BallinaPertejVëmendja e munguar ndaj njerëzve që nuk dëgjojnë dhe që nuk flasin

Vëmendja e munguar ndaj njerëzve që nuk dëgjojnë dhe që nuk flasin

INVA HASANALIAJ

Unë kam lindur si fëmijë me dëgjim të plotë dhe në moshën 2 vjeç e gjysmë e humba dëgjimin, edukatorja në çerdhe më ka rrëzuar...’’

Kështu e nis rrëfimin Florjan Rojba, drejtor ekzekutiv i Shoqatës Kombëtare Shqiptare e njerëzve që nuk Dëgjojnë (ANAD) ndërsa e pyesim për një sërë çështjesh rreth këtij komuniteti. Por ashtu si Flori ka shumë të tjerë. Sot ka shumë fëmijë që lindin me problemin e dëgjimit apo të tjerë që e humbasin gjatë jetës. A ka të dhëna për të tilla raste? A dinë prindërit ku të adresohen? Sa mundësi integrimi kanë anëtarët e këtij komuniteti? Po për arsimimin e tyre c’mund të thuhet?

Nga këto problematika të ngritura edhe nga qytetarë të ndryshëm por edhe të tjera, “Faktoje” u përpoq të mësonte më tepër lidhur me to dhe mësoi fillimisht se për këtë komunitet ekziston vetëm një shkollë për arsimin e fëmijëve që nuk dëgjojnë dhe ajo ndodhet në Tiranë.

Një ndër shqetësimet e ngritura nga qytetarët kishte të bënte me faktin e mungesës së shkollave të tilla në qytete dhe rrethe të tjera në vend, të cilat janë zëvendësuar nga qendra ditore, fetare apo OJF të ndryshme të paspecializuara për t’u marrë me këtë kategori fëmijësh.

Një pjesë e prindërve të këtyre fëmijëve në pamundësi për t’i dërguar fëmijët në Tiranë, nuk gjejnë zgjidhje tjetër përveç këtyre qendrave të cilat më shumë sesa i ndihmojnë fëmijët duket se i ngadalësojnë në procesin e avancimit.

Mungesa e specialistëve që merren me fëmijët që nuk dëgjojnë dhe nuk flasin i dëmton fëmijët më tepër sesa i bën ata të integrohen në jetën e përditshme. Një gjë e tillë na u konfirmua edhe nga nëndrejtori i shkollës për fëmijët që nuk dëgjojnë në Tiranë. Tahir Demko, tregoi për “Faktoje” se stafi që punon me fëmijët në këtë shkollë është stafi më i kualifikuar dhe me i certifikuar por nuk është i tillë stafi në qendrat e sipërpërmendura. Sipas tij këta fëmijë kërkojnë specifikisht mësues të gjuhës së shenjave për t’u integruar, mundësi që nuk u ofrohet fëmijëve që nuk dëgjojnë në qendra të tjera.

Edhe Florjan Rojba konfirmoi në komunikimin që patëm me të, se ka mungesë të interpretëve të gjuhës se shenjave.

Nisur nga këto informacione, ne dërguam një kërkesë për informacion në Ministrinë e Shëndetësisë për ta pyetur në lidhje me të dhënat që ky institucion disponon përsa i përket numrit të qendrave ditore që trajtojnë apo mirëpresin këta fëmijë. Përgjigja që na erdhi ishte si më poshtë vijon:

Gjithashtu kërkuam informacion mbi numrin e saktë të personave që nuk dëgjojnë dhe nuk flasin në Shqipëri, por për këtë kërkesë nuk kemi ende një përgjigje.

Mungesa e një regjistri të dhënash për këtë komunitet është një shqetësim që është ngritur edhe nga Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës Kombëtare Shqiptare të njerzve që nuk dëgjojnë Florjan Rojba i cili na shpjegoi se Shqipëria ende nuk ka një informacion të saktë për këtë komunitet, madje nuk ka një protokoll të qartë në lidhje me fëmijët që nuk dëgjojnë.

Duke folur për arsimin, Rojba vë theksin tek fakti se për këtë komunitet jo vetëm që ka një shkollë të vetme në mbarë vendin (Instituti i nxënësve që nuk dëgjojnë në Tiranë) por  nxjerr në pah problematikën së për këtë komunitet ekziston vetëm arsimi 9-vjeçar.

Të tilla mangësi flasin qartë për pengesa që hasin anëtarë të këtij komuniteti duke u pamundësuar atyre arsimimin njësoj si të rinjtë e tjerë dhe që më pas u krijojnë vështirësi edhe për integrimin në tregun e punës. Në këtë aspekt, Rojba tregon se anëtarët e këtij komuniteti mund të kualifikohen vetëm në 3 zanate që u mësohen atyre në sistemin arsimor 9-vjeçar që janë; këpucaria, rrobaqepësia dhe zdrukthtaria.

Sipas drejtorit ekzekutiv të shoqatës ANAD, praktikat ose politikat sociale në vende të tjera jo vetëm që shfaqin dhe flasin për një përkujdesje të veçantë për këtë kategori njerëzish e në veçanti për fëmijët që lindin me probleme në dëgjim, por mundësojnë edhe mbështetje për prindërit dhe programe orientuese për ta.

Jashtë vendit, prindërit që lindin fëmijë që nuk dëgjon, munden të indetifikojnë që në fazat e para të foshnjërisë këtë lloj problematike dhe ata marrin shumë informacione nga mjekët specialistë. Ata orientohen më pas për arsimimin që duhet të ndjekin fëmijët e tyre, për shërbimet specifike që duhet të marin dhe gjithashtu trajnohen nga shteti për gjuhën e shenjave, gjë që lehtëson shumë komunikimim prindër – fëmijë’’- tregon Flori.

Për të kuptuar më shumë për anën mjekësore të problemit të mosdëgjimit, “Faktoje’’ bisedoi edhe mjeken ORL Anjeze Kuci e cila përballet çdo ditë në punën e saj me fëmijë që nuk dëgjojnë. Sipas Dr. Kucit statistikat e fundit tregojnë se dy në tre raste në 1000 lindje  janë fëmijë që lindin me probleme me dëgjimin. Megjithatë ajo pohon se ka një regjistër të dhënash për të gjithë fëmijët që lindin me këtë veçori.

Sipas Kucit humbja e dëgjimit mund të jetë e lindur ose e fituar ndaj prindërit duhet të jenë të kujdesshëm kur vërejnë se fëmijët hasin probleme me dëgjimin.

Kemi pasur raste kur problemet me dëgjimin nuk kanë qenë të lindura por të fituara gjatë jetës. Prindi nuk e ka kuptuar që fëmija i vet nuk dëgjon dhe mund të na jetë paraqitur në moshën gjashtë vjeç kur fëmija as nuk dëgjonte dhe as nuk fliste. Ne e kemi kuruar për mosdëgjim por fëmija nuk ka mundur të flasë sepse që një fëmijë të flasë, duhet fillimisht të dëgjojë“- shpejgon mjekja ORL.

Ajo dërgon një mesazh për të gjithë prindërit e fëmijëve të cilët shfaqin probleme me dëgjimin duke u thënë që në të tilla konstatime, të paraqiten menjëherë te mjeku ORL sepse sa më shpejt të kapet problemi aq më shpejt do të vijë edhe zgjidhja.

……………………………………………………………………………………………………………………………..

Shpesh jeta është e bukur pikërisht për diversitetin që të ofron, për bashkëjetesën me njerëz të ndryshëm në karakter dhe jo vetëm, për mundësinë që të jep për të komunikuar me persona të ndryshëm apo për motivimin që merr teksa njihesh me njerëz që përcjellin vlera e virtyte.

Mjaftueshëm pozitivitet morëm teksa paktëm mundësinë të komunikonim me Florin, i cili në rrëfeu pak nga jeta e tij dhe disa nga problematikat me të cilat përballet ky komunitet në vendin tonë.

Komuniteti i njerëzve që nuk dëgjojnë dhe nuk flasin është një ndër komunitetet që kërkon vëmendje të vazhdueshme për t’u krijuar atyre kushte sa më të favorshme për një jetesë më të mirë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img