BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookPamundësia aktuale e NASA për të udhëtuar në Hënë nuk provon inskenimin e uljes në vitet ‘60

Pamundësia aktuale e NASA për të udhëtuar në Hënë nuk provon inskenimin e uljes në vitet ‘60

Një deklaratë e astronaut Don Pettit po nxirret jashtë konteksti nga konspiracionistët për të pretenduar se zbarkimi i njerëzve në Hënë ishte një inskenim. Verifikimi i “Faktoje” vendos fjalët e Pettit në kontekstin e munguar.

——————————-

Në hapësirat online, përfshi edhe ato shqipfolëse, konspiracionistët po shpërndajnë një deklaratë të astronautit amerikan Don Pettit si ‘provë’ se zbarkimi i njerëzve në Hënë ishte inskenim.

Deklarata e astronautit Donald Pettit

Faktoje zbuloi se kjo deklaratë është shkëputur nga një kronikë e prodhuar nga gazeta International Business Times UK në 2016. Video origjinale përshkruan ambiciet e Agjencisë Hapësinore Europiane (ESA) për të arritur Hënën dhe planetin Mars.

Kronika përmban zëra nga disa ekspertë të fushës, përfshi Jan Woerner, drejtorin e përgjithshëm të ESA dhe David Parker, drejtorin e Fluturimit Hapësinor të Njerëzve dhe Eksplorimit Robotik në ESA. Astronauti Don Petti shfaqet rreth minutës 1:54 të videos. Deklarata e tij e plotë është:

“Do të shkoja në Hënë brenda nanosekondit. Problemi është se nuk e kemi më teknologjinë për ta bërë këtë. E kemi patur, por e shkatërruam atë teknologji dhe rindërtimi është një proces i dhimbshëm. Por, shkuarja në Mars duhet të jetë një nga hapat e ardhshëm që duhet të bëjë njerëzimi. Hapi i parë duhet të jetë kthimi në Hënë për një number arsyesh teknike dhe eksplorimi. Dhe pastaj Mars, ndoshta në orbitën e sipërme në atmosferën e Venusit, ndoshta shkuarja në Europa [një nga hënët e Jupiterit]. Ka gjithëfarë lloje objektivash për të shkuar, vende me interes në sistemin tonë diellor. I vetmi kufi i së ardhmes së njerëzimit është në imagjinatën tonë.”

Megjithëse konspiracionistëve u duket aq i pabesueshëm pohimi i Pettit se teknologjia për të dërguar njerëz në Hënë nuk ekziston më, sa që pas këtij pohimi ato shohin një komplot. 

Në të vërtetë Pettit ka të drejtë. Programi Hënor Apollo (1961-1972) kushtoi 24 miliardë dollarë ($178 miliardë në ditët e sotme), në kulmin e tij kishtë 400 mijë punonjës, dhe kishte nevojë për mbështetjen e mbi 20 mijë firmave industriale dhe universiteteve.

Programi Apollo iu përkushtua misionit kombëtar të presidentit John F. Kennedy, i cili më 25 maj 1961, i kërkoi Kongresit amerikan fondet e nevojshme për të zbarkuar një njeri në Hënë brenda dhjetëvjeçarit. E ashtuquajtura Gara Hapësinore, një konkurencë teknologjike mes ShBA dhe Bashkimit Sovietik përgjatë Luftës së Ftohtë, ishte nxehur më 12 prill 1961, kur astronauti sovjetik Yuri Gagarin u bë njeriu i parë që udhëtoi në hapësirë.

Në këto rrethana gjeopolitike, Programi Apollo, dhe Administrata Kombëtare e Aeronautikës dhe Hapësirës (NASA) përfituan financim të jashtëzakonshëm nga buxheti i shtetit, një financim që nuk u arrit më kurrë në vitet që pasuan. Grafiku i mëposhtëm tregon përqindjen e buxhetit shtetëror që ka marrë NASA ndër vite.

Buxheti i NASA si përqindje e Buxhetit Federal

Në ditët e sotme NASA ka rreth 18 mijë punonjës, krahasuar me forcën punëtore prej 400 mijë personash të Apollo, i cili ishte vetëm njëri nga programet e NASA.

Kur programi Apollo u mbyll, fabrikat që prodhuan pjesët e përdorura në raketat e përdorura për të u mbyllën ose u përshtatën. Makineritë prodhuese u çmontuan apo modifikuan, ndërsa teknikët, inxhinierët dhe shkencëtarët që i operonin u ricaktuan në detyra të tjera. Disa nga materialet e përdorura dolën jashtë përdorimit me kohën.

Raketat që dërguan njerëz në Hënë, Saturn V, ishin makineri gjigande dhe komplekse. 15 nga këto raketa u ndërtuan, dhe 13 prej tyre dërguan 24 astronautë në Hënë në periudhën 1968-1972. Një raketë Saturn V ishte 111 m e lartë dhe peshonte 2.8 milionë kg. Planet e ndërtimit të këtyre raketave ekzistojnë ende në arkivat e Qendrës Marshall për Fluturim Hapësinor.

Në Mars 2000, Paul Shawcross nga NASA, tha se problemi në rikrijimin e Saturn V nuk është tek mungesa e skemave, por tek mungesa e pjesëve. “Nuk ka kuptim as të konsiderosh një përpjekje për të rindërtuar Saturn V,” tha ai. “Patja e skemave të plota të Saturn V nuk do na zgjidhte punë. Vërtet, do të ishim ende në gjendje të përkulnim lehtësisht pjesët e mëdha metalike. Por nuk janë ato problemi. Problemi i vërtetë jane qindra mijëra pjesëza të tjera, disa që mund të duken të parëndësishme si bulonat apo rondelet, që thjesht nuk prodhohen më. Çdo gjë do duhej të ribëhej. Kështu, një rindërtim i drejtpërdrejt do të ishte i pamundur! E vetmja zgjidhje e vërtetë do të ishte t’ja nisje nga zero dhe të ndërtosh nga fillimi duke përdorur pjesë dhe procese moderne. Një tjetër sfidë e pamasë!”

Në këtë kontekst, deklarata e Don Pettit, se teknologjia e përdorur për të çuar njerëz në Hënë nuk ekziston më nuk është aspak e pazakontë, e, aq më pak, nuk ‘provon’ se zbarkimi i njerëzve në Hënë është inskenim.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img