BallinaFaktometerE PavërtetëHitleri nuk vdiq në Spanjë, dokumenti sekret është falsifikim

Hitleri nuk vdiq në Spanjë, dokumenti sekret është falsifikim

Vdekja e diktatorit gjerman Adolf Hitler vazhdon të frymëzojë teori konspirative. Më e fundit është një variant që pretendon se ai nuk vdiq në 1945, por në Spanjë, në 1957. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se ky pretendim ‘bazohet’ në një dokument të falsifikuar.

Patris Pustina

Artikulli në portalin mast.al pretendon se “Shtëpia e Bardhë & Kissinger Pranojnë se Hitleri nuk Vdiq në L2B”.

Si ‘provë’ për këtë, ai paraqet një dokument “bombë”, ”të sapodeklasifikuar nga FBI, i datës 27 nëntor 1971, drejtuar z.Henry A. Kissinger nga Shtëpia e Bardhë e Presidentit Richard Nixon.”

Dokumenti që pretendohet se provon që Hitleri ka vdekur në 1957

Dokumenti që paraqet artikulli duket si një memorandum i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe deklaron: “Adolf Hitler është varrosur në Spanjë në varrezën e Almudena. Pas Luftës së Dytë Botërore qeveria e Francisco Franco e fshehu atë në Madrid dhe atje ai vdiq deri në moshën 68 vjeç. Trupi i tij prehet në një varr pa emër në varrezën spanjolle të përmendur. Eshtë e përshtatshme që ky informacion të mos publikojë kurrë.”

Anglishtja e çalë është treguesi i parë që duhet të ngjallë dyshim tek lexuesi. Një zyrtar i qeverisë amerikane zor se do të shkruante në një dokument zyrtar “vdiq deri në moshën 68 vjeç”.

Së dyti, mungesa e një burimi se nga është marrë ky dokument duhet të ngrejë dyshime, gjithashtu. Artikulli na kërkon ta marrim të mirëqenë se dokumenti në fjalë është deklasifikuar së fundmi, por nuk na jep referencë se ku është publikuar ai. Byroja Federale e Hetimit (FBI) ka një faqe zyrtare ku publikohen dokumentet e deklasifikuara.

Për më tepër, poshtë tekstit shkruan “Bashkëngjitur: Memorandum Elektoral”. është e dyshimtë që një teksti të tillë do t’i bashkëngjitej një memorandum elektoral, sepse përmbajtja e tij nuk ka asnjë lidhje me zgjedhje.

Në të vërtetë, ky dokument është një version i manipuluar i një memorandumi të vërtetë 5-faqësh që i është dërguar Henry Kissinger nga Theodore L. Eliot Jr., sekretari i atëhershëm ekzekutiv i Departamentit Amerikan të Shtetit. 

Krahasim i dokumentit të manipuluar (majtas) të paraqitur nga mast.al dhe versionit të vërtetë (djathtas)

Dokumentet mbajnë të njejtën datë, 27 Nëntor 1971, të njejtin numër në cepin e djathë (7119052) dhe të njejtat shënime me shkrim dore.

Tema e memorandumit të vërtetë ishin zgjedhjet e Uruguait të 28 Nëntorit 1971. Kjo shpjegon dhe shënimin “Bashkëngjitur: Memorandum Elektoral”.

Dokumenti real është bërë publik në 2002 nga Arkivi i Sigurisë Kombëtare, si pjesë e një artikulli të titulluar “Nixon: ‘Brazili ndihmoi në manipulimin e zgjedhjeve në Uruguai’”

Carlos Osario, nga Arkivi i Sigurisë Kombëtare, tha për PolitiFact se dokumenti duket që është i falsifikuar sepse ai përmban fonte të ndryshme. Gjithashtu, shënimi me shkrim dore në të djathtë të dokumentit, “Pol 14 Uru” është kod reference që ndjek mënyrën e klasifikimit të dokumenteve në Arkivin Kombëtar amerikan. Kështu, “Pol” i referohet çështjeve politike, “14” i referohet zgjedhjeve, dhe “Uru” i referohet Uruguait.

Sa i përket fatit të Hitlerit, historianët bien dakort se ai vrau veten në bunkerin e tij më 30 prill 1945, së bashku me bashkëshorten e tij Eva Braun, ndërsa ushtria sovjetike ishte afruar më pak se 500 m larg pozicionit të tij në qendër të Berlinit. Trupat e tyre u dogjën nga ndihmësit e tij, për të shmangur frikën e Hitlerit se kufoma e tij do përfundonte e ekspozuar në Moskë, shkruan historiani Ian Kershaw në biografinë e diktatorit. Duke parë fatin e aleatit të tij fashist, Benito Musolinit, kufoma e të cilit u përdhos publikisht në Itali, ky shqetësim i Hitlerit duket i arsyeshëm.

Në 2018, një grup shkencëtarësh francezë, të cilët u lejuan të inspektonin disa dhëmbë dhe një pjesë kafke të ruajtur në Moskë, që ishin marrë nga trupat sovietike në fillimin e Majit 1945, arritën në përfundimin se ato i përkisnin Adolf Hitlerit.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img