Ura e Bahçallëkut shtyhet për në fund të vitit, ARRSH: 81% e punimeve të realizuara

Në tetor 2024, ARRSH hapi procedurën e prokurimit për ndërtimin e urës së re dhe zgjerimin e segmentit rrugor.

2

Në vjeshtën e vitit 2024, kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, njoftoi se qyteti do të përfitonte nga një investim prej 10 milionë eurosh për dublimin e Urës së Bahçallëkut dhe zgjerimin e rrugës deri te Harku i Bërdicës. 

Projekti synon të përmirësojë hyrjen dhe daljen nga qyteti, të lehtësojë qarkullimin e automjeteve dhe të rrisë sigurinë rrugore në një prej akseve kryesore të Shkodrës.

Në tetor 2024, Autoriteti Rrugor Shqiptar hapi procedurën e prokurimit për ndërtimin e urës së re dhe zgjerimin e segmentit rrugor. 

Një muaj më pas, procedura u përmbyll me shpalljen fitues të bashkimit të operatorëve ekonomikë “KUPA” sh.p.k., “AL ASFALT” sh.p.k. dhe “SIRETA 2F” sh.p.k.

Punimet nisën në dhjetor 2024 dhe, sipas afatit fillestar kontraktor, duhej të përfundonin në qershor 2026. 

Afati shtyhet deri më 23 dhjetor 2026

Që prej nisjes së tyre, kryebashkiaku Beci ka publikuar herë pas here ecurinë e projektit në rrjetet sociale. 

Megjithatë, për detaje më të plota rreth projektit, bashkia na delegoi tek Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Në përgjigjen zyrtare për Faktoje.al, ARRSH bën të ditur se realizimi fizik i punimeve ka arritur në 81%. 

Sipas institucionit, Këshilli Teknik i ARRSH-së ka vendosur shtyrjen e afatit të punimeve deri më 23 dhjetor 2026. 

Shkaku kryesor i deklaruar është rishikimi i projektit pas kërkesës së Bashkisë Shkodër për shtimin e një rrethrrotullimi të ri.

“Arsyet e shtyrjes së afatit të punimeve janë kërkesa të Bashkisë Shkodër për shtimin e një rrethrrotullimi, për të cilat u rishikua projekti, si dhe shkalla e lartë e vështirësisë së ndërtimit të urës për shkak të nivelit të lartë të ujërave të kaskadës së Drinit”, sqaron ARRSH për Faktoje.al.

Sipas institucionit, vlera e punimeve të realizuara deri tani është 892.719.889 lekë, e barabartë me 81% të projektit. Ndërkohë, punimet e certifikuara arrijnë në 555.755.739 lekë, ose 56%.

Sipas ARRSH-së, punimet për ndërtimin e urës dhe elementeve të mbikalimit të këmbësorëve janë ende në proces.

Projekti parashikon gjithashtu përmirësimin e organizimit të trafikut dhe elemente të tjera të sigurisë rrugore, përfshirë ndriçimin urban. 

Punimet vijojnë në terren

Gjatë verifikimit në terren, Faktoje konstatoi më 2 tetor se punimet në zonën e Urës së Bahçallëkut vijonin me praninë e një numri të konsiderueshëm punonjësish, të angazhuar në ndërhyrjet e mbetura të projektit. 

Kantieri ishte aktiv, ndërsa puna vazhdonte si në zonën e urës, ashtu edhe në segmentet rrugore përreth. 

Pamja në terren përputhet me përgjigjen e ARRSH-së, sipas së cilës projekti ka arritur në 81% të realizimit fizik, por ndërtimi i urës dhe disa elemente të tjera ende nuk kanë përfunduar.

Përfundim

Nisur nga verifikimi në terren dhe informacionet e mbledhura, premtimi i kryebashkiakut Benet Beci për investimin 10 milionë euro nga Harku i Bërdicës deri tek Ura e Bahçallëkut, deri më tani mbetet pjesërisht i mbajtur.

Faktoje.al, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), po monitoron 10 bashki në vend, duke verifikuar mbajtjen ose jo të premtimeve të dhëna nga kryebashkiakët.

Artikulli paraprakNjë trillim mbushja e detit me celularë pas fundosjes së anijes nga Irani
Megi Iskurti
Megi Iskurti ka përfunduar studimet bachelor në Shkenca Komunikimi/Gazetari dhe masterin shkencor në Marrëdhënie Ndërkombëtare. Është vlerësuar me certifikatë ekselence si studentja me rezultatet më të larta akademike në Departamentin e Gazetarisë në Kolegjin Universitar “Bedër”. Ka pesë vite përvojë në median online Gazeta Si, ku ka mbuluar kryesisht çështje të ekonomisë dhe gjeopolitikës. Në Faktoje.al merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Është gjithashtu fituese e disa çmimeve të para në konkurse të eseistikës, të folurit publik dhe në konferenca studentore.