BallinaFaktometerE PavërtetëRimbursimi i fishave të diabetit për pensionistët, një premtim i pambajtur

Rimbursimi i fishave të diabetit për pensionistët, një premtim i pambajtur

Lajmi i publikuar disa ditë më parë nga portalet mbi rimbursimin e fishave të diabetit për pensionistët, në fakt i përket muajit prill. “Faktoje” verifikoi jo vetëm pasaktësinë e portaleve në riciklimin e këtij premtimi të vjetër, por edhe faktin se rimbursimi i fishave të diabetit nuk ofrohet ende.

————————————————————————————————————-

Në një artikull që mban datën 29 shtator, portali web.knews899.com njofton për një vendim të rëndësishëm të qeverisë në lidhje me pensionistët. “E Kryen Rama! Qeveria Shqiptare Jep Lajmin E Mirë Për Pensionistët: Do Të Zgjerojmë…”, shkruan portali.

Që në titull, kjo media online e bën fakt që zotimi i ndërmarrë është ‘kryer nga Rama’ dhe lajmi i artikullit ilustrohet me foton e kryeministrit dhe disa kartëmonedha 5 mijë lekëshe mbi të. Përveçse ka gabime drejtëshkrimore, titulli i shkrimit përpiqet të manipulojë lexuesit, duke lënë mister se për çfarë ‘lajmi të madh’ bëhet fjalë konkretisht. Përdorimi i parave si foto kryesore në një artikull tërheq lexuesit dhe kjo është bërë me qëllim nga portali për të marrë sa më shumë klikime.

Të gjithë këto elementë vënë në dyshim vërtetësinë e artikullit dhe ndaj “Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të tij. Nga një kërkim i thjeshtë rezulton se deklarata është bërë në muajin prill të këtij viti dhe jo në shtator. Veç kësaj, citimi i përdorur në tekst nga portali është i ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ndërsa portali ia ofron si informacion publikut si një deklaratë të qeverisë Rama, shoqëruar me foton e kryeministrit.

E vendosur në një kontekst tjetër kohor, lajmi dizinformon lexuesit, të cilët mund t’u drejtohen farmacive apo mjekëve të familjes duke kërkuar që të marrin falas fishat e diabetit.

Përtej këtij riciklimi të portalit, “Faktoje” verifikoi më tej nëse ky zotim i muajit prill në lidhje me ofrimin falas të fishave të diabetit për moshën e tretë është realizuar.

Pensionistët dhe farmacistët, të cilët kontaktuam, konfimojnë se deri më tani fishat e diabetit nuk janë rimbursuar nga qeveria. “Fishat kanë çmime të ndryshme. Kemi pako me 50 copë që kushtojnë 1.800 lekë të reja dhe ka pako të tjera, që kanë po 50 copë dhe kushtojnë 2.600 lekë. Nuk janë rimbursuar fishat e diabetit për të moshuarit”, bën të ditur një farmaciste në kryeqytet.

Ky fakt konfirmohet edhe nga disa pensionistë, të cilët kanë nevojë për 2-3 fisha në ditë dhe detyrohen të paguajnë një kosto prej 30-50 lekë për çdo fishë diabeti që u nevojitet.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img