Nuk ka prova se këto mpiksje gjaku janë shkaktuar në trupat e vdekur nga vaksina anti-Covid. Sëmundja e rëndë dhe e moderuar me Covid-19 e rrit më shumë rrezikun e krijimit të mpiksjeve të gjakut se sa vaksinimi anti-Covid.

————————————————

Në hapësirat online anti-vaksinim po qarkullojnë disa imazhe të “mpiksjeve të gjata fibroze” të cilat pretendohet se janë gjetur në kufomat e njerëzve të vaksinuar kundër Covid-19.

Postimet citojnë një artikull të medias së ekstremit të djathtë The Epoch Times, e cila ka përhapur keqinformim edhe më parë.

Artikulli i botuar në Shtator 2022 pretendon se balsamues në ShBA kanë gjetur “mpiksje të çuditshme” në trupat e vdekur që pas nisjes së vaksinimit kundër Covid-19. Ai përfshin dëshminë e një balsamuesi në Alabama, të quajtur Richard Hirschmann. Hirschman pretendon se ka gjetur mpiksje anormale, të gjata, të bardha dhe fibroze, në kufoma. Këtë fenomen ai e lidh me vaksinat anti-Covid.

Mpiksja e gjakut është një proces natyral që parandalon gjakderdhjen e tepërt dhe ndreq enët e gjakut në rast dëmtimi. Nganjëherë, mpiksje anormale gjaku mund të krijohen brenda venave ose arterieve edhe kur nuk ka ndonjë lëndim të tyre. Këto mpiksje janë të rrezikshme sepse ato pengojnë rrjedhjen e gjakut nëpër arterie, duke çuar në ishemi dhe atake në zemër, ose nëpër vena, duke çuar në trombozë të venave të thella. Mpiksjet në vena, që zakonisht ndodhin në zonën e këmbëve, mund të shkëputen nga vendi i tyre i origjinës, duke udhëtuar nëpër trup deri sa arrijnë në mushkëri, ku mund të shkaktojnë embolizëm pulmonar.

Hirschman tha për Epoch Times se 50-70% e trupave që ai kishte parë kishin “struktura” të bardha, të gjata dhe fibroze të cilat ai nuk i kishte parë kurrë më parë, dhe dyshonte se ishin shkaktuar nga vaksina anti-Covid. 

Megjithatë, ai nuk sjell asnjë provë për ta mbështetur këtë pretendim. Më tej, siç presidenti i Shoqatës amerikane së Shërbimeve Funerare, tha për PolitiFact, statusi i vaksinimit i një personi “nuk shfaqet në certifikatën e vdekjes.” Kështu, vetëm vëzhgimet e Hirschman nuk mjaftojnë për të treguar se këto mpiksje shfaqen kryesisht tek personat e vaksinuar.

Irene Sansano, specialiste e patologjisë anatomike në universitetin spitalor Vall d’Hebron në Spanjë, tha për Health Feedback se mpiksjet e gjetura nga Hirschman “nuk ngjajnë ndryshe” nga mpiksjet që gjenden rëndom në autopsitë e spitalit. Ajo shpjegoi gjithashtu se mpiksjet e gjakut qarkulluese (tromboembolizmat) janë të shpeshta tek të vdekurit dhe shkaktohen kryesisht nga “obeziteti, sedentarizmi, duhanpirja dhe tani Covid-19.”

Sipas Qendrës amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), në ShBA ka rreth 900 mijë raste tromboze të venave të thella dhe embolizmash pulmonarë në vit. Këto shkaktojnë deri në 100 mijë vdekje çdo vit. Që në fillimin e pandemisë, shkencëtarët vunë re se sëmundja e rëndë me Covid-19 rriste rrezikun e mpiksjeve të gjakut, dhe studime më të vona kanë treguar se ky rrezik është i lartë edhe për rastet e moderuara.

Sipas CDC, mbi një milionë amerikanë kanë vdekur nga Covid-19 deri në shkurt 2024. Nëse incidenca e mpiksjeve së gjakut është rritur në ShBA, siç pretendon Hirschman, vetë Covid-19 mund të jetë përgjegjës për një pjesë të madhe të saj. 

Megjithëse vaksinat anti-Covid të AstraZeneca dhe Johnson & Johnson janë lidhur me raste mpiksjesh gjaku me nivele të ulëta plateletesh, këto raste janë shumë të rralla. Për më tepër, vaksina Covid-19 e Astrazeneca nuk është e autorizuar për përdorim në ShBA, dhe shkalla e mpiksjeve të gjakut pas vaksinimit me Johnson & Johnson është 4 për 1 milion doza. Një shkallë kaq e ulët nuk mund të shpjegojë rritjen e lartë në mpiksje gjaku që raportoi Hirschman.

Një nga arsyet që Hirschman dha për dyshimin e tij se vaksinat Covid-19 shaktuan mpiksje gjaku ishte një rritje në incidencë përgjatë verës 2021, kur “vdekjet nga Covid-19 ishin në rënie.” Megjithatë, vetë Covid-19 mund të jetë një shpjegim për këtë fenomen. Një studim i 2022, që përfshiu mbi një milionë persona të infektuar me Covid mes Shkurtit 2020 dhe Majit 2021, gjeti se rreziku i zhvillimit të trombozës së venave të thella dhe embolizmës pulmonare mbetej i lartë deri në 6 muaj pas infektimit.

Më tej, Hirschman pretendon se mpiksjet ‘anormale’ tek kufomat vijnë si pasojë e një ndryshimi në gjak. “Gjaku është ndryshe. Diçka po e bën gjakun të ndryshojë,” tha ai. Si provë e këtij ndryshimi të pretenduar, artikulli citon rezultatet e një analize laboratorike që krahasonte një nga mpiksjet e dërguara nga Hirschman me një kampion gjaku nga një person i pavaksinuar.

Laboratori analizoi këto kampione duke përdorur një teknikë të quajtur ICP-MS. Kjo teknikë mat përqendrimin e disa elementëve të pranishëm në një kampion duke i transformuar ato në jone, të cilat më pas ndahen sipas masës dhe ngarkesës së tyre. 

Megjithatë, disa defekte të kësaj analize i bëjnë rezultatet dhe intepretimin e tyre jo të besueshëm.

Si fillim, laboratori ku u krye analiza është në pronësi të Mike Adams, themelues i faqes Natural Neës, ku u botuan dhe rezultatet e analizës. Kjo faqe ka botuar më parë lajme të rreme lidhur me vaksinat anti-Covid, përfshi pretendime se vaksinat shkaktojnë kancer dhe se ato do të çonin në një “holokaust”. Media Bias/Fact Check e përshkruan Natyral Neës si një burim konspiracionist-pseudoshkencor dhe “një nga burimet më të diskredituara në internet”. 

Së dyti, Adams pretendon se mpiksjet mund të krijohen nga “diçka ndryshe nga gjaku” sepse analiza e tij tregoi se atyre i mungonin disa elementë “të pranishëm në gjakun e shëndetshëm të njeriut” (pra, gjaku nga personi i pavaksinuar), si hekur, kalium, magnez dhe zink. Për shembull, Adams specifikon në artikull se “kampioni nga mpiksja post-vaksinë përmban vetëm 4.4% të sasisë së hekurit që do të vërehej në gjakun e njeriut. Vetëm kjo mjafton për të konfirmuar se kjo mpiksje nuk është ‘mpiksje gjaku’.” Adams madje sugjeron, pa asnjë provë, se mpiksjet mund të jenë “biostruktura të vdekura vetë-montuese.”

Megjithatë, përbërja e një mpiksjeje mund të variojë në mënyrë domethënëse nga ku ajo krijohet. Gjaku është i përbërë nga plazma, rruazat e kuqe, rruazat e bardha, dhe platelete. Rruazat e kuqe, të cilat përbëjnë 40-45% të volumit të gjakut, përmbajnë hemoglobinë, një proteinë të pasur në hekur që është e domosdoshme për të mbartur oksigjen nga mushkëritë në inde.

Mpiksjet arteriale përmbajnë pak rruaza të kuqe dhe përbëhen kryesisht nga fibrina dhe platelete, ndërsa mpiksjet venoze kanë përmbajtje më të lartë rruazash të kuqe. Më tej, koha që ka kaluar që nga krijimi i mpiksjes ndikon gjithashtu në përbërjen e saj, duke qenë se mpiksjet kanë tendencën të mbledhinë më shumë fibirnë me kalimin e kohës.

Pra, pretendimi i Adams se mpiksja që ai analizoi kishte hekur të ulët nuk provon në ndonjë mënyrë se mpiksja është ‘anormale’. Ka faktorë të ndryshëm që ndikojnë në përbërjen e mpiksjes, dhe një mpiksje me nivel të ulët hekuri mund të shpjegohet nga faktorë të tjerë, si vendi ku është krijuar. Adams nuk i ka marrë parasysh këto faktorë.

Më tej, mpiksje në zemër dhe enët e mëdha të gjakut mund të krijohen gjithashtu pas vdekjes.

Për më tepër, Adams vetë ka pranuar se akreditimi i laboratorit të tij “nuk mbulon specifikisht kampionët biologjikë njerëzorë”, pra laboratori mund të mos jetë i pajisur për të operuar me kampionë nga njerëzit. Adams madje tha se e kreu analizën duke përdorur të njejtin protokoll që përdoret rregullisht për testimin e “kampioneve të ushqimit të maceve dhe të qenve.”

Ndërkohë, defekt madhor i analizës është edhe mungesa e të dhënave mjekësore bazë mbi individët nga të cilët u morën kampionët. Madhësia e mostrës që konsiston në një mpiksje dhe një kampion gjaku është shumë e vogël për të arritur në ndonjë përfundim të gjeneralizueshëm për një popullatë më të gjerë.