BallinaFaktometerPa kategoriKur do të rifillojnë fluturimet në aeroportin e Kukësit?

Kur do të rifillojnë fluturimet në aeroportin e Kukësit?

EMIRJOLA VELIA

Aeroporti i Kukësit, ku fluturimet e para nisën në korrik 2021, prej disa muajsh është kthyer në një vend të braktisur. Edhe pse qeveria rriti pritshmëritë për një investim që do sillte mijëra të punësuar dhe zhvillim, agjencitë e udhëtimeve tregojnë se fluturimet janë ndërprerë prej muajit tetor dhe rikthimi i tyre nuk pritet të ndodhë para marsit. Aeroporti la pa përgjigje kërkesën zyrtare nga Faktoje për këtë ngërç në aktivitetin e transportit ajror, ndërsa qytetarët flasin për çmime të kripura të biletave të udhëtimit.

“Kukësi do të kthehet në një pikë të re të zhvillimit ekonomik në Republikën e Shqipërisë dhe kjo do të bëhet sipas rregullave dhe sipas ligjeve në fuqi. Kështu që në datë 17 qershor kur mbaron afati i publikimit që ne e kemi nisur, në atë datë aeroporti i Kukësit do të jetë aeroport totalisht i përdorshëm nga të gjitha kompanitë.”-deklaroi ministrja Balluku në përurimin e aeroportit “ZAYED-Flatrat e Veriut” më 18 prill të 2021.

Fluturimet në aeroportin e Kukësit nisën më 9 korrik 2021 me linjën Zyrih-Kukës. Që nga ajo ditë aeroporti ka kryer disa fluturime në linjat Zyrih-Kukës-Zyrih dhe Stamboll-Kukës-Stamboll, shërbime që rezultojnë të jenë ofruar deri në 21 tetor 2021.

Sipas verifikimit në terren gjatë muajve të fundit, komunikimit me agjencitë në qytetin e Kukësit por edhe duke iu referuar faqës zyrtare të aeroprotit “ZAYED-Flatrat e Veriut” konstatuam se pas kësaj datë, në aeroportin e Kukësit, nuk ka pasur më fluturime.

Screenshot i faqes zyrtare të Aeroportit të Kukësit

Aeroporti i Kukësit, janar 2022

Pamje brenda mjediseve të Aeroportit të Kukësit, janar 2022

Pas këtij konstatimi, ne iu drejtuam me një kërkesë zyrtare aeroportit të Kukësit në lidhje me situatën e fluturimeve.

Kërkesë dërguar aeroportit të Kukësit, 17 janr 2021

 

Deri në publikimin e këtij artikulli nuk morëm një përgjigje nga autoritetet e aeroportit te Kukësit.

Ndërkohë ne pyetëm në një prej agjencive të udhëtimit në qytetin e Kukesit nëse ka pasur prenotim biletash gjatë periudhës tetor 2021-janar 2022.“Që nga tetori 2021 agjencia nuk ka prerë bileta fluturimi nga aeroporti “ZAYED-Flatrat e Veriut”. Në dijeninë tonë pritet që fluturimet të rifillojnë gjatë muajit Mars 2022. Sipas kërkimeve në lidhje me çmimet e biletave që ka ofruar aeroporti i Kukësit, rezulton se në fluturimet Zyrih-Kukës biletat të kenë qenë me çmim të arsyeshëm, por krejt e kundërta ndodh në kthim Kukës-Zyrih, ku çmimi i biletave pëson rritje.

Të dhënat online për çmimet e fluturimit me itinera Kukës-Zurich-Kukës

 

Q.V banor i qytetit të Kukësit mendon se shtrenjtimi i biletave dhe mospërballimi i çmimeve ka frenuar udhëtarët të bëjnë prenotim me itinerar aeroportin e Kukësit dhe të gjejnë mënyra alternative udhëtimi, qoftë edhe duke zgjedhur aeroporte të vendeve fqinje.

“Çmimi i biletave krahasur me javët e para të fluturimeve nga aeroporti pësuan rritje, ndaj filloi të binte edhe interesimi për të fluturuar nga aeroporti i Kukësit. Për pasojë u anuluan edhe fluturmet për një kohë të papërcaktuar në rrugë zyrtare, edhe pse udhëtatët më së shumti vinin nga qytete të ndryshme të Kosovës” – shtoi më tej punonjësa e agjencisë.

Ne komunikuam edhe me drejtorin e aeroporti të Kukësit Erald Qoqja, por ai refuzoi të përgjigjej mbi mungesën e fluturimeve që nga fundi i Tetorit, arsyet për këtë ngërç dhe se kur priten të rifillojnë fluturimet.

 

Aktualisht në aeroprotin “ZAYED-Flatrat e Veriut” janë rreth 1 mijë punonjës, edhe pse qeveria Shqiptare pati deklaruar se do të jenë plot 12 mijë të punësuar e se kjo do të sillte zhvillim ekonomik për Kukësin.

Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit ‘Zayed-Flatrat e Veriut’, një investim total prej 28.7 milion dollarë (24 milion €),  ka një pistë 2.2 kilometra dhe kullën e vëzhgimit dhe është projektuar për të mbajtur 3 avionë njëkohësisht, ndërsa brenda 1 ore mund të nisen 4 të tillë.

 

*Pak para publikimit të këtij artikulli, kryeministri Edi Rama njoftoi përmes profilit të tij në rrjetet sociale  njoftimin se prej muajit maj, në aeroportin ndërkombëtar të Kukësit do të nisin fluturimet ‘low cost’ me destinacion Austri, Gjermani dhe Zvicër me kompaninë WizAir.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img