BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëPremtim i pambajtur, rindërtimi i shkollës 9 vjeçare Lekaj në Rrogozhinë brenda afatit

Premtim i pambajtur, rindërtimi i shkollës 9 vjeçare Lekaj në Rrogozhinë brenda afatit

Projekti për rindërtimin e shkollës 9 vjeçare Lekaj, po zvarritet përtej afatit të premtuar nga kryebashkiaku i Rrogozhinës dhe atij të përcaktuar në kontratën mbi 173 milionë lekë. Përgjigjja zyrtare që bashkia i dërgoi Faktojes jepte informacion të pavërtetë mbi fazën e punimeve dhe afatin e përfundimit të shkollës, gjë që u verifikua edhe në terren. Aktualisht nxënësit e kësaj shkolle bëjnë mësim në ndërtesën e vjetër, e cila ka pësuar dëmtime nga tërmeti i tre viteve më parë.

Patris Pustina

Në 2 shkurt të këtij viti, kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla, postoi në Facebook se Bashkia Rrogozhinë kishte nisur rindërtimin e shkollës 9-vjeçare në Lekaj. Postimi u shoqërua me premtimin se së shpejti Lekaj do të kishte një shkollë të re.

Postimi i kryebashkiakut të Rrogozhinës Edison Memolla, më 2 shkurt 2022

Shkolla 9 vjeçare Lekaj, fillimisht bënte pjesë në listën e 143 shkollave, që me VKM do të përfundonin brenda vitit 2021 dhe që sipas verifikimit të Faktoje në shtator të vitit të kaluar, nuk kishte asnjë shenjë të projektit.

Tabela e krijuar nga Faktoje me VKM-të e viti 2021, Ndërtim dhe Rikonstruktim i shkollave të prekura nga fatkeqesitë natyrore

Për të verifikuar nëse premtimi i dhënë këtë herë nga kryebshkiaku Memollaj është mbajtur ose jo, “Faktoje” fillimisht i dërgoi një kërkesë për informacion Bashkisë së Rrogozhinës, më 16 shtator dhe më pas një ankesë tek Komisioneri për të Drejtën e Informimit, në mungesë të përgjigjes brenda afatit ligjor. Më në fund, më 10 tetor, Bashkia e Rrogozhinës ktheu përgjigje.

Përgjigjja e Bashkisë Rrogozhinë kërkesës për informacion nga Faktoje, 10 tetor 2022

Në përgjigjen e Bashkisë pretendohet se shkolla është në fazën e suvatimit, ndërsa sa i përket përfundimit të punimeve, ajo deklaroi se ka edhe 6 muaj afat.

“Faktoje” udhëtoi drejt Lekajt për një verifikim në terren më 5 tetor. Nga ky verifikim, rezultoi se shkolla nuk është në fazë suvatimi siç pretendon Bashkia. Kjo dëshmohet edhe nga fotot e mëposhtme.

Godina e re e shkollës 9-vjeçare në Lekaj, Rrogozhinë, 5 tetor 2022

Një tjetër e pavërtetë në përgjigjen e bashkisë Rrogozhinë lidhet me afatin e punimeve të shkollës Lekaj. Në përgjigjen për Faktoje, thuhet se ka edhe gjashtë muaj kohë për përfundimin e projektit.

Sipas të dhënave të tenderit për rindërtimin e shkollës 9-vjeçare, afati i punimeve është 8 muaj. Nisur nga data e lidhjes së kontratës, që është 16 Nëntor 2021, punimet për këtë shkollë duhet të kishin përfunduar në Korrik të 2022.

Ndërkohë, edhe sipas tabelës së punimeve që “Faktoje” gjeti pranë objektit, afati i punimeve ishte përcaktuar si 245 ditë, afërsisht 8 muaj. Bazuar tek data e dhënies së lejes së ndërtimit që shënohet në tabelë, 19 janar 2022, punimet duhet të kishin përfunduar më 21 shtator 2022.

Tabela e punimeve pranë godinës së re të shkollës 9-vjeçare në Lekaj, Rrogozhinë, 5 tetor 2022

Madje, edhe në rastin më bujar, nëse marrim si afat për përfundimin e punimeve datën 8 muaj pas fillimit të tyre, që, sipas postimit të kryebashkiakut Memolla është 2 shkurti 2022, rezulton se Lekaj duhet të kishte një shkollë 9-vjeçare të re në 2 tetor 2022.

Ndërkohë, nxënësit e Lekajt vijojnë të kryejnë procesin mësimor në godinën e vjetër të shkollës që është dëmtuar nga tërmeti.

Pas përfundimit të afatit, Bashkia Rrogozhinë ende nuk e ka ndërtuar shkollën 9-vjeçare në Lekaj. Për më tepër, në përgjigjen e saj pas kërkesës sonë zyrtare për informacion na vui në dispozicion të dhëna të pavërteta.

Nisur nga verifikimet tona në terren dhe informacionet e mbledhura, premtimin e kryebashkiakut të Rrogozhinës Edison Memolla për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare në Lekaj, brenda afatit do ta kategorizojmë të pambajtur.

* “Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.
Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img