BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashPërkundër akuzave, Arnold Schwarzeneger mbështet një shtet palestinez

Përkundër akuzave, Arnold Schwarzeneger mbështet një shtet palestinez

Aktori Arnold Schwarzeneger është shprehur se Palestina ka të drejtë të ketë vendin e saj dhe nuk ka përdorur gjuhë urrejtje ndaj këtij populli, siç pretendohet në artikuj të shpërndarë. Në intervistën e dhënë në tetor të këtij viti, ylli i Terminatorit ka folur edhe në lidhje me konfliktin Izrael-Palestinë.

Artikuj të shpërndarë në portale kanë publikuar një listë të personazheve të famshëm që janë pro izraelit dhe që konsiderohet në këtë mënyrë se “mbështetin vrasjen e palestinezëve”. Artikujt të tillë janë në vazhdën e disa thirrjeve për bojkot ndaj kompanive të biznesit dhe figurave publike që janë etiketuar si bashkëfajtorë për atë që po ndodh në Gaza.

Kush janë emra të njohur të Hollivudit që mbështesin Izraelin?”- titullohet një artikull i publikuar në 25 dhjetor në portalin “Te sheshi”, duke përmendur mes disa aktorëve që kanë qënë pjesë e fushatave pro-Izrael, edhe aktorin dhe më pas ish-governatorin e shtetit të Kalifornisë, Arnold Schwarzeneger.

Artikujt e shpërndarë në portale

Ndër të tjera, më tej në shkrim thuhet: “Janë këto emra për t’u mbajtur mend për atë të nesërme kur krahasimisht, ngjajnë me ata që dekada më parë mbështesnin nazizmin, duke e patur vite më pas një njollë në ndërgjegje. Vlen kjo jo vetëm për ata, por dhe për shtete e liderë që sot rreshtohen me shtetin genocidal hebre”.

Por, çfarë ka deklaruar aktori i njohur në lidhje me Palestinën? Kundër tij është rreshtuar fakti që ka marrë pjesë në mbrëmje për mbledhje fondesh të organizatave hebreje, por gjithashtu që ka mbështetur dhe vizituar në mënyrë aktive familjet e pengjeve izraelite.

Megjithatë, aktori i shndërruar në një politikan në ShBA, nuk është kufizuar që të mbështesë çështjen palestineze në angazhimet e tij publike.

Në një intervistë të dhënë në tetor të këtij viti, Arnold Schwarzeneger është shprehur ndër të tjera edhe në lidhje me konfliktin Palestinë-izrael. Në asnjë moment, ai nuk ka shprehur gjuhë urrejtje ndaj popullit palestinez, por përkundrazi, ka deklaruar se ata kanë të drejtë të kenë vendin e tyre.

“Palestina ka të drejtë të jetojë, ka të drejtë të ketë vendin e saj dhe ata (Izraeli dhe Palestina) duhet të mësojnë si të jetojnë pranë njëri-tjetrit. Është kaq e thjeshtë. Unë mendoj se është dështim i lidershipit nga të dyja palët, përfshirë edhe Amerikën, që nuk ka mundur t’i sjellë ata së bashku.

Për shkak të dështimit të politikës, ushtarët duhet të vdesin duke luftuar në ato beteja, sepse marrëveshja nuk është arritur. Njerëz të pafajshëm duhet të vdesin, për shkak të kësaj, fëmijë duhet të vdesin. E gjithë kjo vjen për shkak të mungesës së komunikimit dhe pamundësisë për të negociuar”, deklaroi aktori. (minuta e 21 në video)

Më tej ai shtoi se: “Gjatë negociatave nuk mund të presësh gjithmonë 10, por duhet të presësh një 7 ose 8, por jo 10, sepse 10 nuk funksionon për të dyja palët. Gjëja më e drejtë është që ata të njohin njëri-tjetrin. Që Palestina ka të drejtë të jetojë, po ashtu edhe Izraeli”.

Arnold Schwarzeneger është djali i një ish-ushtari nazist dhe në disa intervista ai ka folur për raportin me të, duke e cilësuar tiran dhe abuzues.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img