BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookAksidenti tragjik i një viti më parë riciklohet për klikime

Aksidenti tragjik i një viti më parë riciklohet për klikime

Një artikull i parë mbi 3 mijë herë në Facebook jep lajmin e kobshëm për një “aksident të tmerrshëm”. Një verifikim i shpejtë nga “Faktoje” zbuloi se ky lajm është ricikluar për klikime nga mbi një vit më parë.

Ajo çka ngjall fillimisht dyshime për vërtetësinë e këtij lajmi janë gabimet e shumta drejtshkrimore në titullin “Ak si.dent i tm ershëm/ Furgoni del nga rruga 5 persona h umbin jetën, një vajz e v ogël…” Titulli i papërfunduar është gjithashtu një tregues se lajmi ka për qëllim kryesisht mbledhjen e klikimeve dhe jo informimin e publikut.

Si rrjedhojë, “Faktoje” vendosi të verifikojë vërtetësinë e këtij lajmi duke përdorur fillimisht mjetin TinEye, i cili përdoret për të kërkuar një imazh në internet. Nga kërkimi i TinEye rezultoi se imazhi i përdorur në artikull ishte shfaqur për herë të parë në internet në Gusht të 2021, dhe ishte kapur nga një video reportazh i Top News, në po atë datë.

Aksidenti, i cili pretendohet në artikull se ka ndodhur së fundmi, në fakt ndodhi në 26 gusht 2021, kur një përplasje mes një automjeti dhe një furgoni në rrugën nacionale Gjirokastër-Sarandë ka çuar në daljen nga rruga të këtij të fundit. Si pasojë kanë humbur jetën pesë persona. Fatmirësisht, një vajzë është arritur të nxirret e gjallë nga mjeti që kishte rënë në greminë.

Riciklimi i lajmeve të tilla synon mbledhjen e klikimeve duke shfrytëzur kuriozitetin e audiencave. Si pasojë, ama, kur bëhet fjalë për tragjedi të tilla njerëzore, ringjallin edhe dhimbjen tek të afërmit e viktimave. A është moralisht e justifikueshme të përdoret shqetësimi dhe ankthi që krijohet tek publiku prej këtyre lajmeve, për të marrë sa më shumë klikime?

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img