Fetah Sallliu
Të enjten, deputetët e grupit parlamentar të mazhorancës, anëtarë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale i kanë përcjellë kryetarëve të bashkive dhe këshillave bashkiakë propozimin e ri për Reformën Administrativo Territoriale, vetëm me firmën e tyre, pasi nuk u arrit konsensus me PD-në.
Në mbështetje të propozimit, u paraqit edhe një projektligj “Për ndarjen Administrative Territoriale të Njësive të Qeverisjes Vendore të Republikës së Shqipërisë”.
Referuar deklaratës zyrtare, ndarja e re territoriale sjell një reduktim të numrit të bashkive nga 61 në 46.
Ndryshimet u propozuan pas dëgjesave në 11 qarqe dhe konsultimeve me mbi 3 500 qytetarë, përfaqësues vendorë, përfaqësues të biznesit, universiteteve dhe shoqërisë civile.
Cilat janë ndryshimet?
Modeli që propozohet ruan bashkinë dhe njësinë e vetëqeverisjes vendore, me një kryetar, një këshill, një administratë dhe një buxhet të vetëm. Por sjell një risi. Krijon një nivel të ri organizimi vendor: “QYTETIN”. Kjo vjen si përgjigje ndaj kërkesave të ngritura gjatë dëgjesave, gjetjeve të raportit analitik të ekspertëve dhe nevojës për një model më të mirë përfaqësimi.
Modeli aktual “Bashki – Njësi Administrative” zëvendësohet me skemën “Bashki – Qytet – Njësi Administrative”.
28 Bashki do të konsolidohen dhe do të formohen 13 Bashki të reja.
Ndarja e re territoriale sipas propozimit të PS-së është: 12 qarqe, 46 Bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 Njësi Administrative. Por 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet në përbërje.
Bashkitë kanë afat 60 ditë që ta shqyrtojnë propozimin dhe ta konsultojnë me qytetarët.
15 Bashki më pak
Në dokument propozohet që të ketë 15 bashki më pak. Por më herët, kryetari i PD-së, Sali Berisha, është shprehur se Partia Socialiste ka parashikuar shkrirjen e 25 bashkive në vend, që rezulton e pavërtetë si deklaratë, sa i përket numrit të reduktuar.
“Edi Rama tërhiqet de facto nga reforma territoriale dhe mbyll procesin duke vazhduar projektin e tij të shpopullimit të plotë të mëtejshëm të Shqipërisë. Ka parashikuar reduktimin me 25 bashki nga Konispoli në Krumë në të gjithë territorin e vendit”, është shprehur Berisha.
Ndërkohë, sipas PS-së, “këto ndryshime vijnë si pasojë e dinamikave demografike, ekonomike dhe territoriale, ndërsa zhvillimi ndërmjet bashkive mbetet i pabarabartë”.
Ndërkohë, bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Territoriale, Luçiano Boçi ka reaguar ndaj hartës së re territoriale duke u shprehur se, “kjo hartë-draft është një thikë pas shpine ndaj qytetarëve dhe territorit të vendit”.
“Drafti është një produkt unilateral, i paraqitur nga PS pasi Komisioni ka mbyllur mandatin e tij, pa diskutim, debat apo miratim dhe pa një raport të përbashkët apo veçmas”, theksoi deputeti demokrat, Luçiano Boçi në reagimin e tij.
Cilat bashki?
Bashkia Fushë-Azzëz dhe Pukë do të bashkohet me Bashkinë e Pukës. Bashkia Kols do t’i bashakohet Bashkisë Mat.
Bashkia Rrogozhinë do t’i bashkohet Bashkisë Kavajë, Bashkitë Dimal dhe Polican do t’i bashkohen Bashkisë Berat, Bashkia Patos do t’i bashkohet Bashkisë Fier.
Bashkia Divjakë bashkisë Lushnje. Selenica bashkisë Vlorë, Maliqi Bashkisë Korcë, Këlcyra bashkisë Përmet, Memaliaj bashkisë Tepelenë, Libohova bashkisë Gjirokastër, Cërriku dhe Belshi bashkisë Elbasan dhe Prrenjasi bashkisë Librazhd.

Në hartën më poshtë mund të dallojmë kufinjtë e qarqeve dhe të bashkive.

Burimi: Projektligji “Për ndarjen Administrative Territoriale të Njësive të Qeverisjes Vendore të Republikës së Shqipërisë”.

Ekspertët
Sipas ekspertit për pushtetin vendor Agron Haxhimalit, “qasja e maxhorancës synon konsolidimin e mëtejshëm të territorit përmes një numri më të vogël bashkish, me argumentin se njësitë më të mëdha kanë kapacitete më të forta administrative dhe financiare. Kjo mund të rrisë efikasitetin organizativ, por njëkohësisht rrezikon të largojë vendimmarrjen dhe shërbimet nga qytetarët, veçanërisht në zonat rurale”.
“Qasja e opozitës parashikonte ruajtjen e 61 bashkive ekzistuese dhe riorganizimin e 312 njësive administrative mbi baza funksionale dhe demografike (rreth 5–7 mijë banorë) me synimin për ta afruar administratën dhe përfaqësimin më pranë komuniteteve”, thotë Agron Haxhimali për Faktoje.
Si ekspert Afrim Krasniqi thotë se: “procesi i parë i konsultimeve publike tregoi se nuk ka dakordësi brenda partive politike, as midis dy partive kryesore, as në nivelin e mazhorancës. Po kështu as midis partive të mëdha dhe partive të tjera, shoqatave e bashkive apo grupeve të tjera të interesit. Për më tepër dhomat e tregtisë, organizatat e biznesit, kategori të ndryshme sociale dhe komunitetet lokale kanë reaguar kundër kufizimit dhe shkrirjes së kompetencave të bashkive të tyre”
“Kriteret e vendosura nuk janë të qarta dhe nuk janë lehtësisht të interpretueshme. Koncepti i ndarjes territoriale nuk duhet të mbështetet vetëm te performanca aktuale e bashkive sepse kjo mund të lidhet edhe me cilësinë e drejtimit të tyre. Por duhet të mbështetet te dinamika e zhvillimit të Shqipërisë, te projektimi ekonomik i vendit dhe te vizioni se si do të jetë Shqipëria pas dy dekadash. Këto lloj studimesh dhe strategjish mungojnë. Për sa kohë që këta dy elementë mungojnë vendimmarrja do të udhëhiqet më shumë nga interesa elektorale ose informale”, shprehet Krasniqi për “Faktoje”






