BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëMehmetaj: Tarifat për universitetet janë rritur në 5 vitet e fundit

Mehmetaj: Tarifat për universitetet janë rritur në 5 vitet e fundit

KLEVIS PALOKA

E vërteta e hidhur është që në 5 vitet tuaja si ministre, tarifat e universiteteve janë rritur”,- kështu deklaroi nga foltorja e parlamentit, deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Kejdi Mehmetaj në 22 shkurt 2018.

Për të kuptuar më shumë rreth kësaj deklarate, “ Faktoje”, kontaktoi me deputeten e LSI-së Mehmetaj për ta pyetur se për cilat vite bëhet fjalë dhe përgjigja e saj ishte: “Po, ka patur rritje çdo vit, edhe pse viti kur ka patur më shumë ka qenë 2014’’. Ndërkaq pyetjes se ku e bazonte këtë deklaratë, Mehmetaj iu përgjigj duke na dërguar një tabelë me tarifat e universiteteve por që ishte publikuar 4 vite më parë tek Open Data ku përfshihej vetëm Universiteti i Tiranës.

Për të verifikuar këtë deklaratë të Mehmetajt, si fillim “Faktoje”, kontaktoi me Ministrinë e Arsimit, Rinisë dhe Sportit për ta pyetur në lidhje me tarifat e universiteteve shtetërore.

Ministria e Arsimit na nisi tarifat për të gjitha programet për vitet akademike 2013-2014, 2014-2015, dhe 2015-2016, ndërsa për vitet akademike 2016-2017 dhe 2017-2018, Ministria u shpreh se nuk i posedon tarifat, pasi i kanë kaluar në menaxhim vetë universiteteve. Në bazë të përgjigjes së Ministrisë së Arsimit, rritje të tarifës për të gjitha programet ka pasur vetëm në vitin akademik 2014-2015, ndërsa në vitin 2015-2016 nuk ka pasur rritje fare.

Më pas “ Faktoje” kontaktoi me të gjitha universitetet shtetërore për të mësuar tarifat për vitet akademike 2016-2017 dhe 2017-2018. Në bazë të përgjigjeve të universiteteve shtetërore vihet re se ka pasur një rritje në disa prej tyre vetëm në vitin akademik 2017-2018, si për shembull në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës.

Duke u nisur nga të dhënat e dërguara nga Ministria e Arsimit dhe Universitetet respektive, “Faktoje’’e kategorizon këtë lajm si GJYSMË TË VËRTETË

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img