Pretendimi: Ky imazh tregon një pronar librarie mes protestave studentore në Francë në tetor 2026, i cili fton grabitësit të hyjnë brenda, ndërsa qëndron i qetë në librari, por askush nuk guxon të futet.
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
————————————————————————
Ndërsa protestat studentore dhe trazirat në Francë vijojnë, një imazh që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon (arkivuar këtu) një pronar librarie, i cili fton grabitësit të hyjnë brenda, ndërsa qëndron i qetë në librari, por askush nuk guxon të futet.

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se imazhi i mësipërm është shkëputur nga një video e postuar fillimisht nga një llogari e etiketuar si “profil i gjeneruar nga AI” dhe e përshkruar si “djali i memeve me AI.”

Për më tepër, video shfaq difekte logjike të zakonshme për përmbajtjet e gjeneruara. Vërehet se xhami i një dyqani të thyer ruan grafitet dhe gërvishtjet, pavarësisht se është shkatërruar.

Mbishkrimi i librarisë në video duket se thotë “Obrne”, por një kërkim në Google Maps tregon se në Francë nuk ka asnjë librari me atë emër.
Kontaktuar nga AFP, llogaria pranoi se kishte “krijuar videon duke përdorur inteligjencën artificiale. Ajo u gjenerua tërësisht përmes inteligjencës artificiale.”
Libraritë u dëmtuan ose u plaçkitën gjithashtu gjatë trazirave që shoqëruan protestat mbarëkombëtare më 17 tetor 2026.
Revista franceze e botimeve Livres Hebdo raportoi më 19 tetor se libraria për fëmijë La Belle Lurette në Paris u vandalizua, ndërsa libraria e specializuar në manga, Momie Manga në Grenoble, u plaçkit dhe u shkatërrua. Edhe libraria e librave komikë À Pleins Rêves në Nantes raportoi vjedhje, ndërsa vitrina e librarisë Librairie du Monde Entier në Strasburg u dëmtua, sipas mediave vendase.
Sindikata Franceze e Librarëve (SLF) njoftoi se ka filluar vlerësimi i dëmeve të pësuara nga libraritë gjatë trazirave të datave 17 dhe 18 tetor.






