BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookI rremë lajmi se Shaqiri i dërgoi video këngëtares serbe

I rremë lajmi se Shaqiri i dërgoi video këngëtares serbe

Temat nacionaliste janë gjithmonë tërheqëse për ata që “gjuajnë” për klikime në rrjet. Pre e kësaj praktike jo të ndershme, por fitimprurëse për mediumet e lajmeve, janë shpesh edhe portalet që menaxhohen nga televizione të mëdha në vend. Kështu ndodhi me artikullin e publikuar nga “Balkanweb”, “Shqiptarja.com” dhe “ABC News” lidhur me lajmin e pavërtetë të këngëtares serbe që njoftonte se Xherdan Shaqiri e kishte provokuar duke dërguar foto dhe video nga dhoma e zhveshjes me këngën e saj në sfond.

Jona Plumbi

“Befason këngëtarja serbe: Shaqiri më ka dërguar foto nga dhoma e zhveshjes, dëgjonte këngët e mia.” – kështu njofton bujshëm lajmi i publikuar nga disa mediat në vend, si Balkanweb, ABC News, Shqiptarja.com.

Sipas këtij lajmi, një këngëtare serbe, e quajtur Maja Nikolic, ka deklaruar gjatë një interviste se futbollisti me origjinë shqiptare, Xherdan Shaqiri, i cili luan në kombëtaren e Zvicrës, i ka dërguar asaj foto dhe video përshëndetëse nga dhomat e zhveshjes ku në sfond dëgjohej kënga e saj.

Lajmi vijon me një citim të këngëtares, që në pamje të parë duket se është përkthyer me Google Translate pasi fjalive u mungon logjika gjuhësore. “U thash mos me pershendesni rastësisht, por asnjërit deri sa të na kërkoni falje publike, turp të keni, unë jam patriote, si mund të më përshëndesni?”, shkruan artikulli.

“Faktoje” verifikoi se ky lajm është publikuar nga disa media shqiptare në datën 6 Dhjetor, një ditë pasi është publikuar në një media serbe, në kulmin e acarimit të publikut serb pas eleminimit të ekipit të futbollit nga kombëtarja zvicerane, ku Shaqiri ishte një nga protagonistët. Edhe pse lajmi shkruan se deklarata është bërë për median serbe “Grand Online”, asnjë prej publikimeve nuk ofron një adresë për videon ku pretendohet të jetë marrë citimi i këngëtares.

Pas shpërndarjes së gjerë të lajmit në media, vetë këngëtarja ka reaguar përmes një shënimi në rrjetin social Instagram, ku shkruan se ajo nuk ka pasur asnjëherë kontakt me Shaqirin dhe se interpretimi që mediat i kanë bërë deklaratës së saj është i pasaktë.

“Ju lutem mos shkruani tituj të pavërtetë! Unë nuk e njoh këtë njeri [Shaqiri] dhe nuk kam pasur kurrë kontakt. Nuk është e drejtë të shkruhet se jam telefonuar nga dikush që nuk e kam takuar apo dëgjuar ndonjëjerë. Ka një video nga shfaqja dhe disa media e kanë mbuluar gabim atë.” – shkruan Nikolic.

Përgënjeshtrimi ka “mbërritur” edhe në redaksinë e ABC News, e cila ka shkruar një artikull tjetër mbi këtë deklaratë të këngëtares. Por pavarësisht këtij informacioni të ri, me burim vetë personin e cituar në lajm, artikulli i parë vijon të mbetet i pandryshuar, apo i paplotësuar.

“Faktoje” e gjeti videon në fjale ku këngëtarja ka përmendur futbollistin me origjinë shqiptare, Xherdan Shaqiri. Në video këngëtarja dëgjohet të thotë se “dikush nga ekipi zviceran i ka dërguar një video nga dhoma e zhveshjes ku po luhej kënga e saj”, por jo se ishte Shaqiri ai që i ka nisur videon. Keqkuptimi ka ardhur nga vijimi i deklaratës së këngëtares, e cila ka shpjeguar për emisionin në fjalë se ajo është patriote dhe se nuk dëshiron të përshëndetet nga njerëz që urrejnë serbinë si Shaqiri.

Fatkeqësisht një nga mënyrat më të përdorura për përhapjen e dizinformimit është pikërisht praktika e marrjes “copy-paste” nga media të tjera online pa e verifikuar më parë informacionin, apo edhe burimin e tij.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

*Shënim: Data 12 Dhjetor  2022 portali shqiptarja.com ka korrigjuar dhe përmirësuar artikullin https://shqiptarja.com/lajm/flet-kwngtarja-serbe-pwr-shaqirin-xherdani-mw-ka-dwrguar-video-nga-dhuma-e-zhveshjes-duke-dwgjuar-kwngwt-e-mia-ti-kwrkoj-falje-publike-skuadrws-serbe?fbclid=IwAR3KZO2idFo5dnLt0UjzZO5atnrj-LzzvyyA5f4WS0Aivd_OuukXGaHk22k  pas verfikimit të lajmit nga ana e Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img