BallinaFaktometerE PavërtetëA u realizua nisma “anti-KÇK” në drejtësi?

A u realizua nisma “anti-KÇK” në drejtësi?

Gjatë prezantimit të raportit të Grupit të Shteteve Kundër Korrupsionit për Shqipërinë, të martën e 13 tetorit, kryeministri Edi Rama deklaroi se “koka” e korrupsionit në vend ka qenë dhe vijon të jetë “korporata” e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Rama kërkoi nga SPAK “dorë të hekurt” ndaj tyre, por nuk përmendi në asnjë moment nismën “Anti-KÇK në drejtësi” të cilën u zotua se do të miratohej brenda sesionit të kaluar parlamentar.


Koka e korrupsionit në Shqipëri nuk janë politikanët. Koka e korrupsionit kanë qenë dhe vijojnë të jenë koorporata e korruptuar e gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë garantuar pandëshkueshmërinë në sistem dhe që ndëshkimin e drejtësisë e kanë përdorur për hesape që nuk kanë pasur të bëjnë me hesapet e shtetit – deklaroi kryeministri Edi Rama, të marten në 13 tetor gjatë prezantimit të raportit të Grupit të Shteteve Kundër Korrupsionit (GRECO) për Shqipërinë.

Rama kërkoi nga SPAK “dorë të hekurt” ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar.

Nëse ‘Vettingu’ pastron thjesht dhe vetëm nga fusha e sistemit, t’i pastrojë (SPAK) nga fusha e jetës shoqërore dhe t’i çojë në burg për të gjitha ato që i kanë bërë këtij vendi duke përdorur çekiçin e gjykatësit në mënyra nga më barbaret – u shpreh Rama.

Në këtë takim kryeministri Edi Rama nuk e përmendi asnjëherë nismën “Anti-KÇK” të cilën deri pak muaj më parë e promovoi si mënyrën për të vënë para përgjegjësisë të korruptuarit e drejtësisë.

Më 5 nëntor 2019 kryeministri Edi Rama deklaronte në Kuvend:

Ka ardhur koha të reagojmë me forcë ndaj prokurorëve dhe gjykatësve që nuk e kanë kaluar vettingun dhe e dinë që nuk e kalojnë dhe që kanë nxjerrë një togfjalësh “KÇK”, (kap çfarë të kapësh), këtë grup ky parlament duhet ta shpallë në kërkim me çdo mënyrë. Shpallja në kërkim e “KÇK”-së është objektivi që duhet të kemi ne si parlament një orë e më parë. T’i japim ‘KÇK’ me ligj mesazhin që është në kërkim. Ligj special kundër o sot o kurrë.

Më 25 nëntor 2019, kryeminsitri Edi Rama prezantoi nismën e ashtuquajtur “Anti-KÇK” (kap çfarë të kapësh). Paketa anti-KÇK përmbante ndryshime ligjore dhe fuqizim të kompetencave të Policisë së Shtetit në sekustrimin e pasurive të personave të dënuar më herët për vepra penale si dhe punonjësve të sistemit të drejtësisë që bashkëpunonim me eksponentë të krimit.

Nisma e ashtuquajtur anti-KÇK, e hartuar nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë e cila parashikonte disa ndryshime në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke i dhënë kompetencë KLP-së dhe KLGJ-së të pezullonte nga detyra brenda 6 ditëve gjyqtarët dhe prokurorët e për shkelje, nuk u miratua ashtu siç ishte deklaruar.

Më 31 janar 2020, Komiteti Shqiptar i Helsinkit reagoi duke kërkuar që nisma të konsultohej dhe të shmangeshin pikat që binin ndesh me Kushtetutën.

Sipas nenit 147/d të Kushtetutës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës ndër të tjerash për verifikimin e ankesave, dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve, prokurorëve. Kjo normë kushtetuese konkretizohet edhe në ligjin 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” të ndryshuar. Gjykata Kushtetuese ka elaboruar në vendimet e saj standartin se atributet që Kushtetuta i ka caktuar një organi, nuk mund ti jepen një organi tjetër (shih vendimin nr. 78 datë 12.12.2017 i Gjykatës Kushtetuese) Sipas neneve 147/a dhe 149/a të Kushtetutës, përkatësisht Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Larte i Prokurorisë nuk kanë kompetencë të fillojnë hetimin gjyqësor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve – thuhej në reagimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Në 12 shkurt 2020, me 87 vota pro, 15 kundër dhe 4 abstenime u miratua në Kuvend projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”.

Më 4 mars 2020, presidenti Ilir Meta ktheu në Kuvend ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

njoftimin e Presidencës argumentohej se dispozitat e miratuara shkelnin disa parime si: Parimin e sigurisë juridike; Parimin e pavarësisë dhe paanësisë së gjyqësorit; Parimin e hierarkisë së normave kushtetuese dhe rezervën kushtetuese; Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.

Pas kthimit për rishqyrtim në Kuvend nga presidenti Meta, ndryshe nga sa ishte paralajmëruar, projektligji nuk u fut më më votim në seancën plenare as në sesionin e kaluar dhe as në atë që ka nisur që prej shtatorit.

Lexo dhe: SPAK “rrëzon” legjitimitetin e Aktit Normativ “Anti-KÇK”

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img