Një trillim mbushja e detit me celularë pas fundosjes së anijes nga Irani

6

Pretendimi: Kjo video tregon vendas që vërshojnë në det për të marrë telefonat celularë pas përmbytjes së një anijeje me kontenierë në Ngushticën e Hormuzit

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

———————————————————————

Pas fundosjes së anijes me kontejnerë GFS Pride në ngushticën e Hormuzit më 13 tetor 2026, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një video që pretendohet se tregon iranianë që vërshojnë në det për të mbledhur telefona celularë.

GFS Pride është një anije me kontejnerë e regjistruar në Singapor. Sipas Autoritetit Detar të Singaporit, GFS Pride dhe GFS Giselle u goditën nga predha të paidentifikuara në ngushticën e Hormuzit më 13 dhe 14 tetor. Anija mori flakë dhe u mbyt, ndërsa 21 anëtarët e ekuipazhit u evakuuan pa lëndime.

Kapaciteti i ngarkesave të anijes ishte 2824 kontejnerë standardë, ndërsa raportohet se kishte mbi 2500 kontejnerë në bord në kohën e incidentit. 

Ndërsa mbytja e anijes është konfirmuar, nuk ka prova se anija kishte ngarkesa me telefona celularë. 

Gulf Neës raporton se përmbajtja e anijes nuk është konfirmuar, ashtu si kolegët iranianë të Factnameh nuk kanë gjetur asnjë provë të besueshme se mbante telefona celularë. Ekspertët e intervistuar nga BBC nuk e përjashtojnë plotësisht mundësinë, por e konsiderojnë atë shumë të pamundur, pasi telefonat zakonisht udhëtojnë nga ajri, jo nga deti.

Ndërkaq, ka tregues se video e mësipërme është krijuar duke përdorur programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Kutitë prej kartoni që lundrojnë mbi ujë pa u lagur, si dhe lëvizjet e panatyrshme të njerëzve, janë shembuj. Një person shfaqet fillimisht zbathur, e më pas ecën në ujë i mbathur me sandale. Për më tepër, deformimet në duart, gishtat dhe veshjet e njerëzve, si dhe zhdukja e papritur e objekteve në sfond, tregojnë se video është krijuar duke përdorur AI.

Ndërsa personi në sfond merr një kuti nga toka, kutitë dyfishohen duke u dukur sikur janë futur njëra brenda tjetrës.

Disa nga kutitë që personi po mbledh ndryshojnë papritur formë, ndërsa disa të tjera zhduken.