BallinaPertejGjyqet e Shqipërisë në Arbitrazh, “lufta e humbur” dhe mungesa e transparencës nga Avokatura e Shtetit

Gjyqet e Shqipërisë në Arbitrazh, “lufta e humbur” dhe mungesa e transparencës nga Avokatura e Shtetit

Shqipëria, sipas raportit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, bazuar tek të dhënat e Avokaturës së Shtetit, ka humbur 10 gjyqe në Gjykatat e Arbitrazhit Ndërkombëtar, dekadën e fundit. Në vlerë monetare këto humbje përkthehen në dhjetëra milionë euro dëm për Buxhetin e Shtetit.109 milionë euro, është vetëm “fatura” për t’u shlyer me paratë e buxhetit ndaj biznesmenit italian, Becchetti. Avokatura e Shtetit, institucioni i ngarkuar ekskluzivisht për mbrojtjen e interesave pasurore të shtetit në këto procese, refuzon të bëjë transparente vendimet dhe t’u përgjigjet kërkesave për informacion.


Humbja e gjyqit të shtetit shqiptar me biznesmenin italian, Francesco Becchetti me një dëm ekonomik prej afro 109 milionë euro për Buxhetin e Shteti ishte më e larta në historinë e vendit, përsa i përket vendimeve të marra nga Gjykatat e Arbitrazhit.

Humbja ndaj Becchettit nuk ishte e para.

Humbjet në Gjykatat e Arbitrazhit e kanë zanafillën në vitin 2003 ku qeveria e Shqipërisë e drejtuar nga kryeministri, Fatos Nano, i akordoi kompanisë amerikane “General Electric”, një kontratë për ndërtimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës, të njohur si treni elektrik. Por, pas rotacionit politik në vitin 2005, qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri, Sali Berisha prishi në mënyrë të njëanshme kontratën. Në vitin 2007, Gjykata e Romës në Itali, ngarkoi me përgjegjësi  qeverinë shqiptare për prishje të njëanshme të kontratës, duke e ndëshkuar me  20 milionë dollarë, parà të cilat u paguan nga buxheti i shtetit.

A rrezikon Shqipëria të humbasë të tjera gjyqe në Arbitrazh?

Prishja e njëanshme e kontratës me “Dondi, Itali & Kubota, Japoni” për projektin e “Përmirësimit të sistemit të kanalizimeve të Tiranës së Madhe” në vitin 2018, mund t’i kushtojë Buxhetit të Shtetit rreth 90 milionë euro.

Duke marrë në konsideratë paligjshmërinë e zgjidhjes në mënyrë të njëanshme të kontratës ka shumë gjasa që kontraktori këtë çështje ta fitojë dhe buxheti i shtetit do të paguajë një shumë të konsiderueshme që llogaritet mbi 90 milion Euro” – thuhet në raportin e vitit 2018 “Mbi zbatimin e Buxhetit të Shtetit” nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Projekti “Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e madhe”, i cili do financohej nga Qeveria Japoneze dhe marrëveshja financiare ishte ratifikuar me ligjin nr. 9964, date 24.07.2008.

Asnjë informacion mbi Vendimet e Gjykatave të Arbitrazhit, në faqen online të Avokaturës së Shtetit.

Asnjë e dhënë mbi procesin, palët e përfshira, kostot apo argumentat e paraqitura nuk figuron në faqen zyrtare të këtij institucioni në seksionin “Vendime të Gjykatave të Arbitrazhit”.

Screenshot nga faqja e Avokaturës së Shtetit, seksioni “Vendimi të Gjykatave të Arbitrazhit”.

Avokatura e Shtetit refuzon t’u përgjigjet edhe kërkesave zyrtare.

Më 23.07.2020, Faktoje nisi një “Kërkesë për informacion” në adresë të Avokaturës së Shtetit, duke kërkuar të dhëna lidhur me proceset gjyqësore në gjykatat e arbitrazhit.

Kërkesë për informacion drejtuar Avokaturës së Shtetit.

Edhe pse është një detyrim ligjor, Avokatura e Shtetit nuk dha një përgjigje lidhur me pyetjet që i drejtuam, ndërsa ka kaluar afati.

Në raportin vjetor të vitit 2019, Kontrolli i Lartë i Shtetit, nxjerr në pah problematikën në mungesën e të dhënave nga Avokatura e Shtetit lidhur me proceset gjyqësore ndërkombëtare në Arbitrazh.

Për vendimet e arbitrazhit ndërkombëtar Avokatura e Shtetit nuk disponon informacion të plotë lidhur me shumat e paguara nga institucionet që janë palë në gjykim, e si e tillë vlerat e ekzekutuara dhe të pa kzekutuar nga buxheti i shtetit nuk mund të konfirmohen nga ky institucion, çka në vlerësimin e KLSH, paraqet nevojë imediate për një qasje ndryshe në dispozitat ligjore lidhur me këto detyrime” – thuhet në raportin e KLSH.

Edhe për Brikena Kasmin, juriste dhe ish-zv.ministre e Drejtësisë, mungesa e transparencës nga Avokatura e Shtetit mbetet një problem serioz.

Dështimi kryesor i Avokaturës së Shtetit që unë kam vënë re është mungesa e transparencës dhe kjo ofron pasiguri dhe pabesueshmëri. Mungesa e transparencës është një ndër çështjet që duhet padiskutim të ndryshojë, sepse në mungesën e transparencës, qytetari shqiptar nuk ruhet, biznesi shqiptar nuk ruhet duke pasur pasiguri. Kjo çon më pas në aludime për çështje shpërdorimi apo çështje të cilat janë fenomene negative në burokracinë e institucioneve të administratës publike, ky hyn edhe avokatura e shtetit.” – argumentoi Kasmi, në emisionin “Unpublished” në Euronews Albania më 22 qershor 2020.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img