BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookVdekja e foshnjës në Australi riciklohet nga portali pas 6 vitesh

Vdekja e foshnjës në Australi riciklohet nga portali pas 6 vitesh

Vdekja e një foshnjeje shtatë muajshe në Australi është ricikluar nga portalet gjashtë vite më vonë. Mungesa e informacioneve identifikuese në artikull dizinformon duke i bërë lexuesit të mendojë se incidenti është i kohëve të fundit dhe ka ndodhur në Shqipëri.

——————————————————

“Mjekët thanë nuk ka gjë çojeni djalin në shtëpi, por ja çfarë i ndodhi pas tre ditësh!” është titulli i dizenjuar për të tërhequr sa më shumë klikime.

I vetmi detaj identifikues i ngjarjes dhënë nga teksti i artikullit është emri i foshnjes, Malakai Paraone. Një kërkim në Google i këtij emri zbulon se ngjarja në fjalë ka ndodhur në Australi, në 2016.

Sipas familjes së foshnjes, ai u dërgua nga e ëma fillimisht, më 23 gusht 2016, në spitalin e Midland me temperaturë, skuqje të lëkurës dhe lëvizje të limituar në anën e djathtë të trupit. Sipas nënës së tij, në spital iu tha se foshnjes po i dilnin dhëmbët dhe me gjasa kishte ndrydhur brrylin, dhe u këshillua të shkonte në shtëpi. Ditën tjetër e ëma e çoi prapë foshnjen në një spital tjetër, ku iu dha paracetamol dhe u dërgua sërish në shtëpi. Më datë 25 gusht, familja e çoi foshnjen në një tjetër doktor, i cili e diagnostikoi me një virus, por nuk i dha një zgjidhje. Kur gjendja e tij u përkeqësua ai u dërgua në urgjencë, më 26 gusht. Në atë kohë, familjes iu tha se foshnja vuante nga meningjiti. Ai ndërroi jetë në spital.

Një hetim i mjekësisë ligjore, i publikuar në 2020, gjeti se shkaku i vdekjes ishte helmimi i gjakut nga një infeksion, Streptococcus pyogenes. Vdekja e Malakai Paraone, pohoi raporti i hetimit, mund të ishte parandaluar nëse ai do të ishte diagnostikuar më herët me helmim gjaku. Megjithatë, përfundon raporti, “helmimi i gjakut nga streptokoku në përgjithësi, dhe helmimi gjakut që shkaktohet nga një infeksion i rrënjosur thellë në krahun e një foshnje në veçanti, janë shumë të vështira për t’u diagnostikuar edhe nga mjekë kompetentë me eksperiencë.”

Riciklimi i një ngjarjeje tragjike nga mbi gjashtë vite më parë në një shtet të huaj, duke fshehur këto informacione kyçe për ta bërë të duket sikur ngjarja ka ndodhur së fundmi në Shqipëri për fat të keq është një praktikë e përhapur në portalet shqiptare që varen për ekzistencën dhe mbijetesën e tyre nga mbledhja e klikimeve. 

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img