Pretendimi: Raportohet për shqiptarë të vrarë si mercenarë në Ukrainë

Vlerësimi: Jashtë konteksti

Dy vite pas pushtimit rus të Ukrainës, dezinformimi që vjen nga Kremlini duket se nuk ka të ndaluar, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Së fundmi, mediat vendase pasqyruan gjerësisht informacionet e shpërndara nga Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë për 87 mercenarë shqiptarë të vrarë në Ukrainë. 

Mirëpo, pretendimet e Rusisë për përfshirje të mercenarëve shqiptarë në këtë konflikt të armatosur hidhen poshtë nga autoritetet shqiptare. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën të ditur se nuk ka asnjë të dhënë zyrtare për të vrarë me nënshtetësi shqiptare, të përfshirë në konfliktin e armatosur Rusi-Ukrainë.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin X, që mban datën 14 mars 2024, Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë pretendonte se prej nisjes së konfliktir plot 13.387 mercenarë të huaj kishin mbërritur në Ukrainë. Më tej paraqitej një listë e shteteve që MFA aludonte se ishin bërë pjesë e luftës, duke theksuar se 192 ishin shqiptarë dhe 87 prej tyre ishin vrarë. 

Ky pretendim u pasqyrua gjerësisht në mediat online dhe jo vetëm në vendin tonë, por edhe në Kosovë, duke i dhënë zë propagandës ruse. 

Nëpërmjet titujve bombastikë, portalet raportonin për një lajm “tronditës” që vinte nga Rusia. 

“TRONDIT RUSIA: Kemi vrarë 171 Shqiptarë dhe Kosovarë mercenarë në Ukrainë”, shkruhej në mediat online

“Raportohet për shqiptarë të vrarë si ‘mercenarë’ në Ukrainë”, shkruanin portalet edhe në Kosovë.

Kjo çështje u diskutua edhe në emisione televizive, ku ish-ushtarakë pretendonin se në Ukrainë ka mercenarë, por lista e nxjerrë nga Rusia nuk ishte e saktë. 

“Shqiptarët në luftë me Rusinë, 171 viktima në betejë?”-ishte tema e diskutimit në një prej emisioneve televizive. 

“Nuk është e saktë si listë, është e vërtetë që ka të huaj që luftojnë krah Ukrainës. Ka edhe nga Shqipëria dhe Kosova, por ky numër nuk e kalon shifrën prej 25 vetësh, numri më i madh është nga Kosova”-tha ish-ushtaraku Dritan Goxhaj në emisionin “Shqipëria Live”. 

Pretendimi i autoriteteve ruse për vrasjen e mercenarëve u përhap edhe në postime të ndryshme në rrjetet sociale, ku kërkohej edhe një reagim nga pala shqiptare. 

“Dyfytyrësia e sistemit të drejtësisë shqiptare dhe mosreagimi i opozitës shqiptare lidhur me mercenarët shqiptarë të Shqipërisë e Kosovës që po luftojnë në Ukrainë”-shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.

Autoritetet shqiptare përgënjeshtrojnë Rusinë

Por, si qëndron e vërteta e këtyre lajmeve mbi mercenarët shqiptarë në Ukrainë? Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion fillimisht Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku ndër të tjera e pyetëm nëse ka mercenarë shqiptarë në Ukrainë dhe nëse ka viktima, siç thuhet në njoftimet e autoriteteve ruse. 

Në përgjigjen zyrtare që mban datën 29 mars, ky institucion bën të ditur se nuk ka të dhëna zyrtare për shqiptarë të përfshirë në luftën Rusi-Ukrainë. 

“Ju bëjmë me dije se MEPJ nuk ka patur dhe nuk ka asnjë të dhënë zyrtare për të vrarë me nënshtetësi shqiptare, të përfshirë në konfliktin e armatosur Rusi-Ukrainë”, sqaron Ministria e Jashtme. 

Ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion edhe Policisë së Shtetit, nëse kishte pasur denoncime nga shtetas shqiptarë që kanë humbur kontaktet më të afërm të tyre në Ukrainë. 

“Në përgjigje të kërkesës suaj për informacion nëse ka raste të raportuara që shtetas shqiptar të kenë humbur kontaktet me familjarët e tyre në Ukrainë, ju informojmë se pas verifikimeve ka rezultuar se nuk ka asnjë denoncim/informacion me këtë objekt”, njofton zyrtarisht për Faktoje, Policia e Shtetit, në një përgjigje që mban datën 5 prill. 

Ne jemi drejtuar me një kërkesë për informacion edhe Shërbimit Informativ Shtetëror, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk kemi marrë një përgjigje nga institucioni në fjalë. 

Deklaratat e përsëritura të Rusisë për mercenarët

Në qershor të vitit 2022, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë publikoi statistika për mercenarët e huaj që sipas tyre luftonin në Ukrainë. Asokohe raportohej se 42 mercenarë nga Shqipëria ishin vrarë në Ukrainë, ndërkohë që numri i tyre prezent, që prej fillimit të luftës përllogaritej në 150.

Mbi këto pretendime, pati një sërë reagimesh nga institucionet shqiptare, duke hedhur poshtë informacionet e pabaza që vinin nga Rusia. 

“Nuk ka mercenarë shqiptarë në Ukrainë! Kjo është një gënjeshtër, që Moska vazhdon ta përsërisë pa turp! Shqipëria qëndron me Ukrainën dhe do të vazhdojë të punojë me të gjithë aleatët dhe partnerët për të ndihmuar në përfundimin e agresionit të paprovokuar të Rusisë ndaj popullit të Ukrainës. Zoti i bekoftë ata”, ishte reagimi i Olta Xhaçkës, asokohe ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme. 

Ndërsa, në një reagim për Faktoje në qershor të 2 viteve më parë, Ministria e Mbrojtjes theksonte: “Sikurse çdo anëtar tjetër i NATO-s, edhe Shqipëria nuk ka dërguar forca të armatosura në Ukrainë. Në lidhje me deklaratat e Ambasadës Ruse në Tiranë, jemi në të njëjtin qëndrim si prononcimi zyrtar i Ministrisë së Evropës dhe të Punëve të Jashtme mbi këtë çështje”.

Edhe kryeministri Edi Rama u shpreh publikisht për listën, duke komentuar se përfshirja e Shqipërisë dhe e Kosovës në luftën në Ukrainë ishte diçka e përsëritur dhe e qëllimshme.

“Kur bëhet fjalë për luftëtarë në Ukrainë, del lista e të vrarëve, e skalioneve ndërkombëtare në Ukrainë dhe Lavrovi nuk flet për të tjerët, flet për shqiptarët dhe për kosovarët. Duke dhënë shifra të pabazuara në asnjë gjë, sepse ne nuk kemi informacion që ka qytetarë të Republikës së Shqipërisë të vrarë në këtë konflikt”, u shpreh Rama në qershor të vitit 2022. 

Në një tjetër artikull, Faktoje ka verifikuar deklaratën e Ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov të dhënë pak ditë përpara nisjes së luftës, për mercenarët nga Shqipëria të përfshirë në konfliktin Rusi-Ukrainë si pjesë e retorikës dhe propagandës së luftës ruse, për të nxitur dezinformimin dhe lajmet e rreme.