Deklarata e Ambasadës Ruse në Tiranë se 42 nga 150 mercenarë shqiptarë janë vrarë në luftën në Ukrainë, i publikuar gjerësisht nga media në Shqipëri është mohuar nga institucionet përgjigjese në Tiranë.  Ministria e Evropës dhe Punëve të Jashme ka konfirmuar për Faktoje se nuk ka asnjë informacion për shtetas të Republikës së Shqipërisë që kanë humbur jetën gjatë konfliktit në Ukrainë, madje edhe vete kryeministri Rama, është shprehur publikisht se statistika të tilla janë të pabaza dhe me qëllim për të ndikuar negativisht opinionin publik.

Aimona Vogli

Në muajin qershor Ambasada Ruse në Shqipëri publikoi një listë ku bëhej e ditur se 42 mercenarë nga Shqipëri janë vrarë në Ukrainë, ndërkohë që numri i tyre prezent, që prej fillimit të luftës përllogaritet në 150.

Screenshot nga postimi i Ambasadës Ruse në Shqipëri

Dokumenti i prodhuar nga Ministria e Mbrojtjes ruse, përfshin një statistikë me vende, por nuk ka asnjë informacion dhe të të dhëna se si është gjeneruar dhe tek cilat burime është mbështetur.

Menjëherë pas publikimi mediat shqiptare e kanë ndarë gjerësisht, duke pasqyruar shifrat dhe të dhënat e deklaruara nga Ambasada Ruse në Tiranë.

Screenshot publikime të mediave shqiptare

Disa prej mediave kanë bërë një përllogaritje duke mbledhur numrin e shqiptarëve nga Shqipëria dhe nga Kosova duke publikuar kështu shifra edhe me të larta të shqiptarëve që janë vrarë në konfliktin Ukrainë- Rusi.

Faktoje provoi të verfikojë informacionin në faqen e Ministrisë së Mbrojtjes Ruse, për të gjetur të dhëna shtesë që tregojnë për burimin e të dhënave, por kjo faqe nuk është e aksesueshme për vendin tonë.

Screeshoot faqja e Ministrise së Mbrojtjes Ruse

Ministria e Evropës dhe e Punëve të Jashme, mohoi deklaratën e publikuar nga ana e ambasadës ruse duke rikonfrimuar qëndrimin e bërë publik nga ministrja Xhacka në mars të këtij, kur u përfol për herë të parë çështja e mercenarëve shqiptarë në Ukrainë.

Atë kohë ministrja shkruante: “Nuk ka mercenarë shqiptarë në Ukrainë! Kjo është një gënjeshtër, që Moska vazhdon ta përsërisë pa turp! Shqipëria qëndron me Ukrainën dhe do të vazhdojë të punojë me të gjithë aleatët dhe partnerët për të ndihmuar në përfundimin e agresionit të paprovokuar të Rusisë ndaj popullit të Ukrainës. Zoti i bekoftë ata”.

Postimi i ministers për Evropën dhe Punët e Jashme, Olta Xhacka mars 2022

Ministria e Mbrojtjes e kontaktuar nga Faktoje, u shpreh:

“Shqipëria si vend anëtar i NATO-s i qëndron në krah Ukrainës dhe do të mbetet e përkushtuar për t’i dhënë fund konfliktit të armatosur dhe sulmeve të iniciuara nga Rusia. Sikurse çdo anëtar tjetër i NATO-s, edhe Shqipëria nuk ka dërguar forca të armatosura në UkrainëNë lidhje me deklaratat e Ambasadës Ruse në Tiranë, jemi në të njëjtin qendrim si prononcimi zyrtar i Ministrisë së Evropës dhe të Punëve të Jashtme mbi këtë çështje”.

Ndërkohë pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama, është shprehur publikisht për listën. Në një konferencë për shtyp në Prishtinë ai ka komentuar se përfshirja e Shqipërisë dhe e Kosovës në luftën në Ukrainë është diçka e përsëritur dhe e qëllimshme.

“Kur bëhët fjalë për luftëtarë në Ukrainë, del lista e të vrarëve, e skalioneve ndërkombëtare në Ukrainë dhe Lavrovi nuk flet për të tjerët, flet për shqiptarët dhe për kosovarët. Duke dhënë shifra të pabazuara në asnjë gjë, sepse ne nuk kemi informacion që ka qytetarë të Republikës së Shqipërisë të vrarë në këtë konflikt”,- u shpreh Rama.

Edhe më parë Faktoje ka verifikuar deklaratën e Ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov të dhënë pak ditë përpara nisjes së luftës, për mercenarët nga Shqipëria të përfshirë në konfliktin Rusi-Ukrainë si pjesë e retorikës dhe propagandës së luftës ruse, për të nxitur dizinformimin dhe lajmet e rreme.