BallinaFaktometerE PavërtetëAeroporti i Vlorës, pa leje ndërtimi brenda zonës së mbrojtur?

Aeroporti i Vlorës, pa leje ndërtimi brenda zonës së mbrojtur?

Ministrja e Mjedisit Mirela Kumbaro deklaroi në fund të janarit se për aeroportin e Vlorës janë respektuar totalisht ligjet. Por verifikimi i Faktoje tregoi se aeroporti po ndërtohet brenda një zone të mbrojtur mjedisore, ndërkohë që nuk ka një leje ndërtimi. Për të korrigjuar këtë paligjshmëri ligjore, sipas ekspertëve që monitorojnë zbatimin e këtij projekti, Qeveria po pergatit një VKM që parashikon heqjen nga harta e Zonës së Mbrojtur të hapësirës, ku veç aeroportit janë planifikuar të ndërtohen edhe resorte turistike.

“Vendimi i Këshillit Kombëtar të territorit ka prodhuar edhe lejen zhvillimore, është proces në vazhdim, por në çdo hap kemi respektuar totalisht çdo procedurë të ligjeve shqiptare, qoftë për konsultimet publike, qoftë për vleresimet e ndikimeve në mjedis”-deklaroi ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës në 26 janar të këtij viti, e pyetur nga mediat, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Nisur nga kjo deklaratë, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim, duke marrë në analizë fillimisht atë se çfarë po ndodh në zonën e destinuar për ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës.

Ashtu siç ishte paralajmëruar, në 28 nëntor 2021, Ditën e Flamurit nisën punimet për këtë aeroport, raportim që u përcoll si verifikim edhe nga Faktoje po atë ditë. Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastruktures dhe Enregjisë, Balluku shpjeguan njëri pas tjetrit procesin e fillimit dhe vijimësinë e punimeve.

*Postimi nga faqja zyrtare e kryeministrit Rama 28/11/2021

Në verifikimin, një ditë para këtij përurimi, 27 nëntor 2021, Faktoje gjeti në terren makina të tonazhit të rëndë si dhe kontenierë.

Në datën 31 janar 2022, më shumë se dy muaj pas nisjes së punimeve, ne shkuam sërish në terren ku konstatuam se punimet nuk kishin ecur. Madje edhe ditën e verifikimit mjetet e rënda ishin të parkuara dhe nuk kishte punëtorë.

Pamje nga kantieri i ndërtimit të Aeroportit të Vlorës 31/01/2022

Pamje nga kantieri i ndërtimit të Aeroportit të Vlorës 31/01/2022

I vetmi person me të cilin mundëm të komunikonim ishte roja i kantierit, i cili na informoi se përgjatë gjithë muajit janar nuk ishin zhvilluar punime, por ato priteshin të nisnin në shkurt.

Mungesën e punimeve e kanë vënë në dukje edhe ekspertët mjedisorë që po monitorojnë procesin për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

“Aktualisht, projekti është deklaruar me statusin në ndërtim, është ngritur kantieri, por nga informacionet e përditësuara rezulton se janë transferuar disa kamionë, makineri të tjera të cilat nuk kanë nisur punën ndërtimore.”-theksojnë ekpertët.

 

Çfarë po e ‘pengon’ vazhdimin e punimeve për Aeroportin e Vlorës

 

Ndërsa kryeministri Edi Rama inaguroi fillimin e punimeve për aeroportin e Vlorës, njëzet organizata mjedisore dhe ekspertë të mjedisit denoncuan ‘procedurat e paligjshme dhe klienteliste’ duke kërkuar ndaljen e planeve për ndërtimin në zonën e mbrojtur. Përballë  argumentit të qeverisë se aeroporti do të ndërtohet në njollën e një aerodromi ekzistues dhe të përdorur para viteve ’90  ky investim do të zërë vend brenda Zonës së Mbrojtur “Kompleksi ligatinor Delta e lumit Vjosë – Laguna e Nartës” e shpallur si Peizazh i Mbrojtur (Kategoria V) sipas legjislacionit shqiptar me VKM Nr. 680, datë 22.10.2004.

Detaje nga VKM-ja përkatëse

Për më tepër zona gëzon paralelisht edhe statuse të tjera mbrojtjeje në bazë të legjislacionit ndërkombëtar. Për ekspertët e mjedisit, Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë shërben si korridor për shtegtimin e shpendëve përmes Adriatikut, për të kaluar nga veriu i globit në jug të tij, drejt Afrikës. Më të njohurat në ligatinë janë Flamingot, por edhe shpendë të tjerë. Në raportin e progresit të Komisionit Evropian kritikohet fakti që projekti në fjalë është planifikuar të ndërtohet brenda Zonës së Mbrojtur.

Flamingo, Nartë  © Eco Albania

“Për të shmangur këtë mosrespektim Qeveria është duke hartuar një VKM të re e cila parashikon heqjen nga harta e Zonës së Mbrojtur të hapësirës që është parashikuar të vendoset aeroporti dhe së bashku me të edhe një pjesë të konsiderueshme të hapësirës, ku prej kohësh janë planifikuar të ndërtohen resorte të mëdha turistike. Vendimi i ri, i cili pritet të miratohet brenda muajit Shkurt 2022 në fakt është pjesë e një procesi tërësor të rishikimit të Zonave të Mbrojtura i cili ka nisur që në muajin gusht 2019 e që është kontestuar e kritikuar”-shprehen ekpertë të mjedisit.

Deri në publikimin e këtij artikulli, nga verifikimi i Faktoje nuk rezulton të ketë ndonjë vendimmarrje nga Këshilli i Ministrave për këtë çështje.

 

A ka leje për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës?

“Edhe pse Qeveria është kujdesur për ta kuruar me detaje eventin e inagurimit, në fakt ka një ngërç të qenësishëm sa i përket mosrespektimit të procedures ligjore pasi Deklarata Mjedisore e lëshuar nga MTM dhe AKM mban datën 09.12.2021 dhe ndërkohë projekti nuk ka ende një leje të vlefshme ndërtimi.

Për më tepër, Zona e Mbrojtur Vjosë-Nartë, aktualisht është objekt i një plani urbanistik që parashikon ndërtimin e aeroportit si dhe disa resorte të mëdha turistike.”- shkruhet në fact sheet “Aeroporti i Vlorës – Një megaprojekt në qendër të Zonës së Mbrojtur”

Faktoje iu drejtua përmes një kërkese zyrtare IKMT nëse ky institucion disponon një dokumentacion nga kompania e cila pretendon të ndërtojë aeroportin e ri.

Kërkesa për informacion dërguar IKMT

IKMT nuk ktheu përgjigje për këtë kërkesë.

Ndikimi tek banorët dhe speciet që popullojnë zonën e mbrojtur

 

Nga të dhënat e sigururara nga Faktoje në konsultë me ekspertë të fushës dhe bazuar në të dhënat zyrtare të publikuara, llogaritet që Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, zhvillimet e mëdha turistike dhe infrastruktura urbane shtesë do të mbulojnë rreth 3 000 hektarë ose 15% të sipërfaqes aktuale të zonës së mbrojtur.

Ajo çka i druhen ekspertët e mjedisit është se ndërtimet e miratuara dhe ato të planifikuara do të kenë ndikime të pakthyeshme në biodiversitetin biologjik, qendrueshmërinë e ekosistemit të kompleksitetit Vjosë-Nartë, por edhe ndikime socio-ekonomike përveç ndotjes së ajrit dhe asaj akustike.

Vetë VNM-ja (Vlerësimi i ndikimit në Mjedis) thekson se probabiliteti që ndërtimi i Aeroportit të shkaktojë ndikime mbi zhurmat është i shumë i lartë, pasi në zonë janë të pranishëm receptorë me ndjeshmëri shumë të lartë (si qendra shëndetësore) dhe receptorë me ndjeshmëri të lartë (institucionet arsimore).

Pjesë nga VNM-ja

 

Ekspertët: Mungesë e theksuar tranparence dhe konsultimi publik

Faktoje mori opinionin e një grupi ekspertësh mjedisorë nëse janë respektuar ligjet përkatëse, përfshirë edhe ato për konsultimin publik dhe transparencën ashtu sikurse deklaroi Ministrja Kumbaro në lidhje me Aeroportin e Vlorës, në 26 janar.

“Si VNMS (VLERESIMI I NDIKIMIT MJEDISOR DHE SOCIAL) për Aeroportin ashtu edhe VSM (Vlerësimi Strategjik Mjedisor) për planin urban janë bërë publike në momentin e fundit duke mos lënë kohë për grupet e interesit dhe organizatat jo qeveritare për t’u përfshirë në diskutimet e duhura publike”- thonë ekspertët të cilët kanë ngritur disa pikëpyetje  në lidhje me raportin e VNM-së I cili sipas tyre nuk ka mundur t’u japë përgjigje çështjeve kyçe që renditen më poshtë.

 

A ka projekti një ndikim të qenësishëm në zonën Vjosë-Nartë 

Projekti për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës parashikohet të shtrihet pranë fshatit Akërni, njësia administrative Novoselë, duke shfrytëzuar një pistë ekzistuese e cila ka qenë e braktisur prej 30 vitesh. Zona përfshin kryesisht fshatra jo shumë të populluar, ekonomia e të cilëve bazohet kryesisht te bujqësia dhe peshkimi. Projekti me vlerë 86 mln europër ndërtimin e aeroportit të Vlorës u nënshkrua më 20 prill mes qeverisë shqiptare dhe konsorciumit “Mabetex Group”, “YDA Group” dhe 2A Group”.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img