Foto e një klase të boshatisur nga nxënësit po qarkullon në rrjet si të ishte nga një shkollë në Gaza. Verifikimi i Faktoje zbuloi se foto është nga viti 2021 dhe tregon një përkujtimore për të viktimat në bombardimin e një shkolle vajzash në Afganistan.

————————————–

Në rrjete sociale, përfshi edhe ato shqipfolëse, po shpërndahet foto e një gruaje duke qëndruar në mes të një klase bosh, mbi bankat e së cilës janë vendosur buqeta me lule, me pretendimin se ajo tregon një shkollë në Gaza pas sulmeve të fundit të Izraelit. 

Me anë të motorit të kërkimit TinEye, Faktoje zbuloi se foto e mësipërme është postuar në rrjet që në vitin 2021.

Foto e mësipërme nuk është shkrepur në Gaza, por në Kabul, Afganistan. 

Ajo tregon nënën e një vajze që u vra në bombardimin e shkollës së vajzave Sayed ul-Shuhada, në 8 maj 2021. Lulet nëpër bankat boshe janë një përkujtimore për 85 viktimat e bombardimit, shumica e të cilave ishin gra dhe vajza.

Sipas NPR, shpërthimi që dukej se shënjestronte specifikisht vajzat që frekuentonin këtë shkollë ndodhi pranë gardhit të shkollës pikërisht në momentin kur nxënëset po dilnin nga mësimi.

Sa i përket shkollave në Gaza, që prej deklarimit të luftës nga Izraeli, në 7 tetor, ato janë duke u përdorur si streha për persona nga zona të kërcënuara nga shënjestrimi i ushtrisë izraelite. 

Sipas OKB, më shumë se gjysma (51%) e shollave dhe institucioneve arsimore në Gaza janë dëmtuar nga sulmet e ushtrisë izraelite, ndërsa 625 mijë nxënës (100%) po privohen nga e drejta për t’u arsimuar si pasojë e kësaj situate.

Ndërkohë, mbi 11 mijë palestinezë janë vrarë që nga 7 tetori. Prej tyre, 4.609 janë fëmijë. Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) i tha Këshillit të Sigurisë në OKB se “mesatarisht, një fëmijë vritet në Gaza çdo 10 minuta”.