BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëVenddepozitimi i mbetjeve urbane në Peshkopi nuk është mbyllur!

Venddepozitimi i mbetjeve urbane në Peshkopi nuk është mbyllur!

Bashkia e Dibrës nuk ka nisur ende rehabilitimin dhe mbylljen përfundimtare të venddepozitimit të mbetjeve urbane në Peshkopi. Ndonëse e ka përfshirë në listën e prioriteteve të këtij viti, bashkia ende nuk ka gjetur financim, ndërkohë që pohon për Faktoje se po punon për të përfunduar projektin teknik dhe financiar për fushën e mbetjeve.

“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) ka nisur një projekt monitorimi në 15 bashkitë kryesore të vendit, me qëllim verifikimin e premtimeve të dhëna nga kryebashkiakët. Dibra është një prej bashkive të përzgjedhura për monitorim. Por për të mësuar premtimet e Kryetarit të Bashkisë së Dibrës, Rahim Spahiu, na u desh t’i drejtonim një kërkesë për informacion koordinatorit për të drejtën e informimit pranë bashkisë Dibër. Zoti Spahiu është treguar i kujdesshëm që në daljet e tij publike si edhe në rrjete sociale të mos japë premtime konkrete.

Kërkesa për informacion në Bashkinë Dibër, 20 shtator 2022

Më 26 shtator, Bashkia e Dibrës na u përgjigj duke listuar prioritetet e investimeve për këtë vit. Një prej tyre ishte: “Rehabilitimi dhe mbyllja përfundimtare e venddepozitimit të mbetjeve urbane Peshkopi, duke e shndërruar në një vend rekreativ për të gjitha grupmoshat.”

Përgjigja e Bashkisë Dibër, 26 shtator 2022

Për shkak të rëndësisë dhe interesit të lartë publik që ka kjo çështje ne vendosëm ta verifikonim në terren.

Fusha e mbetjeve të ngurta, Peshkopi ( 3 tetor 2022)

 

Faktoje ishte në Peshkopi më 3 tetor, ku pamë nga afër nëse kishte nisur puna për rehabilitimin dhe mbylljen përfundimtare të venddepozitimit të mbetjeve urbane. Fusha e mbetjeve të ngurta ndodhej në dalje të lagjes Dobrovë, përgjatë unazës së qytetit të Peshkopisë. Gjatë verifikimit në terren konstatuam se bashkia ende nuk ka nisur punën për këtë investim. Të vetmit persona që takuam në fushën e mbetjeve të ngurta ishin dy qytetarë që prej vitesh grumbullonin kanaçe në këtë vend. Në një bisedë informale ata na pohuan se gjatë këtij viti nuk kanë hasur asnjë punim apo ndërhyrje në këtë venddepozitim.

Fusha e mbetjeve të ngurta, Peshkopi ( 3 tetor 2022)

Rehabilitimi i fundit në këtë fushë i takon shtatorit të vitit 2017. Referuar tabelës informuese në hyrje të fushës së mbetjeve, ndërhyrja është mundësuar me mbështetje financiare të programit për decentralizimin dhe zhvillimin vendor, zbatuar nga Heivetas Albania.

Fusha e mbetjeve të ngurta, Peshkopi ( 3 tetor 2022)

Ndërkohë, para se të niseshim për verifikimin në terren, më 30 shtator Faktoje iu drejtua me një tjetër kërkesë për informacion Bashkisë së Dibrës për të mësuar se në çfarë faze ishte investimi për rehabiliitmin dhe mbylljen përfundimtare të venddepozitimit të mbetjeve urbane në Peshkopi.

Kërkesa për informacion në Bashkinë Dibër, 30 shtator 2022

Në përgjigjen e dërguar më 4 tetor, Bashkia e Dibrës sqaron se ende nuk ka gjetur financim për këtë investim, ndërkohë që është në fazën e përgatitjes së projektit teknik dhe financiar.

“Jemi në fazën e përgatitjes së projektit tektnik dhe financiar për mbylljen e venddepozitimit të mbetjeve urbane Peshkopi. Ky projekt duhet të përfundojë deri në 31.12.2022, dhe të shikohet mundësia për financim.”

Përgjigja e Bashkisë Dibër, 4 tetor 2022

Një tjetër problematikë që hasëm në vendgrumbullimin e mbetjeve në Peshkopi ishte dhe prania e mbetjeve shtazore apo mbetjeve të tjera të rrezikshme. Ndonëse në hyrje të fushës së mbetjeve të ngurta ishin të vendosura dy tabela që e ndalonin hedhjen e këtyre mbeturinave, atje hidhej gjithçka.

Fusha e mbetjeve të ngurta, Peshkopi ( 3 tetor 2022)

Banorët e zonës thanë për Faktoje se kjo ishte e vetmja hapësirë për mbledhjen e mbetjeve në Peshkopi. Ndonëse venddepozitimi është i përcaktuar për mbetjet e ngurta, e vërteta është që bashkia s’ka asnjë vend tjetër që të bëjë ndarjen e tyre.

Nisur nga verifikimi në terren, premtimin për “Rehabilitimi dhe mbylljen përfundimtare të venddepozitimit të mbetjeve urbane Peshkopi” do ta kategorizojmë si Të Pambajtur.

 “Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img