BallinaPremtimeBasha ripremton anulimin e PPP-ve

Basha ripremton anulimin e PPP-ve

Kur mbeten 7 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të dekretuara në 25 prill, kryetari i opozitës Lulzim Basha, konfirmon vendosmërinë për anulimin e koncesioneve/PPP-ve të cilat sipas tij dhe PD janë korruptive. Por ndërsa Basha e sheh këtë vendim me rezultate pozitive në drejtim të mirëqenies, ekspertët ‘frenojnë’ entuziazmin. Sipas tyre, përvoja dëshmon se anulimi i PPP-ve është përdorur për favorizim të interesave të ngushta të qarqeve politike, ndërsa ka rezultuar me kosto marramendëse për buxhetin e shtetit dhe varfërimin e taksapaguesve.

Kreu i opozitës Lulzim Basha ka ripërsëritur premtimin për anulimin e Partneriteteve Publik-Privat të njohura si PPP.

Në 13 shtator, në një postim në profilet e tij në rrjetet sociale ai tha se anulimi i PPP-ve korruptive do të sjellë zhvillim ekonomik.

Një nga angazhimet e mia parësore, është që t’i kthej shqiptarëve mundësinë e tregut të lirë dhe frymëmarrjen konkurrencës së ndershme në çdo sektor të ekonomisë. Lufta kundër korrupsionit, anulimi i PPP-ve korruptive, ulja e taksave dhe taksa e sheshtë 9% do ta bëjnë Shqipërinë vendin e investimeve të mëdha dhe serioze, që bashkë me zhvillimin ekonomik do të sjellë dhe rritjen e numrit të vendeve të reja të punës me paga dinjitoze”, shkroi Basha.

Kjo nuk është hera e parë që kryeopozitari Basha ka premtuar anulimin e PPP-ve që PD i quan korruptive, por vendosmëria e tij konfirmohet tashmë që është dekretuar data e zgjedhjeve të ardhshme.

Më herët PD u ka bërë thirrje bankave që të refuzojnë financimin e PPP-ve, pasi kur ata të vijnë në pushtet do t’i anulojnë.

Megjithatë sikurse dihet, anulimi i koncensioneve apo PPP-ve ka risk që Shteti Shqiptar të humbasë në arbitrazh.

Nga kërkimet e bëra më herët nga Faktoje, rezulton se gjyqet e arbitrazhit janë një histori dështimesh për Shqipërinë në aspektin financiar.

Vetëm për dy muaj, Shqipërisë i janë faturuar mbi 150 milionë euro nga gjykatat ndërkombëtare të arbitrazhit. Pas 109 milionëve për Francesco Becchettin, buxheti i shtetit do t’u paguajë edhe 44 milionë dollarë dëmshpërblim kompanive Copri dhe Aktor.

Shqipëria, sipas raportit vjetor të performancës 2019 nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka humbur 10 gjyqe në Gjykatat e Arbitrazhit Ndërkombëtar, dekadën e fundit.

Faktoje pyeti për më shumë Jorida Tabakun, ish-deputete e Partisë Demokratike për qasjen e PD për anulimin e PPP-ve.

Për të gjitha këto do të ndiqet edhe parimi “ndiq paranë”,  i një plani solid të prezantuar nga PD në shtator 2018 në lidhje me betejën kundër PPP-ve abuzive dhe korruptive”, tha Tabaku.

Sipas Tabakut, PD është e bindur që shkeljet ligjore të evidentuara në këto kontrata janë të tilla që përbëjnë skenarë korruptivë.

Rasti i inceneratorëve, ku janë shkelur praktika ligjore të përcaktuara qartë në legjislacion, nuk mund të bjerë barra mbi buxhetin e shtetit. Aty ka indicie të qarta që lidhin krimin dhe politikën, prandaj përgjegjësia penale do të bjerë mbi palët që janë angazhuar në korrupsion”, tha ndër të tjera Tabaku.

A mund ta anulohen kaq thjeshtë PPP-të? Opinioni i ekspertëve

Ornela Liperi, gazetare dhe eksperte e ekonomise thotë për Faktoje se nuk është kaq e thjeshtë të anulosh PPP-të.

Parimisht nuk i anulon dot. Siç nuk anuloi dot PS të PD-së kur erdhi në pushtet. Për më tepër që shumë nga këto koncesione kanë marrë dhe kredi në banka. Dëmi faturohet në buxhet. Siç ndodhi me Beccheti-n, që është në listën e detyrimeve për t’u paguar. Dmth paguhet nga ne të gjithë, taksapaguesit. Përvoja ka treguar që kontratat me qeverinë janë të vështira të prishen në arbitrazh”-tha Liperi.

Ajo sugjeron një tjetër lëvizje.

Më e besueshme do të ishte të premtonin që të viheshin përpara përgjegjësisë penale hartuesit e këtyre kontratave, që në pjesën më të madhe po i sjellin një dëm të pallogaritshëm buxhetit. Pasi po rezulton që gjithë risku financiar po mbahet nga buxheti. Këtë vullnet për të dënuar përgjegjësit, në mënyrë që kontrata të tilla të mos hartohen më, nuk po e shohim!”- thotë Liperi.

Zef Preçi, ekspert i ekonomisë thotë se anulimi i kontratave kërkon vullnet të fortë politik.

Kërkon ekspertizë të përgjegjshme dhe të bazuar në përvojat e mira të botës, transprencë dhe motivim të fortë të administratës publike dhe të elitës politike nga interesi publik”- thotë Preçi.

Ai shton se praktika e anulimit të PPP-ve mund të jetë me kosto për buxhetin.

Për fat të keq, janë të gjitha mundësitë që jo vetëm anulimi i njëanshëm, por edhe artikulimi i sulmeve publike apo akuzave politike të (keq)përdoret nga qarqe të interesuara të lidhura me qarqet përfituese politike të vendit që kanë shërbyer si garanci për kontrata të tilla duke penalizuar kështu buxhetin e shtetit”.

Sipas tij, janë edhe një numër rastesh të tjera në proces që lidhen me keq-qeverisjen e këtyre viteve që investitorë të huaj, të dyshuar ose jo për korrupsion në momentin e marrjes së kontratave të PPP në vendin tonë, i janë drejtuar arbitrazhit dhe po presin të penalizojne qytetarët shqiptarë për dobësitë institucionale dhe korrupsionin që gëlon në radhët e administirates shtetërore.

PPP-të në Shqipëri

Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve për vitin 2020 përmendi PPP-të në Shqipëri si një problem.

Raportimet e korrupsionit në prokurimet qeveritare janë të zakonshme. Përdorimi në rritje i kontratave të Partneritetit Publik Privat (PPP) ka ulur mundësitë e konkurrencës, përfshirë investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobëta të kostos dhe përfitimit dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme”, thuhej ndër të tjera në raport.

Një nga koncensionet më të kontestuara ka qenë ai i sterilizimit, i cili pas presionit publik u amendua duke ulur kostot dhe u bë subjekt i nisjes së një hetimi nga SPAK.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në fillim të vitit, i tërhoqi vëmendjen Qeverisë për koncesionet apo PPP-të për shkak të risqeve të larta që paraqesin për buxhetin e shtetit.

Ish kreu i KLSH Leskaj tha asokohe se Kontrolli i Lartë i Shtetit, kishte audituar 6 projekte koncesionare/PPP, të cilat kishin rezultuar me anomali që në studimet e fizibilitetit, të hartuara nga autoritetet kontraktuese dhe nga zbatimi i kontratave të të cilave, në vitet në vijim pritet të materializohen shpenzime jo me efektivitet, eficencë dhe ekonomicitet.

Ndërkohë KLSH kishte gjetur në analizën e tij se sektori publik kishte marrë një pjesë të konsiderueshme të risqeve me efekt të drejtpërdrejtë në Buxhetin e Shtetit, për këto kontrata.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img