BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëDy vite pas tërmetit, asnjë shenjë nga rindërtimi i Pallatit të Kulturës në Shijak

Dy vite pas tërmetit, asnjë shenjë nga rindërtimi i Pallatit të Kulturës në Shijak

Ina Allkanjari

Në maj të 2021, kreu i bashkisë Shijak Elton Arbana premtoi se së shpejti do të nis ndërtimi i Pallatit të Kulturës, i dëmtuar nga tërmeti. Pas 8 muajsh nga kjo deklaratë dhe nga alokimi i fondit prej mbi 190 milionë e 600 mijë lekësh, në Shijak nuk ka asnjë gjurmë nga nisja e procesit të rindërtimit për këtë objekt, i cili është ende në fazë tenderimi.

———————

“Pallati i Kulturës, projekti është gati. Së shpejti nis rindërtimi i tij. Muajin maj e nisim me një lajm shumë të mirë për qytetin e Shijakut. Kemi konkretizuar projektin për ndërtimin e një godine totalisht të re të Pallatit të Kulturës, një strehë e artit dhe argëtimit për çdo shijakas.”

Kështu deklaroi nëpërmjet një statusi në faqen e tij zyrtare në Facebook në 3 maj, kryetari i bashkisë Shijak Elton Arbana duke e konsideruar si një premtim të mbajtur.

Screenshot, postimi i kreut të Bashkisë Shijak datë 03.05.2021

Më 12 maj 2021, qeveria shqiptare vendosi përdorimin e fondit të rindërtimit prej mbi 190 milionë e 600 mijë lekësh për financimin e rindërtimit të Pallatit të Kulturës së qytetit të Shijakut, ku bashkia Shijak është përcaktuar si njësi zbatuese.

VKM nr. 279, datë 12.5.2021 për rindërtimit e Pallatit të Kulturës në Shijak

Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.279 bashkisë Shijak, në buxhetin e miratuar për vitin 2021 i transferohet fondi 38 120 227 lekë, për financimin e rindërtimit të objektit social-kulturor, Pallati i Kulturës, në formën e transfertës së pakushtëzuar.

Foto, projekti Pallati i Kulturës Shijak

Objekti në fjalë është parashikuar të pozicionohet pranë parkut kryesor të Shijakut, ndërsa sipërfaqja e zonës është rreth 1000 m2.

Screenshot zona në hartë ku parashikohet të rindërtohet Pallati i Kulturës në Shijak

Faktoje i dërgoi një kërkesë për informacion bashkisë Shijak për të mësuar se në cilën fazë është projekti i ndërtimit të Pallatit të Kulturës dhe sa buxhet është hartuar për këtë projekt.

Screenshot, kërkesa për informacion dretjuar Bashkisë Shijak, datë 17.08.2021

Në përgjigjen e saj në datë 30.08.2021, Bashkia Shijak shkruan se projekti për ndërtimin e Pallatit të Kulturës është në fazën e procedurës së prokurimit publik.

“Buxheti për realizimin e projektit është akorduar nga buxheti i shtetit me Vendim të Këshillit të Ministrave nr.279 datë 12.05.2021 “Për përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e rindërtimit të objektit social-kulturor, Pallati i Kulturës, Bashkia Shijak dhe caktimin e Bashkisë Shijak si njësi zbatuese” dhe arrin vlerën 190.601.138 (njëqind e nëntëdhjetë milionë e gjashtëqind e një mijë e njëqind e tridhjetë e tetë) lekë pa TVSH”, shkruan bashkia Shijak në përgjigjen e saj.

Screenshot përgjigja e Bashkisë Shijak, datë 30.08.2021

Nga verifikimi në Open Procurement evidentuam se procedurat e tenderimit për rindërtimin e Pallatit të Kulturës në Shijak janë hapur në 6 korrik 2021,  por kjo procedurë është anuluar pasi asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përputhet me kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit.

Faktoje verifikoi dhe një herë tenderimet për këtë objekt dhe rezulton se Bashkia Shijak më 15 dhjetor 2021 ka rihapur procedurat, por ende nuk është shpallur fituesi dhe nuk figuron asnjë kontratë e lidhur.

Në një koment në faqen zyrtare Instagram të Faktoje në muajin dhjetor, kreu bashkisë Shijak Elton Arbana ka sqaruar se: “Pallati i Kulturës është tenderuar dy herë, por për shkak se asnjë nga operatorët sipas KVO (Komisioni i hapjes dhe Vlerësimit të Ofertave) dhe APP (Agjencia e Prokurimit Publik) nuk kanë plotësuar dokumentacionin e rregullt është anulluar dhe është në proces përsëri.

Screenshot, komenti i kreut të Bashkisë Shijak, Elton Arbana në faqen zyrtare të Instagram të Faktoje

Faktoje verfikoi në terren se godina e Pallatit të Kulturës është jashtë funksionit, por ende nuk ka nisur shembja e saj.

Foto datë 24.09.2021, Pallati Kulturës Shijak, i dëmtuar nga tërmeti

Drejtori i Pallatit të Kulturës Ardit Faja, tregon për Faktoje se për shkak të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti godina është jashtë funksionit, ndonëse ende nuk është shembur. Ai tregon se ndërsa janë në pritje të ndërtimit të godinës, aktivitetet kulturore vijojnë të zhvillohen.

 “Prej tërmetit Pallati i Kulturës është jashtë funksionit. Flitet që do ndërtohet një i ri me kushte më të mira. Unë merrem me përkujdesjen e aktiviteteve kulturore, të cilat vijojnë të realizohen. Aktualisht Pallati i Kulturës është jashtë funksionit, por aktivitetet nuk do të lihen pas dore ndërkohë që presim të realizohet rindërtimi. Pavarësisht se kultura është shumë e rëndësishme dhe unë jam rritur mes saj, këtu në Shijak tërmeti ka shkaktuar tragjedi dhe është shumë e rëndësishme që si fillim të ndërtohen banesat”,– tregon për Faktoje Drejtori i Pallatit të Kulturës, Ardit Faja.

Përgjatë periudhës tetor-dhjetor në qytetin e Shijakut u realizuan 4 organizime artistike-kulturore, disa prej të cilave në mungesë të Pallatit të Kulturës u realizuan në ambientet e bashkisë Shijak dhe në sheshin e qytetit:

Screenshot, tabelë e krijuar nga Faktoje, organizimet artistike-kulturore të zhvilluara në Shijak, Tetor-Dhjetor 2021

Foto, aktivitet i zhvilluar në sheshin e qytetit të Shijakut

Ndërkohë 50-vjeçari N.D. banor i qytetit të Shijakut tregon për Faktoje se prej 2 vitesh Pallati i Kulturës ka dal jashtë funksionit dhe të apasionuarit pas kulturës, nuk kanë pasur mundësi të shohin asnjë shfaqje.

“Tërmeti ishte shumë tragjik dhe Shijaku pati pasoja të rënda, sepse u dëmtuan shumë banesa. Por unë si shumë qytetarë të tjerë që jemi të apasionuar pas kulturës, shpesh e kemi ndjerë nevojën për të shkuar në Pallatin e Kulturës për të ndjekur shfaqje, apo për të parë një ekspozitë. Një qytet e ka të nevojshme prezencën e Pallatit të Kulturës”, tregon për Faktoje, N.D.

Gjatë një komunikimi me kreun e bashkisë Shijak, Elton Arbana mësuam se aktualisht në këtë qytet prioritet i është dhënë rindërtimit të banesave individuale dhe pallateve të dëmtuara nga tërmeti, ndërsa ende nuk ka një datë se kur do të nis ndërtimi i Pallatit të Kulturës.

“Për shkak të tërmetit, Pallati i Kulturës ka dal nga Instituti i Ndërtimit me akt-vlerësim të thelluar të nivelit të dëmit DS4 për demolim. Do të demolohet dhe do të rindërtohet. Prioritet i është dhënë banesave individuale dhe pallateve për t’i hapur rrugë objekteve të tjera, siç janë Pallati i Kulturës, Xhamia. Paralelisht me banesat edhe shkollat kanë pasur prioritet, sipas një sistemi pikëzimi që ne kemi pasur në këshillin Bashkiak. Dy objektet e fundit që priten për t’u rindërtuar janë Xhamia dhe Pallati i Kulturës. Pallati i Kulturës është parashikuar që të rindërtohet në lagjen “Lugina” në Shijak”, -tregon për Faktoje, kryetari i Bashkisë Shijak, Elton Arbana.

Nisur nga përgjigja e bashkisë Shijak dhe verifikimi në terren, evidentuam se ende nuk ka nisur shembja dhe rindërtimi i Pallatit të Kulturës, në këtë bashki. Ndaj premtimin e kreut të Bashkisë Shijak, Elton Arbana në maj të 2021 se së shpejti do të nis ndërtimi i Pallatit të Kulturës, do ta konsiderojmë të “Gjysmë të mbajtur”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img