BallinaPertejBanorët refuzojnë ‘ofertën’ e HEC që ka nxjerrë jashtë funksionit mullirin e fshatit Marinaj

Banorët refuzojnë ‘ofertën’ e HEC që ka nxjerrë jashtë funksionit mullirin e fshatit Marinaj

Një artikull i Faktoje, në dhjetor 2021, për 10 fshatra që nuk mund të përdornin mullirin e drithërave, për shkak të aktivitetit të një HEC-i, solli reagimin e Ministrisë së Energjisë dhe tentativën për t’i dhënë zgjidhje situatës. Nga verifikimi i radhës rezultoi se banorëve u është ofruar furnizimi me ujë vetëm një herë në javë, për të mundësuar funksionimin e mullirit. Por ky propozim është refuzuar nga banorët, të cilët kërkojnë që HEC të mos vendosë kushte, por të respektojë ligjin.

———————————————

Në dhjetor të vitit të kaluar, Faktoje verifikoi një deklaratë të deputetit demokrat, Luçiano Boçi, për ndërprerjen e ujit nga një HEC në fshatin Marinaj që kishte nxjerrë jashtë funksionit mullirin, nga i cili siguronin bluarjen e drithërave, 10 fshatra në Librazhd.

Faktoje ishte në fshatin Marinaj të Librazhdit më 23 dhjetor 2021, ku rezultoi e vërtetë se mulliri i vetëm që përdorej për bluarjen e grurit dhe misrit për banorët e 10 fshtrave nuk ishte në funksion, pasi “HEC-i” i kishte ndërprerë furnzimin me ujë. Pas verifikimit në terren, Faktoje i kishte dërguar Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës një kërkesë për informacion ku kërkonte të dinte se çfarë zgjidhjeje do t’u jepej banorëve.

Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, 28 dhjetor 2021

Ky institucion na ktheu përgjigje një muaj më vonë, saktësisht më 28 janar 2022, pas ankimimit të bërë në adresë të Komisionerit Për Të Drejtën e Informimit.

MIE njofton zyrtarisht për Faktoje:

“Lidhur me problemin e furnizimit me ujë të mullirit, në fshatin Marinaj në Librazhd, si pasojë e ndërtimit të HEC ‘Kalis’, ju informojmë se jemi në dijeni të kësaj problematike të paraqitur nga qytetarët.

Nga ana jonë, me marrjen dijeni të saj, menjëherë kemi kërkuar informacion nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore për çështjen objekt pretendimi. Në kuadër të monitorimit të kontratës, AKBN, pas verifikimit të situatës, ka informuar MIE se, nga komunikimi në terren me ankuesin dhe mbajtësin e miratimit, ky i fundit është shprehur i gatshëm të bëjë ndërhyrjet e nevojshme lidhur me problemin e furnizimit me ujë të kanalit të mullirit.

Më pas, nga ana jonë është kërkuar përsëri verifikim i gjendjes nga AKBN, të cilët pas verifikimit dhe takimit në terren me ankuesin dhe mbajtësin e miratimit, janë shprehur se ende nuk ishte zgjidhur problemi i furnizimit me ujë të kanalit të mullirit. Në lidhje me këtë problematikë, kemi bërë me dije shoqërinë duke kërkuar marrjen e masave nga ana e tyre për zgjidhjen e saj.

MIE, ka kërkuar konfirmim nga IKMT lidhur me procesverbalin e mbajtur, në të cilin shprehen se në momentin e inspektimit, në datë 30.07.2021, HEC ‘Kalis’ ishte në punë dhe u konstatua se uji ekologjik ishte i pamjaftueshëm për mbijetesën e florës dhe faunës, pasi prurjet e lumit gjatë kësaj periudhe janë minimale për shkak të kushteve atmosferike, pra temperaturave të larta dhe mungesës së reshjeve. IKMT Elbasan ka kthyer përgjigje, duke konfirmuar procesverbalin e mbajtur”- sqaron Ministria e Infrastrukrurës dhe Energjisë.

Screenshot i përgjigjes zyrtare nga MIE, datë 28 janar 2022

Pamje brenda mullirit, Marinaj Librazhd, dhjetor 2021 

Më tej MIE njofton se pas komunikimeve me shoqërinë ‘Erdy Energy’, këta të fundit pretendojnë se kanë bërë të gjitha tentativat e nevojshme për zgjidhjen e këtij problemi.

“Shoqëria ‘Erdy Energy’ sh.p.k., pretendon se në zbatim të detyrimeve të kontratës, është lënë në gjendje të lirë sasia e ujit ekologjik, nuk është dëmtuar ekosistemi natyror, si dhe nuk është penguar vaditja sipas nevojave të komunitetit.

Gjithashtu, shoqëria pretendon se menjëherë pas takimit me përfaqësuesit e AKBN, ka kryer ndërhyrjet e nevojshme tek kanali ku furnizohet mulliri, duke e pastruar dhe sjellë në gjendje funksionale. Në vijim, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, referuar ankesës së fundit për dëmtimin e kanalit të mullirit dhe mosfunksionimin e tij, ka informuar shoqërinë dhe jemi në pritje të përgjigjes.”-sqaron ndër të tjera MIE në përgjigjen për Faktoje.

Kanali ku duhet të kalojë uji për të furnizuar mullirin, Marinaj Librazhd, dhjetor 2021

Pas kësaj përgjigjeje, ne kontaktuam sërish me banorët e fshatit Marinaj në fund të janarit. Banorët sqaruan se kompania në fjalë, u ka propozuar që mulliri të furnizohet vetëm një herë në javë me ujë, propozim të cilin ata e kanë refuzuar.

“Nuk e kanë zgjidhur situatën, asgjë konkrete deri më tani. Uji nuk ka ardhur, ashtu është siç e patë ju kur ishit te mulliri. Menaxheri i ‘HEC-it’ thotë hajde të bëjmë marrëveshje që mulliri të punojë njëherë në javë. Këtë s’e kemi pranuar, nuk përballohen 10 fshatra në vetëm një ditë. Unë kërkoj të zbatohet ligji për furnzimin me ujë, asgjë më shumë dhe as më pak.  Unë me shtetin nuk ia dal dot të përballem, kërkoj vetëm zbatimin e ligjit”- tha Nazmi Kurti, banor i fshatit Marinaj.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img