BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookAsnjë rrezik nga kimioterapia dhe radioterapia për trajtimin e tumoreve

Asnjë rrezik nga kimioterapia dhe radioterapia për trajtimin e tumoreve

Faqja e Facebook e Ruzhdi Metalit, një i vetëquajtur ‘mjek alternativ’, ka shpërndarë një shkrim të ish-doktorit gjerman Ryke Geerd Hamer që pretendon se “njerëzit nuk vdesin nga kanceri, por nga kimioterapia”. “Faktoje” përgënjeshtron këtë pretendim të rrezikshëm duke u konsultuar me literaturën shkencore dhe me ekspertë mjekësorë.

Patris Pustina

Ruzhdi Metali, faqja e të cilit ka mbi 40 mijë ndjekës në Facebook, pretendon se shëron “çdo lloj kanceri, si dhe kancerin e lëkurës, diabetin 1 dhe 2, dhe tuberkulozin”

Në 2017, ky person është denoncuar në emisionin investigativ “Fiks Fare” si dhe akuzuar më për mashtrim me kurat popullore. Qytetarë ishin ankuar se, si pasojë e këshillave të këtij mjeku, dy persona kishin ndërruar jetë. Sipas tyre, në këmbim të ‘kurës për kancerin’, shëruesi u kishte kërkuar qytetarëve shuma me mijëra euro.

Pavarësisht këtyre denoncimeve, ka ende shumë pacientë të dëshpëruar që vazhdojnë të shpresojnë të gjejnë shpëtim në trajtimet “çudibërëse” të tij. Më 22 gusht 2022, Metali shpërndau në faqen e tij të Facebook një shkrim të një tjetër doktori të akuzuar për neglizhencë profesionale, Ryke Geerd Hamer, që paralajmëron se kimioterapia është më e rrezikshme se kanceri. 

Hamer është ‘babai’ i një sistemi pseudo-mjekësor që pretendon se kuron kancerin, të quajtur Mjekësia e Re Gjermanike (GNM). Hamer pretendonte se kjo metodë e re ishte një alternativë ndaj mjekësisë klinike ‘mainstream’, që sipas tij ishte pjesë e një komploti hebre për të shfarosur jo-hebrenjtë.

Hamer iu hoq licensa mjekësore në 1986 për neglizhencë mjekësore. Ai ka qenë në burg për një vit në Gjermani, dhe një vit e gjysëm në Francë për mashtrim. 

“Faktoje” u konsultua me një ekspert për të sqaruar më tej pretendimin se kimioterapia dhe radioterapia janë ato që vrasin, dhe jo kanceri. Më konkretisht, Dr. Orges Spahiu, Shef i Njësisë së Radioterapisë pranë Shërbimit Onkologjik, QSUT, na konfirmoi se: “Trajtimet e bazuara tek evidencat shkencore janë ato që sigurojnë trajtimin efektiv te kancerit. Avancimet e shkencës në fushën e Radioterapisë, Kimioterapisë dhe Kirurgjisë kanë siguruar sot një shërueshmëri të konsiderueshme që për disa lloje tumoresh arrin deri në 99% në varësi dhe të stadit të sëmundjes”. 

Doktor Spahiu thotë gjithashtu se dy terapitë kryesore të provuara shkencërisht dhe të çertifikuara ndërkombëtarisht për të luftuar tumoret janë radioterapia dhe kimioterapia. E para përdor rrezatime me energji të ndryshme për të eleminuar qelizat tumorale, duke shmangur në maksimum indet dhe organet e shëndosha përreth. Ndërsa kimioterapia konsiston në barna antitumorale, të cilat nëpërmjet gjakut udhëtojne në gjithë trupin duke luftuar qelizat kanceroze.

Në fund, doktori nuk harron këshillën kryesore për të gjithë lexuesit: “Drejtohuni tek mjeku për çdo shqetësim apo dyshim që keni, dhe mos u beni pre e alternativave të gënjeshtërta. Kurat e kësaj sëmundje janë vetëm ato të provuara shkencërisht”. 

Megjithëse këto ‘metoda alternative’ mjekësore mund të jenë ngushëlluese për disa pacientë të prekur nga kanceri apo familjarët e tyre, të cilëve i ofrohet një rrugëzgjidhje e lehtë për një sëmundje aq të komplikuar sa tumori, në realitet, pasojat e këtyre veprimeve mund të jenë vdekjeprurëse.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img