BallinaPremtimeU premtua riparimi i rrugëve në fshatrat e Tiranës, por tërmeti dhe pandemia ‘ndryshuan’ radhën e prioriteteve

U premtua riparimi i rrugëve në fshatrat e Tiranës, por tërmeti dhe pandemia ‘ndryshuan’ radhën e prioriteteve

Ina Allkanjari

Krybashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj deklaroi pasi mori mandatin e dytë, se përmirësimi i infrastrukturës rrugore në fshatrat përreth Tiranës do të jetë përparësi. Nga një verifikim i Faktoje në fshatin Zall Dajt, 15 kilometra larg Tiranës, pamë se nxënësit, shpesh e kanë të pamundur të shkojnë në shkollë për shkak të terrenit të vështirë. Mungesa e ndërhyrjes në infrastrukturën rrugore, sipas bashkisë justifikohet me ndryshimin e prioriteteve, për shkak të tërmetit të 26 nëntorit dhe pandemisë.

——————————–

“Vajtja në shkollë nuk është një betejë spartane, por një shëtitje në një trotuar, në një ndriçim dhe në një ambient që ndihet i sigurt. Fakti që nuk presim 4 vjet, por as 4 javë që t’i hyjmë punës në fshat, besoj jep shpresë për këdo që e sheh këtë investim dhe thotë, kur do më vijë radha mua”- deklaroi kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj në gusht të vitit 2019, teksa theskoi se përmirësimi i infrastrukturës rrugore në fshatrat përreth Tiranës do të marrë vëmendjen e tij, këtë mandat të dytë në krye të bashkisë.

Në muajin nëntor, Faktoje shkoi në Zall Dajt, vetëm 15 kilometra larg Tiranës ku konstatoi infrastrukturë rrugore të amortizuar.

 

Rruga e Zall Dajtit, rreth 15 km nga Tirana, foto, 22 dhjetor 2021

Mësuesit dhe nxënësit në zonën e Zall Dajtit, ankohen se duhet të përballen me sfida për shkak të mungesës së rrugëve që e bëjnë të pamundur transportin për në shkollë, sidomos gjatë muajve të ftohtë.

Fakoje mësoi se një pjesë e nxënësve të shkollës qendër “Hamdi Mansaku” në Zall-Dajt, vetëm 15 km nga Tirana, janë të detyruar të ecin në këmbë nga fshati Besh në Zall-Dajt, një zonë me terren malor ku dimri është i vështirë.

 

Rruga e Zall Dajtit, rreth 15 km nga Tirana, foto, nëntor 2021

Nisur nga ky shqetësim i komunitetit, më datë 10 nëntor Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë Tiranë. Ne kërkuam të mësonin se çfarë masash janë marrë për zgjidhjen e këtij problemi dhe nëse bashkia ka një plan për të ndërhyrë në rregullimin e infrastrukturës rrugore.

Screenshot i kërkesës për informacion drejtuar Bashkisë Tiranë datë 10.11.2021

Në përgjigjen zyrtare dërguar për Faktoje më datë 13 dhjetor, Bashkia Tiranë sqaron se si rrjedhojë e situatës së krijuar nga tërmeti i nëntorit 2019 dhe pandemia e covid 19, ka ndryshuar rradha e prioriteteve.

“Bashkia Tiranë ka në vëmendjen e saj, përmirësimin e infrastrukturës rrugore, që lidh qendrat e fshatrave, në të cilën ndodhen dhe shkollat, por si rrjedhojë e situatës së krijuar nga tërmeti i nëntorit 2019 dhe pandemia e kohëve të fundit, ka ndryshuar rradhën e prioriteteve. Për këtë arsye nga ana jonë do të shihet mundësia e ndërhyrjes në infrastrukturën rrugore, që lidh qendrat e fshatrave” – thuhet në përgjigjen zyrtare.

Rruga drejt fshatit Shupal, foto 22 dhjetor 2021

Gjithashtu, Faktoje e pyeti Bashkinë Tiranë nëse ka siguruar transport për fëmijët që ndjekin shkollën “Hamdi Mansaku” në Zall Dajt, në fshatin Besh dhe Selitë e Malit dhe cila është zgjidhja që bashkia ka dhënë për këtë fëmijë të cilët detyrohen të ecin 45 minuta deri në 3 orë për të shkuar në shkollë.

Zall Dajt, rruga  përpara shkollës “Hamdi Mansaku”, foto 22 dhjetor 2021

Në përgjigjen e saj bashkia thekson se transporti i nxënësve kryhet nëpërmjet shërbimeve të rregullta të specializuara shtëpi-institucion shkollor, të nxënësve dhe studentëve.

“Sipas udhëzimit nr. 5627, datë 18.11.2016 Për përcaktimin e kritereve, rregullave dhe dokumentacionit për lëshimin e licensave dhe çertifikatave për ushtrimin e veprimtarisë në transportin rrugor të udhëtarëve brenda vendit, ju sqarojmë se, transporti i nxënësve kryhet nëpërmjet shërbimeve të rregullta të specializuara shtëpi-institucion shkollor, të nxënësve dhe studentëve. Shërbimet e rregullta të specializuara brenda vendit janë subjekt licensimi, si dhe kanë detyrimin të lidhin një kontratë ndërmjet organizatorit të transportit dhe subjektit, e cila shërben si dokument kontrolli për këto shërbime”- shkruan Bashkia Tiranë në përgjigjen e saj për Faktoje.

Screenshot përgjigja e Bashkisë Tiranë datë 13.12.2021

12 nëntor, Faktoje publikoi një artikull lidhur me disa nga problematikat që hasin çdo ditë me transportin, nxënësit të cilën ndjekin shkollën në zonat periferike të kryeqytetit. Shteti subvencion me 80 lekë në ditë nxënësit dhe mësuesit që i kanë larg shkollat, por shpenzimi real që ata bëjnë për transportin është disa herë më i lartë. Këtë problem e pranon edhe ministrja e Arsimit, e cila ka njoftuar se po përgatitet një VKM për rritjen e vlerës së rimbursimit. Prindërit dhe mësuesit apelojnë masa të menjëhershmë për rregullimin e infrastrukturës rrugore dhe sigurimin e transportit në këto zona, për të parandaluar braktisjen e shkollës.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img