.

.

BallinaAktualitetUNESCO: Keqpërdorimi i ‘drejtësisë’ për të sulmuar lirinë e shprehjes

UNESCO: Keqpërdorimi i ‘drejtësisë’ për të sulmuar lirinë e shprehjes

Në ditën botërore kundër korrupsionit, UNESCO ka publikuar një përmbledhje të tendencave shqetësuese të kriminalizimit të shpifjes, me qëllim frenimin e lirisë së shprehjes dhe zërave kritikë përmes Padive Strategjike Ndaj Pjesëmarrjes Publike, të njohura si SLAPPS.

Jona Plumbi

Gjykatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, dhe agjenci të ndryshme kanë bërë vazhdimisht thirrje për dekriminalizimin e shpifjes, duke pasur parasysh efektin e konsiderueshëm të akuzave penale në lirinë e shprehjes dhe disproporcionalitetin e tyre për mbrojtjen e reputacionit. GJEDNJ ka pohuar vazhdimisht se dënimet e vendosura për shpifje duhet të jenë proporcionale dhe se qeveritë duhet t’u japin përparësi formave të tjera të zgjidhjes së problemit.

Europa dhe rasti i Shqipërisë

Në Europën Qendrore dhe atë Lindore ka pasur një rritje të përdorimit të ligjeve penale kundër shpifjes, të cilat janë miratuar në 15 vende nga 25 anëtarët e këtij rajoni në UNESCO, shumica e të cilëve përfshijnë mundësinë e dënimit me burgim. Dhjetë shtete[1] i kanë hequr të gjitha parashikimet e përgjithshme mbi shpifjen dhe fyerjen, ndërsa katër[2] vende të tjera e kanë dekriminalizuar atë vetëm pjesërisht.

Shqipëria bën pjesë tek ato shtete, qeveritë e të cilave janë munduar të miratojnë një ligj që e dënon penalisht shpifjen dhe fyerjen. UNESCO raporton se në dy prej këtyre vendeve, Shqipëri dhe Itali, përpjekjet dolën pa sukses. Në nëntor 2015, pas kritikave të brendshme dhe ndërkombëtare, qeveria shqiptare tërhoqi projektligjin që do të dënonte penalisht “shpifjen ndaj një zyrtari të lartë shtetëror apo të zgjedhur”. Dënimi përfshinte burgim deri në tre vjet.

Shpifja njihet gjerësisht si “komunikimi i një deklarate të rreme që dëmton padrejtësisht reputacionin e një personi juridik ose fizik”.

UNESCO vëren një rritje alarmante të numrit të gazetarëve të burgosur – me 294 gazetarë në pranga deri në fund të 2021-shit – sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve. Veprat penale për të cilat shpesh akuzohen gazetarët janë ndër të tjera shpifje, fyerje të zyrtarëve publikë, rebelim, përpjekje kundër sigurisë kombëtare/rendit publik, përkufizime të paqarta të gjuhës së urrejtjes, publikim të “lajmeve të rreme”, blasfemi dhe terrorizëm.

Në 1986-n, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut dha një vendim historik në çështjen Lingens v. Austria duke përcaktuar një kufi më të lartë të pranimit të kritikave nga politikanët, krahasuar me një qytetar të thjeshtë pasi “i pari në mënyrë të pashmangshme dhe me vetëdije të plotë është ofruar për shqyrtim më rigoroz të çdo fjale dhe vepre nga gazetarët dhe publiku i gjerë, ndaj ai duhet për rrjedhojë të tregojë një shkallë më të lartë tolerance.”

SLAPP-s

Kohët e fundit – përmes Rezolutës 39/6 (2018) dhe Rezolutës 45/18 (2020) – Këshilli i të Drejtave të Njeriut në OKB, shprehu shqetësimin për keqpërdorimin e ligjeve mbi shpifjen dhe fyerjen, në funksion të kufizimit të shprehjes legjitime dhe ndërhyrjes në punën e gazetarëve. Rezolutat gjithashtu i kushtuan vëmendje përdorimit të ‘Padive Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike’ (SLAPP) për të ushtruar presion ndaj gazetarëve.

Paditë Strategjike kundër Pjesëmarrjes Publike (SLAPPs) janë pretendime ligjore që zakonisht iniciohen nga një aktor i fuqishëm (një organ shtetëror/zyrtar, individ ose firmë e profilit të lartë) për të frikësuar dhe për të heshtur palët më të dobëta që kritikojnë ose shpërndajnë mesazhe të pafavorshme për ta, në interes publik. Objektivi i vërtetë i këtyre padive nuk është të fitohet çështja, por të mposhtet i pandehuri përmes procedurave të stërzgjatura ligjore, kostove të tepërta – madje deri në rrezik falimentimi – si dhe barrës psikologjike të lidhur me të.

Pasojat

Raporti i UNESCO thekson se pasojat e kriminalizimit të shpifjes dhe fyerjes për gazetarët janë rrënqethëse. Kjo pasi shpesh ato janë jo propocionale me dëmin e kryer nga deklarata e paditur.

Kur gazetarët përballen me çështje penale në gjykatë, ata duhet të investojnë shumë kohë në takime me avokatë, dëshmi në gjykatë, përgatitja e apelit etj. Kjo kërkon edhe shumë burime financiare për të mbuluar shpenzimet e mbrojtjes ligjore. Në të shumtën e rasteve, gazetarët e paditur penalisht, pushohen nga puna deri në përfundim të gjyqit, apo si rezultat i vendimit të gjykatës. Stigma që shoqëron personat e dënuar penalisht nga gjykata është e mjaftueshme për t’i pamundësuar gazetarit gjetjen e një pune tjetër.

Pasojat shpesh herë janë edhe psikologjike, thekson UNESCO. Kjo pasi shumë ligje parashikojnë edhe burgosjen si dënim për shpifjen apo fyerjen. Kjo, e shoqëruar me rastet kur gazetari portretizohet si armik i shtetit dhe gënjeshtar, gjë që çon në ngacmime publike online dhe offline, shkakton dëme të mëdha tek i padituri.

Në fund, gjithçka përfundon në vetëcensurim. Çdo gazetar që është përballur me ndjekje penale, apo kolegët e tij që janë në dijeni të rastit, mund të hezitojnë në hetimin e lajmit që shkaktoi padinë penale. Vetë ekzistenca e dënimeve penale për shpifjen nënkupton se gazetarët punojnë në rrezik të vazhdueshëm, edhe në ato shtete ku kjo praktikë nuk është shumë e përdorur.

Mes sugjerimeve të UNESCO drejtuar qeverive të vendeve anëtare lidhur me dekriminalizimin e shpifjes dhe fyerjes, – përpos heqjes së dënimeve penale për shpifje dhe fyerje – theksohet fakti se zyrtarët publikë, nuk duhet të përfitojnë mbrojtje të veçantë.

Faktoje i bashkohet thirrjes së UNESCO për moslejimin e kriminalizimit të shpifjes si parandalim i kufizimit të lirirsë së medias, duke nxitur në vend të saj edukimin mediatik të qytetarëve, gazetarëve të mediave online, por edhe shoqërisë civile, në mënyrë që të jenë vetë lexuesit ata që dallojnë lajmin e vërtetë nga lajmi i rremë. Pjesë e punës së përditshme të qendrës Faktoje është pikërisht trajnimi i studentëve dhe ndërgjegjësimi i lexuesve për rëndësinë e verifikimit të fakteve.

[1] Bosnje Hercegovina (1999), Ukraina (2001), Estonia (2002), Gjeorgjia (2004), Armenia (2010), Moldavia (2009), Mali i Zi (2001), Maqedonia (2012), Taxhikistani (2012) dhe Rumania (2014)
[2] Bullgaria, Kroacia, Lituania dhe Serbia
Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img