BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashUkraina nuk po rekruton me forcë të sëmurët mendorë dhe ata me HIV

Ukraina nuk po rekruton me forcë të sëmurët mendorë dhe ata me HIV

Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës ka ndryshuar rregullat në lidhje me mobilizimin në ushtri të ukrainasve me aftësi të kufizuara. Mirëpo, ndryshe nga çfarë pretendohet në postime të shpërndara në rrjetet sociale, ky rregullim nuk ka lejuar që të rekrutohen me forcë të sëmurët me HIV apo sëmundje mendore.

Postime të shpërndara në rrjetet sociale pretendojnë se Ukraina ka miratuar një amendament që lejon rekrutimin në ushtri për personat me aftësi të kufizuara. Kjo argumentohet si një provë e humbjeje të mëdha që ka pësuar në ushtrinë e saj dhe nevojës për të rekrutuar ushtarë të rinj.  

Dekreti Zelensky: Rekruton njerëz me HIV-pozitiv, njerëz me sëmundje neurodegjenerative dhe sëmundje mendore – Kërkon 160,000 refugjatë nga Gjermania! “-shkruan në 3 shtator një përdorues shqiptar në Facebook.

Postimi i shpërndarë në rrjetet sociale

Postimi vijon më tej me fokus në humbjet e mëdha që ka shkaktuar përballja e Ukrainës me ushtrinë ruse dhe mungesën e ushtarëve në front.

Verifikimet e këtij lajmi, konfirmojnë se më 2 shtator, Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës miratoi një rregullore të re të listës së sëmundjeve, si dhe procedurën për të vlerësuar aftësinë për shërbimin ushtarak. Kjo rregullore ka për qëllim të kufizojë shmangien nga shërbimi ushtarak nëpërmjet raporteve të rreme shëndetësore të qytetarëve ukrainas si dhe minimizojë mundësitë për favorizime nga zyrtarët e ushtrisë. Dyshimet për korrupsion në rradhët e ushtrisë mendohet se ishin një nga arësyet e largimit së fundmi nga detyra të ministrit të mbrojtjes Oleksiy Reznikov, në detyrë që prej nisjes së konfliktit ushtarak.

Ndryshimet në Rregulloren e Kontrollit Mjekësor Ushtarak në Forcat e Armatosura janë bërë me urdhër të Ministrisë së Mbrojtjes nr. 490, datë 18 gusht 2023 dhe kanë hyrë në fuqi më 25 gusht.

Faktoje bëri një kërkim në ndryshimet e bëra, për të parë saktësisht se çfarë është vendosur në lidhje me përfshirjen ose jo të këtyre kategorive në shërbimin ushtarak.

Në lidhje me personat me HIV amanedamenti parashikon:

“Sëmundje e shkaktuar nga HIV, stadi IV klinik- papërshtatshëm për shërbimin ushtarak, i përjashtuar nga regjistrimi ushtarak.

Sëmundje e shkaktuar nga HIV, stadi klinik II-III- I papërshtatshëm për shërbimin ushtarak në kohë paqeje, përshtatje e kufizuar në kohë lufte. Paaftësia për shërbimin ushtarak ose aftësia e kufizuar përcaktohet individualisht

Sëmundje e shkaktuar nga HIV, stadi klinik I-III ose bartës asimptomatik i HIV-it- I papërshtatshëm për shërbimin ushtarak në kohë paqeje, përshtatje e kufizuar në kohë lufte. Përshtatshmëria për shërbimin ushtarak ose aftësia e kufizuar përcaktohet individualisht”.

Pra, në këtë rast parashikohet që këta individë gjatë kohës së luftës, mund të marrin pjesë, por kjo përcaktohet nga vetë ata. Gjithashtu, rëndësi i kushtohet procedurës së si dhe prej cilit mjek specialist mund të përcaktohet gjendja shëndetësore, me qëllim për të shmangur keqpërdorimin e raporteve që përjashtojnë rekrutimin.

Të njëjtat rregulla janë edhe për personat me probleme mendore.

“Çrregullime mendore të vazhdueshme të theksuara- I papërshtatshëm për shërbimin ushtarak-i përjashtuar nga regjistrimi ushtarak.

Çrregullime mendore persistente mesatarisht të rënda- I papërshtatshëm për shërbimin ushtarak në kohë paqeje, përshtatje e kufizuar në kohë lufte.

Manifestime të lehta të dhimbshme afatshkurtra- I papërshtatshëm për shërbimin ushtarak në kohë paqeje, përshtatje e kufizuar në kohë lufte. Përshtatshmëria për shërbimin ushtarak ose aftësia e kufizuar përcaktohet individualisht”, përcaktohet në lidhje me këtë kategori.

Zyrtarët dhe analistët perëndimorë vlerësojnë humbjet e ushtrisë ukrainase në më shumë se 150,000 të vrarë dhe të plagosur dhe dhjetëra mijëra viktima të tjera në mesin e popullatës civile.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img