BallinaFaktometerE Pavërtetë‘Vit i ri, propagandë e vjetër’

‘Vit i ri, propagandë e vjetër’

‘Ky është buxheti pak a shumë dhe diçka tjetër, asnjë taksë nuk do të rritet. Asnjë!’, deklaronte kryeministri Edi Rama këtë fundvit, teksa prezantonte buxhetin e 2024 në Asamblenë e Zgjeruar të Partisë Socialiste, Fier. 

Por faktet flasin ndryshe. 

‘Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” i miratuar në 3 mujorin e parë të vitit 2023, ka parashikuar futjen në skemën e taksimit nga 1 janari i vitit 2024 të subjekteve që furnizojnë shërbime profesionale.’, parashikohet në buxhetin e këtij viti. 

Ndryshe nga sa propagandon kryeministri, e vërteta është se viti 2024 nisi me regjim të ri taksimi për 29 mijë biznese të vogla, që operojnë në fushën e shërbimeve. 

Nga 1 janari hyri në fuqi ligji i ri mbi të ardhurat që prek të gjithë të vetëpunësuarit, personat fizikë dhe tregtarë të shërbimeve të profesioneve të lira.

“Normalisht, taksë e re është. Nga pa taksa që ishin profesionet, tani pjesa më e madhe e tyre do të paguajnë deri në 23%”, argumenton profesor Sotiraq Dhamo.

Sipas ligjit të ri të tatimit mbi të ardhurat, shkalla e taksimit të të ardhurave për bizneset e vogla me xhiro deri në 14 milionë lekë në vit, është 15 për qind. Ndërsa, taksa për bizneset me xhiro vjetore mbi 14 milionë lekë, arrin në 23 për qind. 

“Në fund ata që do të paguajnë janë qytetarët, pasi çmimet do të rriten. Kostot e rritura, i vetëpunësuari, do t’i përcjellë tek produktet apo shërbimet që ofron”, paralajmëron eksperti për çështje fiskale, Eduard Gjokutaj.

Të njëjtin vlerësim ndan edhe edhe kontabilisti Sotiraq Dhamo.

“Të gjithë profesionistët kanë mbajtur këto çmime sepse kanë qënë të paktën katër vitet e fundit pa tatim. Dhe tani, patjetër që do rriten çmimet.”, pohon ai për Faktoje.

Veç rritjes së çmimeve, taksimi i profesionistëve të lirë sipas Gjokutaj, krijon shteg për informalitet si dhe i nxit profesonistët drejt largimit. 

“Kur s’i ke mbyllur shtigjet e evazionit do t’i detyrosh këto profesionistë të lirë të kalojnë në informalitet ose nga ana tjetër do t’i nxisësh për t’u larguar në vendet fqinje.”, thekson ai.

Ministria e Financave, thotë se regjimi i ri tatimor përfshin deri në 29 mijë biznese të profesioneve të lira. Në llogaritë e financave, rreth 90% e totalit të bizneseve të prekura (të ndarë sipas 3 kategorive, si: të vetëpunësuarit, personat fizikë dhe tregtarë) janë në fashën e të ardhurave vjetore deri në 14 milionë lekë në vit që do të thotë se do të paguajnë normë tatimi 15%. 

22 dhjetor 2023, në Fletoren Zyrtare u botua lista e detajuar për shërbimet e profesioneve të lira që përfshihen në taksimin e ri. Në të janë listuar 26 lloje aktivitetesh të ndarë në 180 profesione.

Qeveria parashikon të mbledhë 3 miliardë lekë më shumë të ardhura në buxhet nga kjo taksë. 

Përfundim 

Taksimi progresiv i profesionistëve të lirë do të hynte në fuqi një vit më parë. Por në janar të 2023, qeveria bëri një hap pas . E gjendur përballë kundërshtive të forta të rreth 17 mijë profesionistëve, në një vit zgjedhor si 2023, mazhoranca shtriu në kohë diskutimet për ligjin e ri të tatimit mbi të ardhurat, duke shtyrë taksimin e avokatëve, noterëve, kontabilistëve, audituesve e gjithë profesioneve të tjera të lira në janar të 2024. 

Nisur nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar, deklaratën e kryeministrit Edi Rama se në 2024 nuk do të rritet asnjë taksë, vendosëm ta kategorizojmë të Pavërtetë.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img