BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëUjë 24 orë në Vlorë, pas 6 vitesh banorët furnizohen 5 orë në ditë

Ujë 24 orë në Vlorë, pas 6 vitesh banorët furnizohen 5 orë në ditë

Sot Vlora, edhe pse një qytet me burime të shumta hidrike, nuk ka ende furnizim të rregullt me ujë të pijshëm dhe të rrjedhshëm, sikurse premtohet prej 6 vitesh. Qytetarët pranojnë se furnizohen maksimumi 5-6 orë në ditë, ndërsa disa nga njësitë administrative furnizohen me bote. Të vetmet zona ku furnizimi me ujë është i pandërprerë, janë ato turistike.


Kreu i bashkisë së Vlorës Dritan Leli, prej 6 vitet vazhdimisht u ka premtuar qytetarëve të tij, ujë të pijshëm 24 orë. Kështu bëri në vitin 2015, kur fillimisht kandidonte për drejtimin e kësaj bashkie.

Unë do t’ia shuaj Vlorës etjen për ujë”, ishte premtimi i tij në fushatën e vitit 2015.

Edhe më vonë ky angazhim nga banorëve u përsërit, herë pas here:

Dua ujë 24 orë për qytetarët e mi “- tha në vitin 2018 zoti Leli.

Do të zgjidhet problemi i ujit të pijshëm në territorin e bashkisë dhe banorët do të furnizohen 24 orë me ujë”- premtoi Leli përsëri në vitin 2019.

Por si është situata me ujin e pijshëm në bashkinë e Vlorës?

Faktoje dërgoi një kërkesë për informacion këtij instutucioni, për të ditur nëse qyteti furnizohet 24 orë më uji të pijshëm.

 

Kërkesa dërguar Bashkisë Vlorë.

Në përgjigjen e Bashkisë Vlorës theksohet që:

“Qyteti i Vlorës furnizohet dy herë në ditë me ujë me përjashtim të zonës së Ujit të Ftohtë, e cila furnizohet me ujë 24 orë në ditë. Asnjë nga fshatrat që përfshin Bashkia Vlorë nuk furnizohet me ujë 24 orë në ditë, por sipas një grafiku orar të mirëpërcaktuar.”-thuhet në përgjigjen e Bashkisë Vlorë me datë 9 Shtator.

Përgjigja e Bashkisë Vlorë

Faktoje ishte në terren në fund të muajit tetor 2021, nga ku konstatoi që Vlora edhe pse një qytet me burime të shumta hidrike, nuk ka ende furnizim të rregullt me ujë të pijshëm të rrjedhshëm sikurse prej vitesh premtohet. Edhe pse krahasuar me disa vite më parë, situata e furnizimit është përmirësuar, përsëri disa zona vijojnë të mbeten ende pika të nxehta me furnizim të pakët, apo të munguar.

Në fakt furnizimi i Vlorës me ujë të pijshëm varion nga 9-13 orë në ditë, por pothuajse çdo shtëpi ose pallat është i pajisur me bote, apo bolierët e ujit. Në çdo hyrje pallatesh dëgjohet zhurma e pompave, që ndihmojnë në furnizim.

Foto nga Vlora ku çdo pallat dhe shtëpi janë të pajisur me bote.

Rreth 8 vite ma parë në kohën kur Bashkia drejtohet nga ish kryebashkiaku Gjika, u mundësua investimi në rrjetin parësor dhe sekondar, po mungesa e tercialit nuk lejonte furnizimin e banorëve deri në shtëpi me ujë të pijshëm të rrjedhshëm. Një investim ky i parashikuar për këtë vit buxhetor, por që ende nuk ka filluar zbatimi.

Edhe pse procesi i tenderimit dhe shpallja e firmës fituese ka përfunduar 1 vit më parë dhe afati i punimeve prej 6 muaj është tejkaluar, investimi është ende në zbatim.

Të vetmet zona që kanë ujë 24 orë ujë janë zonat turistike, të cilat edhe për shkak të afërsisë me depot e ujit, kanë furnizim thuajse të pandërprerë.

Situata ndryshon në 180 gradë nëse i referohemi lagjeve prej vitesh problematike. Në lagjet “Lirim”, “Partizani”, “Topana” furnizimi nuk i kalon 5-6 orë në ditë, në tre fasha ora në mëngjës, në pasdite dhe në mbrëmje. Këtë shqetësim e artikulojnë dhe banorët për Faktojen.

Foto të banorëve ndërsa presin fashon e orarit të ujit.

Lumturi Leskaj banore e lagjes “Lirim” thotë se nëse nuk ngrihet në orën 6.00 të mëngjesit të ndezi pompën, vështirë se mund t’i plotësoj nevojat ditore për ujë.

“Ne ujin për të pirë e blejmë, por të paktën uji që na vjen është i përshtatashëm për gatim dhe përdorime të tjera. Duhet ndezur pompa në 6.00 të mëngjësit dhe në 18.00 pasdite, ndërsa lavatriçet mund t’ vendosim vetëm në orarin e darkës rreth orës 11.00.” -shtoi Leskaj.

Më problematike është situata në fshatra dhe njësitë administrative.

Në Orikum, zona turistike nuk furnizohet rregullisht. Hamza Kuteli banor i Orikumit thotë se:

“Orikumi si zonë me përparësi turizmin është lakuar për investimet e bëra në impiantin e ujërave të zeza (aktualisht i pa vënë në funksion), si dhe për ujin e pijshëm. Duhet të kishte mbaruar në mandatin e dytë qeverisjes, sipas premtimeve që janë bërë në fushatat elektorale.”

Foto të bidonave të qytetarëve të ndryshëm në qytetin e Vlorës.

Ndërkohë në fshatin Dukat, i cili banohet nga jo më shumë se 300 persona investimet e përfunduara e kanë përmirësuar situatën.

Një tjetër banor i fshatit Dukat shprehet që fshati është akoma me linjën e vjetër.

“Fshati është akoma me linjën e vjetër, uji vjen 2 herë në ditë, por problem është gjatë muajve të verës. S’ka nis asnjë investim në ujësjellës, as kanalizim i ujërave. Orikum, Tragjas, Radhimë në të njëjtën situatë, por janë vënë në funksion rezervuarët e rinj, por shpërndarja në 24 orë është në pritje.”

DUKAT

 Me ujë 24 orë nuk furnizohen as banorët e Njësisë administrative A. Novoselë. Rikonstruksioni Ujësjellësit në 15 fshatrat e Njësisë Administrative Novoselë me vlerën 685,244,863 lekë është investim nga bashkia Vlorë me qëllim përmirësimin e rrjetit të brendshëm të ujësjellësit dhe vendosjen e një depoje në lindje të Spitalit Rajonal Vlorë, në lagjen Partizani me vlerën 30,743,569 lekë.

Foto të boteve që shërbejnë si rezerva për qytetarët në mungesë të ujit.

Në këto fshatra boti me ujin nga Pocemi bën furnizimin fshat më fshat, shërbim për të cilin banorët paguajnë njëherë në dy apo tre ditë. As në këtë zonë investimi nuk ka përfunduar.

Bazuar në përgjigjen e bashkisë, por dhe nga të dhënat e grumbulluara në terren premtimin për ujë 24 orë në Vlorë, të kreut të bashkisë Dritan Leli, do ta kategorizojmë si premtim të PAMBAJTUR.

“Faktoje”, e mbështetur nga National Endoëment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

 

 

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img