Para disa ditësh kryeministri Rama njoftoi për rritjen e pagave të mësuesve me 15%.

Sipas kryeministrit Rama dhe ministres së Financave dhe Ekonomisë Denaj, rritje do të ketë si për mësuesit e 9-vjeçares edhe për mësuesit e shkollave të mesme.

Të parët do të marrin 6300 lekë më shumë në pagë, ndërsa të dytët do të kenë një rritje mesatare prej 6750 lekësh.

Rritja e pagave pritet të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit 2021.

Por a është me të vërtetë kjo një rritje me 15% e pagave?

Nëse bëjmë analizën e shifrave të paraqitur nga vetë Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe zyra e Kryeministrit, rritja për secilën nga dy kategoritë e mësuesve të lartpëmendur nuk është më shumë se 9,6-9,8%.

Le të marrim pagën për mësuesit e 9-vjeçares.

Sipas shifrave zyrtare, mesatarisht një mësues i kësaj kategorie merr pagë bruto 65,800 lekë në muaj. Nëse i shtohen 6300 lekë paga shkon 72,100 por rritja nuk është 15%.

Llogaria është e thjeshtë: 65,800 x 15%= 9870 lekë.

Pra rritja 15% do të përkthehej në shumë lekësh në 9870 lekë çdo muaj.

Rritja rezulton afro 9,6% (72,100-65,800/65,800= 9,57)

Edhe nëse llogarisim rritjen për pagën neto, ajo nuk rezulton më shumë se 9%.

Marrim pagën për mësuesit e shkollave të mesme.

Sipas shifrave zyrtare, mesatarisht një mësues i kësaj kategorie momentalisht merr pagë bruto 68,800 lekë në muaj. Nëse i shtohen 6750 lekë paga shkon 75,550 por rritja nuk është 15%.

Llogaria është e thjeshtë: (68,800 x 15%=10,320 lekë)

Pra, rritja 15% do të përkthehej në shumë lekësh në 10,320 lekë çdo muaj.

Rritja rezulton afërsisht 9,8% (75,550-68,800/68,800= 9,8)

Edhe nëse llogarisim rritjen për pagën neto, rritja rezulton diçka më shumë se 9%.

Këtë logjikë e mbështet edhe Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimtarëve Shqiptarë.

Në një intervistë për TvT, Nevruz Kaptelli tha se rritja reale nuk është 15%.

Paga është 65,800 dhe bëhet 72100. Rritja sipas qeverisë është 6300 lekë. Në fakt, 15% e 65,800 nuk i bie 6300 lekë, unë çuditem se si mundohen të mashtrojnë mësuesit. Nëse do të rritej paga 15% e kësaj çka kanë deklaruar këta duhet të ishte 9870 lekë”, shpjegoi ai.

Ai tregoi po ashtu se e njëjta logjikë vlen edhe për pagën për mësuesit në shkollat e mesme.

Kaptelli tha ndër të tjera se kjo është një gënjeshtër për mësuesit.

Për ne SPASH ky është mashtrimi i radhës i kësaj qeverie. Nuk e rriti në asnjë vit gjatë këtij mandati. Këta gënjejnë ditën me diell se po i rrisin 15%. Mos kujtoni se mësuesit janë budallenj”- tha ai.

Duke u nisur nga llogaritja e të dhënave të marra në analizë, Faktoje e klasifikon deklaratën fillestare për rritje të pagave me 15% si TË PAVËRTETË.