BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëUji i pijshëm, ende legjendë për banorët e Belshit

Uji i pijshëm, ende legjendë për banorët e Belshit

Premtimi për t’i dhënë fund legjendës së ujit të pijshëm, nga ana e kreut të bashkisë së Belshit Arif Tafani, edhe pas 6 vitesh ende nuk është mbajtur. Pavarësisht nisjes së investimit për ndërtimin e ujësjellësit të ri me vlerë 18 milion, banorët ende ankohen për probleme me furnizimin me ujë të pijshëm dhe se në verë situata, është edhe më alarmante.


“Problemi kryesor është legjenda e ujit, furnizimi me ujë të pijshëm i popullatës. Ujësjellësi i ndërtuar në 1988 është në gjendje tejet të amortizuar dhe ka lidhje apo ndërhyrje të paligjshme. Zgjidhja përfundimtare është rikonstruksioni i plotë i ujësjellësit, projekti i të cilit është gati, me një vlerë totale 18 milionë euro, zbatimi i të cilit do të zgjidhë njëherë e mirë legjendën e ujit të pijshëm të zonës së Dumresë” – deklaroi në një intervistë për “ Birn ”, Arif Tafani, kryetar i Bashkisë Belsh.

Faktoje dërgoi një kërkesë për informacion me datë 2 dhjetor 2021, për të marrë informacion se sa fshatra furnizohen me ujë 24 orë në Belsh.

Kërkesa dërguar bashkisë Belsh

Edhe pas ankimimit pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit nga ana e Faktojes, bashkia Belsh ka refuzuar të kthejë përgjigje.

Faktoje ishte në terren në fillim të muajit dhjetor ku konstatoi që problematika e ujit vijon për banorët e kësaj bashkie. Një ndër zonat që njihet për problemet e mëdha përsa i përket furnizimit me ujë të pijshëm, edhe pse ka mbi 80 liqene të vogla dhe njihet si një zonë ujëmbajtëse është zona e Dumresë. Aktualisht është investuar në sistemin e ngritjes mekanike të ujit dhe në rrjetin kryesor, por problem mbetet sistemi dytësor i tubacioneve shpërndarëse. Në mungesë të investimeve në këtë sistem, banorët sërish në shtëpitë e tyre kanë deri në 3 orë ujë në ditë, ndërkohë që gjatë verës ky ujë thuajse ka munguar.

Foto të tubacioneve në Belsh, Bardha Nergjoni

“Ne në lagjen tonë kemi pasur probleme gjithmonë me ujin e pijshëm. Nuk bëhet fjalë të kemi 24 orë ujë, por e shumta 3 orë ujë në ditë. Problemin më të madh e hasëm gjatë verës, ku kishte ditë që nuk vinte fare dhe shkonim e mbushim larg nga këtu, me mjete. Ne kemi parë që ujësjellësi ka bërë punime, po shtron tuba e vendos puseta, por deri tani nuk e kemi parë efektin e ujësjellësit të ri që flitet”- tregon Vjollca Hysa, banorë e lagjes Hysë të njësisë Belsh.

Foto të tubacioneve në Belsh, foto: Bardha Nergjoni

E njëjta situatë është edhe në një lagje tjetër të njohur të Belshit, si lagja e Tafanëve. S. Tafani thotë se situata ka disi përmirësim në dimër, por jo në verë.

“Derisa nuk është zgjidhur problemi në linjën fundore dhe njerëzit e përdorin ujin për vaditje, atëherë nuk do kemi gjë në vijë me ujin. Gjithësesi investimi ishte i domosdoshëm dhe besojmë se dalëngadalë edhe kjo situatë do të zgjidhet”- tregon ai.

Fejzi Hysa një tjetër banor i qytezës së Belshit thotë se, investimet kanë ngjallur shumë shpresë tek banorët.

“Punimet për ujin e pijshëm kanë filluar bashkë me kanalizimet e ujërave të zeza dhe shpresojmë shumë që të vijë ajo ditë që të kemi ujë 24 orë pasi uji në lagjen tonë është problem. Ka pasur ditë që nuk kemi pasur ujë sidomos në verë”- pranon Hysa për Faktoje.

Këto janë edhe zonat me një popullsi më të madhe në zonën e Belshit. Fshatra të tërë kanë të njëjtën situatë furnizmi, por që në shumicën e rasteve kanë gjetur si zgjidhje alternative hapjen e puseve thuajse për çdo shtëpi.

Një tjetër premtim i kryetarit të bashkisë Belsh Arif Tafani ishte se do të përfundonte ndërtimi i ujësjellësit, i cili do të zgjidhte çdo problematikë të qytetarëve.

Faktoje dërgoi një kërkesë për informacion se në çfarë faze është ndërtimi i ujësjellësit. Sipas përgjigjes së bashkisë, projekti i ujësjellësit është i ndarë në 3 faza.

“Projekti i ujësjellësit është i ndarë në 3 faza. Në masën 90% ka përfunduar faza e parë. Dy fazat e tjera janë proces punimesh dhe respektivisht janë realizuar në masën 50%. Në lidhje me pikën e dytë, duke qenë se akoma asnjëra nga fazat që përfshin rrjetin shpërndarës të fshatrave nuk ka përfunduar, rrjedhimisht asnjë nga fshatrat nuk ka një sistem të përfunduar të rrjetit të ujit të pishëm.”- thuhet në përgjigjen e bashkisë Belsh.

Në përgjigjen e bashkisë shprehet që në lidhje me investimet e ujësjellësit, projekti është i ndarë në 3 faza. Vlerat përkatëse të kontratës për secilën fazë janë: faza e parë 287.976.685 lekë pa TVSH, faza e dytë 399.849.224 lekë pa TVSH, faza e tretë 474.517.615 lekë pa TVSH.

Sipas përgjigjes së bashkisë Belsh pas përfundimit të investimit do t’i garantohet 24 orë ujë 15 fshatrave ku përfshihen: Belsh-Qendër, Belsh Fshat, Stanaj, Gradishtë, Marinëz, Shtith, Seferan, Shkendi, Shkozë, Qafshkallë, Grekan, Guras, Rrenas, Shelg, Zekth.

Përgjigjja e Bashkisë Belsh

Edhe banorët konfirmojnë të njëjtën gjë.

“Në pjesën më të madhe të lagjeve është shtruar sistemi kryesore i tubacioneve të ujësjellësit, por nuk është bërë pjesa e dytë e investimit shtrimi i tubacioneve dytësore deri në familje, kjo bën që të mos ketë sasi uji të majftueshëm për ne.”-tregon një zonë rreth të 60-ave.

Sipas Ujësjellës Kanalizime, Belshi shfrytëzon burime ujore nëntokësore. Nëpërmjet 4 sistemeve me ngritje mekanike prodhon mesatarisht 900 mijë m3 ujë në vit, sasi relativisht e mjaftueshme për plotësimin e kërkesave për ujë, brenda juridiksionit të saj. I gjithë volumi i ujit të prodhuar vlerësohet 100%. Aktualisht ujësjellës kanalizimesh Belshi administron një rrjet ujësjellësi prej 108 km, nga i cili 54 km rrjet kryesor dhe 54 km rrjet shpërndarës. Shoqëria ofron shërbimin e furnizimit me ujë të pijshëm për 27.2 mijë banorë dhe ka të regjistruar 7,000 klientë nga të cilët 6,300 klientë janë të paisur me matës konsumi. Shoqëria zbaton një program të rregullt pune për dedektimin e humbjeve të ujit.

Foto të rrugëve në qytetin e Belshit, foto Bardha Nergjoni

Faktoje edhe më parë ka bërë disa artikuj ku tregon që problematika me ujin e pijshëm është një situatë që zgjat prej shumë kohësh.

Premtimin e kryetarit të Bashkisë Belsh, Arif Tafani për zgjidhjen përfundimtare të furnizimit me ujë të pijshëm dhe ndërtimin e ujësjellësit brenda vitit 2021 do ta kategorizojmë si gjysmë të mbajtur, pasi ende në shumicën e zonave në Belsh mungon uji 24 orë dhe ndërtimi i ujësjellësit nuk ka përfunduar sipas afateve të premtuara.

“Faktoje”, e mbështetur nga National Endoëment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img