BallinaPertejShitjet në dyqane vs shitjeve online, konkurrencë e pandershme

Shitjet në dyqane vs shitjeve online, konkurrencë e pandershme

ANXHELA RUÇI

Silvana. M prej 16 vitesh është e vetëpunësuar në biznesin e saj të vogël në një nga qytetet periferike në jug të Shqipërisë, punë me të cilën mban familjen e saj prej katër personash. Sot pas shumë vitesh eksperiencë në tregtinë e veshjeve ajo tregon për “Faktoje” se shitjet online, i kanë rrezikuar asaj mbijetesën në tregun e punës, konstatim që Silvana e argumenton me faktin e konkurrencës së pandershme të shumë bizneseve online të cilat janë të paregjistruara e kësisoj shmangin taksat dhe detyrimet që sipas saj janë të shumta.

Shpenzimet e përmuajshme të Silvanës janë qeraja e dyqanit që së bashku me pagesën e energjisë elektrike, të ujit, rojes private e të tjera shërbime, arrijnë shifrën e 400 mijë lekëve (të vjetra). Por ajo tregon se ka dhe shpenzime të tjera vjetore të detyrueshme siç janë sigurimet shoqërore (860 mijë lekë), taksat e bashkisë (180 mijë lekë), ekonomisti (365 mijë lekë) apo kolaudimi i kasës(75 mijë lekë) që ajo i paguan rregullisht.

Çdo ditë që Silvana hap derën e dyqanit, ditën e punës e nis me minus (–) 17 mijë lekë shpenzime të cilat i ka detyrim çdo biznes i rregullt që operon në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht faktit që këto shpenzime mund të jenë më të ulta apo më të larta në varësi të biznesit.

Përtej shpenzimeve të një biznesi në Shqipëri, një nga problemet kryesore që ngrihet nga shumë biznesmenë/e është konkurrenca që ata e konsiderojnë të pandershme nga shitjet online.

Shumëkush që ka një llogari në rrjetet sociale shikon pa fund reklama të produkteve nga më të ndryshmet dhe nëse i porosit (i blen online), të mundësohet dërgimi i menjëhershëm të produktit në adresën respektive. “Faktoje” bëri një provë duke porositur online disa produkte të ndryshme për të parë nëse ata zbatonin një nga detyrimet ligjore siç është pajisja e klientit me kupon tatimor në momentin që dorëzohet malli i blerë online. Në të gjitha rastet që ne testuam, asnjë nga bizneset që operonte online nuk kishte vensosur së bashku me produktin edhe kuponin tatimor i cili tregon se ky biznes ka kryer një transaksion financiar.

Eksperti i taksave Bujar Bendo tha për “Faktoje” se bizneset e paregjistruara janë një problem serioz dhe krahas kontrolleve nga administrata, nevojitet që edhe blerësit të ushtrojnë presion ndaj shitësve online për pajisjen me kupon tatimor.

Padyshim që shitjet e kryera nga operatorë të paregjistruar dëmtojnë rregullat e tregut, deformojnë e nxisin informalitetin. Në këtë drejtim po ashtu mbetet në vëmendje edhe detyrimi i tyre për të lëshuar kuponë tatimor për çdo shitje me para në dorë. Ështe shumë e vështire per t’u mbikqyrur nga administrata fiskale procesi, prandaj në këtë aspekt ia vlen të investohet edhe në drejtim të rritjes së interesit të blerësve për të kërkuar gjithmonë kupon tatimor në blerjet e tyre, pra që ato të kuptojnë që detyrimi në fjalë është i njëjtë sikur ato të blinin në një dyqan fizikisht prezent”- shpjegon Bendo.

Në një komunikim jozyrtar që ne patëm me një nga inspektorët tatimorë që operojnë në Tiranë pyetur nëse kryejnë kontrolle në bizneset që operojnë online, ai na u përgjigj se puna e përditshme e tyre është me bizneset që operojnë fizikisht dhe janë lehtësisht të identifikueshëm, ndërsa për bizneset online ai tregon se shumë herë janë të paidentifikueshme, ndaj dhe kontrolli i tyre është pothuajse i parealizueshëm.

E njëjta pyetje për kontrollin e bizneseve online, iu adresua edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Në përgjigjen zyrtare të DPT-së thuhet se kontrollet kryehen sipas një analize risku mbështetur në të dhënat e vetëdeklaruara në sistem nga tatimpaguesit dhe se zgjerimi i bazës së të dhënave është një nga prioritetet e DPT-së për 2019-ën dhe në vazhdim do të ofrojë mundësinë për analiza më të thelluara përfshirë tatimpaguesit që kryejnë shitje online.

Ligji “PËR PROCEDURAT TATIMORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË I NDRYSHUAR” në nenin 55 detyron bizneset dhe jo vetëm, që të operojnë me pajisje fiskale dhe të lëshojnë kupon tatimor për çdo qarkullim malli apo shërbimi, detyrim i cili është i vlefshëm dhe për shitjet që bëhen online.  

Tatimpaguesit, që kryejnë qarkullimin e mallrave dhe të shërbimeve, për të cilat pagesat nuk kryhen nëpërmjet bankës, ose institucioneve financiare të parasë elektronike, të licencuara nga Banka e Shqipërisë, janë të detyruar të instalojnë dhe të përdorin sistemin fiskal, nëpërmjet përdorimit të pajisjeve fiskale, për regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe për lëshimin, në mënyrë të detyrueshme, të kuponit tatimor”, shkruhet në një ndër pikat e nenit 55.

Edhe pse në kuadrin ligjor është e përcaktuar qartë, eksperti Bendo thekson se përveç ligjit ka nevojë edhe për disa informacione shtesë.

Përveçse ligji shqiptar vendos kushtin kryesor që përmendëm më lart, më tej ai ndërpritet si në interpretim ashtu edhe në zbatim. Shitjet online, duke qenë një tjetër formë e shpërndarjes së mallrave, pa një njësi shitjeje fizike, pa u përballur drejtpërdrejtë shitësi me blerësin, pa një mënyrë konkrete të kryerjes së pagesës prej këtij të fundit, etj., kërkojnë të mbështeten me tekste të zgjeruara si të akteve ligjore ashtu edhe atyre nënligjore që hartohen nga Ministria e Financave.”

Për të parë më nga afër si funksionon një biznes që operon online, “Faktoje” zhvillojë një bisedë me Ina.K, një 20-vjeçare që gjithashtu ka një biznes të saj, por online.

Prej dy vitesh, Ina tregton aksesorë nëpërmjet internetit. Aktiviteti i saj është i përqëndruar kryesisht në rrjetin social Intagram, por edhe në Facebook. Mënyra sesi ky biznes funksionon është shumë i zakonshëm. Në rrjetet sociale Ina poston foto të artikujve që ajo tregton së bashku me çmimin. Blerësit e interesuar e kontaktojnë nëpërmjet kanaleve të komunikimit që kanë rrjetet sociale apo numrit të kontaktit që ajo ka shënuar në faqe.  Në një hapësirë kohore nga dy deri katër ditë,  produkti i porositur online mbërrin tek blerësi. Mjafton që pa lëvizur nga vendi të porosisësh një produkt dhe porosia mbërrin në destinacion. Të tilla lehtësira janë të favorshme për qytetarë të ndryshëm por a është korrekte një gjë e tillë përballë biznesit që paguan taksa dhe është i regjistruar sipas ligjit?

 

Për “Faktoje” Ina thotë se nuk figuron e regjistruar si biznes sepse sipas saj shpenzimet që ka një biznes i regjistruar janë të papërballueshme. Me produktet që ajo shet online arrin të sigurojë një rrogë mujore studentore prej rreth 200 mijë lekësh (të vjetra). E pyetur nëse e ka menduar të regjistrohet ndonjeherë si biznes dhe të jetë taksapaguese e rregullt, ajo thotë se e ka menduar të regjistrohet por një gjë e tillë nuk i leverdis sepse duhet të pajiset me kasë, të paguajë sigurimet e shumë shpenzime të tjera,  domenthënë sipas saj, nëse do të regjistrohej, do t’i duhej ndoshta ta mbyllte fare biznesin.

Eksperti i taksave Bujar Bendo i pyetur nga “Faktoje” nëse bizneset online të paregjistruara kryejnë evazion fiskal, sqaron duke thënë:  “Patjetër nuk duhet shmangur përcaktimi i evazionit fiskal, por duhet konsideruar si rrezik real. Ai fillon me mosregjistrimin e operatorëve të shitjeve online, mosmbajtjen e dokumentacionit, filluar që nga dokumetat e blerjes, faturat e shitjes, kuponat, pagesat vetëm me para në dorë e pa lenë asnjë gjurmë, mosregjistrimi i të punësuarve, etj. Pra në disa drejtime evazioni fiskal është i pranishëm“.

Pavarësisht se ligji flet njësoj për të gjitha bizneset si për ata që operojnë online dhe ata që operojnë fizikisht, duket se në zbatimin e tij hasen shumë shkelje. Të dyja llojet e bizneseve ankohen për parregullsi, një si taksapagues i rregullt dhe një si biznes që funksionon pa paguar asnjë taksë por që i konsideron të larta nëse duhet t’i paguajë një ditë.  Informaliteti në këtë lloj tregu krijon jo pak probleme që mesa duket duan kohë të shmangen apo të eleminohen plotësisht përsa kohë shteti e ka të pamundur të jetë funksional 100%.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img