BallinaPertejA do të rritet vërtetë ndihma ekonomike?

A do të rritet vërtetë ndihma ekonomike?

MERXHAN DACI 

66 mijë familje dhe persona në kategori të tjera do të përfitojnë ndihmën ekonomike me miratimin e ligjit të ri për Asistencën Sociale. Qeveria thotë se do të ketë rritje të ndihmës, ndërsa ekspertët janë të ndarë në këtë vlerësim.

————————————————————————————————————————————————————-

Në 18 korrik Parlamenti miratoi ligjjin e ri për Asistencën Sociale. Ky ligj bën bashkë ndihmën ekonomike, pagesën e aftësisë së kufizuar dhe bonusin e bebes.

Ligji u njeh mbi 66 mijë familjeve dhe personave të tjerë të drejtën për të përfituar ndihmën ekonomike.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha gjatë prezantimit të ndryshimeve të ligjit në Kuvend se ai lehtëson procedurat e dhënies së ndihmës ekonomike tek përfituesit, duke ia ngarkuar këtë përgjegjësi Shërbimit Social Shtetëror, ndërkohë që deri sot këtë atribut, përfshirë edhe miratimin e listës e kishin këshillat bashkiakë.

Kush përfiton dhe sa?

  • Familjet në nevojë– Jo më shumë se 150% e pensionit social (6800 lekë) ose afro 10-mijë lekë të reja sipas strukturës së familjes
  • Personat me statusin e jetimit3000 lekë
  • Prindërit (familje në nevojë) me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh

                             Trinjakë- 3000 lekë (për çdo fëmijë)

                            Katërnjakë4000 lekë

                            Pesënjakë- 5000 lekë

 

  • Viktimat e trafikimit3000 lekë
  • Viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare3000 lekë

Çfarë ka të re ky ligj dhe a sjell rritje të ndihmës ekonomike?

Vendimi për trajtimin me ndihmë ekonomike do të merret nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror nëpërmjet formulës së pikëzuar që përfshin parametra të lidhur me vlerësimin e situatës ekonomike të familjeve, të tilla, si: kushtet e jetesës, të ardhurat nga emigracioni, demografia e familjes, arsimi dhe punësimi, të ardhurat nga programet e mbrojtjes sociale etj.

Formula e pikëzuar merr parasysh karakteristikat e ndryshme të familjeve urbane dhe rurale. Nëse flitet më konkretisht, familja që aplikon për ndihmë ekonomike plotëson një formular të gjatë ku identifikon disa të dhëna si toka, të ardhurat nga emigracioni pajisjet që zotëron në banesë si psh: TV, frigorifer, kalorifer, kompjuter apo mjete transporti, e më pas në bazë të këtyre dhe shumë të dhënave të tjera, Shërbimi Social bën verifikimin për të parë nëse familja e meriton ndihmën ekonomike.

*Shkëputur nga Vendimi për përcaktimin e procedurave, dokumentacionit dhe të masës mujore të përfitimit të ndihmës ekonomike

Ligji heq tavanin prej 8000 lekësh të reja, çka sipas hartuesve do të thotë se ndihma ekonomike në bazë të strukturës së familjes mund të rrisë shumën e ofruar me ligjin e vjetër.

Denada Seferi, drejtoreshë e programeve të zhvillimit për Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale, në një komunikim me “Faktoje” dha një shifër të përafërt se sa mund të përfitojë një familje shqiptare.

Familjet me shumë antarë do të marrin deri në 10-mijë lekë duke përfshirë subvencionet. Masa përllogaritet sipas strukturës së familjes”, tha Seferi duke shtuar se më vonë, me daljen e akteve nënligjore do të sqarohet më konkretisht kjo nismë ligjore.

Ndërkaq Kastriot Sulka, ekspert i çështjeve sociale tha për “Faktoje” se në fakt me këtë ligj nuk ka një rritje reale të ndihmës ekonomike.

Nuk kemi rritje të ndihmës ekonomike, thjesht janë hequr disa nga skema. Këshilli Bashkiak nuk kishte asnjë autoritet më parë, nuk e kishte idenë e situatës së familjeve por edhe Shërbimi Social, jo domosdoshmërisht do ta bëjë më eficient ligjin. Nuk ka transparencë, askush nuk e di pse je skualifikuar. Janë disa indikatorë që janë bërë pjesë edhe e humorit si psh të paturit një TV apo biçiklete”, tha Sulka duke shtuar se ndihma ekonomike bëhet duke pasur parasysh disa objektiva që do të arrish, si për shembull zhdukja e varfërisë ekstreme.

Zihni Kore, ekspert për çështjet e fëmijëve thotë se problemi kryesor është që shteti shqiptar ende nuk ka përcaktuar një minimum jetik për qytetarët.

Me VKM-në e qeverisë së mëparshme thuhet se një fëmijë që shkollohet përfiton 900 lekë në muaj. Kjo VKM ka funksionuar deri sot. Nuk ka asnjë studim se si është llogaritur kjo shifër. Ligji duhet të bëjë vlerësimin e minimumit jetik, prej vitesh shteti nuk e ka bërë”, theksoi ai duke shtuar se sistemi retroaktiv që kemi, pra kur shteti pret që personat në nevojë të shkojnë vetë në zyrat e shtetit dhe të identifikohen, duhet të marrë fund.

Nga ana tjetër, Kosta Barjaba, akademik dhe ekspert i çështjeve sociale thotë se me ligjin e ri shmangen abuzuesit dhe ndihma ekonomike shkon tek persona që realisht kanë nevojë.

Ligji bën më shumë kujdes që ndihmën ekonomike ta përfitojnë ato familje që kanë vërtet nevojë. I bën procedurat më të thjeshta, heq kufirin maksimal, përfshin edhe personat që nuk përfitojnë pension. E bën më transparente formulën e llogaritjes”, thotë Barjaba duke shtuar se shteti është i detyruar t’i ofrojë punë personit me ndihmë ekonomike në një fazë të dytë.

Barjaba shtoi për “Faktoje” se disa prej mijëra familjeve që u hoqën nga skema e ndihmës ekonomike rreth dy vite më parë vegjetonin sipas tij prej influencave politike apo lokale dhe se me ligjin e ri ky model duhet të marrë fund.  Megjithatë ai pranon se prej tyre kishte edhe familje të hequra pa të drejtë nga skema e ndihmës ekonomike.

Tashmë, me ligjin e ndryshuar i takon Shërbimit Social Shtetëror të shkojë derë më derë, për të bërë verifikimin e familjeve në nevojë, një proces që do marrë kohën e vet pasi bëhet fjalë për 66 mijë përfitues. Ndaj për të folur realisht për rritje të ndihmës do të duhet ende të presim deri në përfundimin e këtij procesi.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img