BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëVlora 24 orë ujë, premtimi i pambajtur i çdo fushate!

Vlora 24 orë ujë, premtimi i pambajtur i çdo fushate!

INVA HASANALIAJ & MERXHAN DACI

Në vitin 2015, kreu i bashkisë Vlorë do të deklaronte se qyteti do të kishte 24 orë ujë. Të njëjtin ‘refren’ qytetarët dëgjuan edhe katër vite më pas, por ende ky qytet vuan për ujë. Vlora është  qyteti më i madh turistik i jugut të vendit, ku furnizimi me ujë pa ndërprerje është i domosdoshëm për banorët por edhe për zhvillimin e qytetit.

………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………

Unë do t’ia shuaj Vlorës etjen për ujë”. Kështu premtoi në fushatën e vitit 2015 kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli.

Dua ujë 24 orë për qytetarët e mi“- tha në vitin 2018 zoti Leli.

Do të zgjidhet problemi i ujit të pijshëm në territorin e bashkisë dhe banorët do të furnizohen 24 orë me ujë”- premtoi Leli përsëri në vitin 2019.

Me sa orë ujë furnizohet Vlora në 2020-n

Disa lagje në Vlorë ankohen për mungesën e ujit. Në lagjen e Spitalit, banorët jo vetëm që nuk kanë ujë 24 orë, por thonë se furnizimi është shumë i kufizuar.

Shitësja e një dyqani në lagjen e Spitalit, e cila nuk dëshiron të identifikohet tha për Faktoje se tek shtëpia e saj uji vjen një ditë po e një ditë jo.

“Vetëm gjysmë orë ujë. Këto tre muaj na ka ardhur shumë fatura, 35 mijë lekë kemi paguar. Mbushim botet. Me të keq. Ujin për të pirë e blejmë ose e mbushim dikur tjetër. S’mund të mbahet kështu familja, një ditë jo një po në behar. Po ngaqë kemi hequr më keq, themi jemi mirë, se më parë na vinte një herë në javë. Para tre-katër vitesh kjo”.

Fatime Bregaj, banore pranë spitalit në Vlorë tha për Faktoje:

“Ne e mbushim natën ujin. Nga 24 orë kemi 10 orë. Vetë instalimi i ujit këtu në pallat është i kohës së xhaxhit Enver. Ne jemi mbi ujë, ç’të të them, 30 vite e s’u bëmë me ujë 24 orë. Nuk them dot që s’vjen fare. Por e kemi lënë me radhë, një natë mbush unë, një natë mbush burri, flemë me radhë.  

Edhe S.K, 87 vjeçe, banore tek zona e ish-Aleksandrisë në Vlorë thotë ankohet për mungesën e ujit.

Uji na vjen vetëm një herë në ditë, herët në mëngjes dhe nuk rri më shumë se 2 orë. Jemi pleq, ku na dilet me aq ujë! As nuk laj dot, as nuk shplaj”- i tha ajo Faktojes.

M.P 50 vjeçe, banore tek Rruga ‘Osman Haxhiu’ thotë se mungesa e ujit të linjës është kosto për të dhe familjen.

Uji na vjen në orën 6 të mëngjesit dhe ikën në 7. Kaq kohë nuk mjafton të mbushet me ujë as depozita. Ujin për të pirë e blejmë, shpenzojmë gati 60 mijë lekë të vjetra në muaj për të.”- i tha banorja Faktojes.

Vlora si Tirana dhe… gjithë Shqipëria

Depozitat e ujit i gjen kudo ku ka ndërtesa në Vlorë. Ashtu si edhe në Tiranë dhe pothuaj në të gjithë Shqipërinë, depozitat mbi tarracë apo çati, dëshmojnë për mungesë të ujit të rrjedhshëm 24 orë.

Depozitat gjenden sipër pallateve të vjetra e të reja.

Depozita, ka madje edhe sipër pallateve të ndërtuara së fundi përgjatë Lungomares.

Depozitat nuk mund të mungojnë as mbi shtëpitë përdhese.

I vetmi që ka 24 orë ujë, “Luani i Vlorës”!

Ka një vend në Vlorë ku banorët që nuk kanë ujë në rubinetat e shtëpisë, mbushin enët që i ngarkojnë nga shtëpia. Ai quhet “luani” dhe ndodhet në Lungomare.

Pothuajse në çdo kohë të ditës, ka radhë njerëzish që presin të mbushin ujë tek “Luani”.

Edhe zotëria në foto ka vënë pas biçikletës së tij dy bidona me ujë të ‘luanit’.

Mbulimi me ujë dhe investimet

Faktoje pyeti zyrtarisht të fund të vitit 2019 Bashkinë Vlorë për oraret e furnizimit me ujë të territorit që ajo mbulon. Morëm këtë përgjigje:

  • Bashkia Vlorë qytet ka një furnizim mesatar me ujë 13 orë
  • Komuna Novoselë             6  orë
  • Orikum                                10 orë
  • Komuna Qender                5  orë
  • Shushicë                              2  orë

 

Siç tregojnë edhe shifrat, disa zona të Vlorës kanë furnizim shumë të kufizuar me ujë dhe as i afrohen premtimit të zotit Leli që garantonte furnizim të pandërprerë.

Në fillim të gushtit 2020, Këshilli Bashkiak i Vlorës miratoi disa projekte me përparësi në fushën e ujësjellës-kanalizimeve, ndër to disa ujësjellës.

Sipas këtij vendimi parashikohet edhe përmirësimi i rrjetit të brendshëm të ujësjellësit të qytetit, teksa theksohet se si fillim duhen gjetur burimet financiare në mënyrë që të kryehen si ndërhyrje.

Përveç mungesës së furnizimit me ujë, veçanërisht gjatë sezonit veror kur ka fluks turistësh, banorët në Vlorë ankohen për kostot e ujit edhe për aq pak kohë sa u vjen në rubinetat e tyre.

Enti Rregullator i Ujit vendosi rritjen e tarifave të ujit të pijshëm dhe kanalizmieve në 4 qytete të vendit në nëntor të 2019-s. Rritja më e madhe i takon qytetit të Vlorës, ku konsumatorët familjarë duhet të paguajnë 45 lekë/m3 për ujin e pijshëm nga 30 lekë/m3 që ishte më parë.

* Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend, dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna  nga kryebashkiakët.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img