinovueshme. 

Me një kapacitet total prej 140 megavat, termocentrali i Karavastasë mund të prodhojë energji elektrike të barabartë me konsumin nga 220,000 njerëz.

“Parku fotovoltaik 140 MW në Karavasta është investim nga kompania franceze Voltalia me vlerë 135 mln euro. Mjafton ky fakt për të ‘rrëzuar’ deklaratën e zotit Bozdo.”, shprehet Azmer Duleviç, ekspert në fushën e energjisë. 

Nga ana tjetër, Enti Rregullator ka licensuar dy centrale për prodhimin e energjisë nga era me fuqi të instaluar 222 MW.

Sa i takon gazit natyror, Shqipëria rezulton ende në fazë planifikimi. Ndonëse ka tre vite që qeveria ka nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit me kompanitë amerikane Excelerate dhe ExxonMobil për të krijuar një qendër rajonale gazi në Vlorë, ku konsumator kryesor do të ishte TEC-i i Vlorës, marrëveshja rezulton ende në letër. 

Përfundim

Të dhënat e mbledhura nga Faktoje rrëzojnë pretendimin e zotit Bozdo për mungesë investimesh sa i përket shfrytëzimit të energjisë diellore, ndërsa është i saktë pretendimi në lidhje me mungesën e investimeve për shfrytëzimin e gazit natyror. Në përfundim, deklaratën e Enno Bozdos se në Shqipëri nuk ka asnjë investim real në ‘fushën e diversifikimit të burimeve për gjenerimin e energjisë elektrike’ do ta kategorizojmë Gjysmë të Vërtetë.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img