BallinaProjekteArsimi para dhe pas Covid-19: Fakte të thelluaraProblem me transportin e nxënësve, jo vetëm në zonat e thella

Problem me transportin e nxënësve, jo vetëm në zonat e thella

Ilda Hoxha & Ina Allkanjari

Transporti i nxënësve është një problem që nuk prek vetëm zonat e thella, por edhe vende si Zall Dajti, rreth 15 kilometra larg Tiranës. Shteti subvencion me 80 lekë në ditë nxënësit dhe mësuesit që i kanë larg shkollat, por shpenzimi real që ata bëjnë për transportin është disa herë më i lartë. Këtë problem e pranon edhe ministrja e Arsimit, e cila ka njoftuar se po përgatitet një VKM për rritjen e vlerës së rimbursimit. Prindërit dhe mësuesit apelojnë masa të menjëhershmë për sigurimin e transportit në këto zona, për të parandaluar braktisjen e shkollës.

—————–

Në 25 tetor disa deputetë të opoitës në Kuvend, ngritën shqetësimin për transportin e nxënësve drejt shkollave, në zonat e thella.

“Doja t’i falënderoj deputetët që ngrenë shqetësimin e transportit dhe të pamundësisë që kanë për fat të keq disa nxënës në zona të ndryshme të Shqipërisë, sidomos zona periferike, për të shkuar në shkollë. Ju siguroj që ne e kemi ndjeshmërinë maksimale dhe po merremi me këtë çështje”,-deklaroi Ministrja e Arsimit Evis Kushi me 25 tetor.

Nga një verifikim i Faktoje, transporti i nxënësve në shkolla, është një problem jo vetëm i zonave të thella, por e gjen të pranishëm edhe në zona, disa kilometa larg nga kryeqyteti.

Rruga e Zall Dajtit, rreth 15 km nga Tirana, foto, nëntor 2021

Faktoje vendosi të bëjë një vëzhgim në lidhje me transportin e nxënësve në shkollën qendër “Hamdi Mansaku” në Zall-Dajt, 15 km nga Tirana.

Nga komunikimi që patëm me mësues, nxënës dhe prindër mësuam se aktualisht ata subvencionohen 80 lekë në ditë për transportin. Pra, mësuesit dhe nxënësit, shkolla e të cilëve është larg vendbanimit, marrin pagesën për 22 ditë dhe në fund të muajit shuma e rimbursuar për ta është 1760 lekë të reja.

Shkolla “Hamdi Mansaku”, Zall Dajt

Një mësues i shkollës kolektive ose jo i tha Faktojes se kostoja e tyre ditore për transport shkon deri në 700 lekë në ditë, gati 10 fishi i asaj qe rimbursohet nga shteti. Vetëm bileta për të ardhur nga Tirana në Zall-Dajt është 150 lekë. Por, kjo rrugë do përshkohet dy herë në ditë, ose edhe më shpesh, në rastet kur mësuesve u duhet të japin mësim edhe në shkollat e tjera vartëse të zonës.

Mësuesit dhe nxënësit në zonën e Zall Dajtit, ankohen se problemi më i madh qëndron edhe në pamundësinë për të siguruar transportin, për shkak të infrastrukturës së amortizuar rrugore.

Foto, nëntor 2021 Zall Dajt

“Mësuesit nuk kanë furgon për transport, ikin me makina personale ose dalim në rrugë dhe kush të dalë t’i marrë. Na njohin shoferët e linjave që jemi mësues dhe na marrin. Kemi dhe mësues që ecin nga 10 km për të shkuar në shkollën ku japin mësim. Bashkia thotë tani 40 lekë të jap për të ardhur dhe 40 lekë për të shkuar. Ne paguajmë 150 lekë për të ardhur deri këtu. Për të ardhur nga qendra e Tiranës deri këtu duhet të ndërrojmë 3 autobusë. Shpenzimet tona ditore shkojnë 500-700 lekë ndrkohë që në  marrim vetëm 80 lekë në ditë kompensim për transportin”- thanë mësuesit për Faktoje.

E njëjta situatë është edhe më nxënësit e kësaj shkolle, një pjesë e të cilëve janë të detyruar të vijnë në këmbë nga fshati Besh në Zall-Dajt, një zonë me terren malor ku dimri është i vështirë.

“Mua fëmija më vjen duke u dridhur, çfarë t’i kërkoj në mësim. Kemi fëmijë që vijnë në këmbë, mbi 45 minuta në këmbë në terren të vështirë, fëmijët e klasës fillore dhe 9-vjeçares që vijnë nga fshati Besh deri këtu (shkolla ‘Hamdi Mansaku’)”- sqaruan mësuesit.

“Transporti i fëmijëve është një problem shumë i madh. Shkolla na jep lekë, por transporti do ishte mirë të bëhej me furgon. Nga Beshi në Zall-Dajt është 12-13 kilometër, fëmijët e bëjnë në këmbë këtë rrugë çdo ditë”- tregojnë prindërit për Faktoje.

Foto, nëntor 2021 fshati Shupal

Një vogëlush i klasës së parë është i detyruar të bëjë çdo ditë këtë rrugë të vështirë.

“Unë vij me fëmijët e tjerë. Eci shumë në këmbë, lodhem shumë. Edhe kur është shi eci në këmbë. Jam I lodhur kur vij në shkollë. Kam një vëlla të madh, edhe ai shkon në shkollë”- u shpreh vogëlushi.

Faktoje më datë 10 nëntor i dërgoi kërkesë për informacion Bashkisë Tiranë lidhur me këtë problematikë dhe kwrkoi tw dinte se çfarë masan po merren për zgjidhjen. Deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje.

 

Screenshot kërkesa për informacion drejtuar Bashkisë Tiranë datë 10.11.2021

E pranishme në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë më 8 nëntor, ministrja e Arsimit, Evis Kushi deklaroi se kanë nisur një propozim për rritjen me 50% të financimit për transportin e nxënësve dhe pritet miratimi në Këshillin e Ministrave.

Gjatë kësaj jave, Faktoje ka raportuar mbi problemet e theksuara në sistemin arsimor në vendin tonë. Vetëm pak minuta larg Tiranës, shohim një realitet krejt ndryshe, gati të pabesueshëm për kohët moderne.

Më 10 nëntor, ne raportuam se si klasat kolektive po penalizojnë arsimimin e mijëra fëmijëve, duke sjellë raste konkrete të këtij fenomeni.

Më 11 nëntor, Faktoje solli rastin e një shkolle në fshatin Shupal të Tiranës, ku edhe pse ishte menduar për investimin në kamerat e sigurisë, mungonin banjot.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img