Premtimi elektoral i kryetarit të Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, lidhur me ndërtimin e një tregu bashkëkohor për tregtimin me shumicë të produkteve bujqësore mbetet ende i parealizuar.
Nga verifikimet e Faktoje.al në terren dhe nga përgjigja e Bashkisë Fier rezulton se qytetit të Fierit nuk i është shtuar tregu i premtuar.
VJOLANDA PECA
Ndërtimi brenda vitit nga marrja e mandatit si kryetar bashkie i një tregu bashkëkohor për tregtimin me shumicë të produkteve bujqësore, ishtë një ndër premtimet e socialistit Armando Subashi.
“Synojmë që brenda vitit të parë të bëjmë të mundur ndërtimin e një tregu bashkëkohor për tregtimin me shumicë të produkteve bujqësore” u shpreh në kohë fushate kryetari aktual i bashkisë Fier, Armando Subashi.
Faktoje e vizitoi fillimisht Fierin në dhjetor të 2023 për të verifikuar nëse ishte ngritur tregu i ri i premtuar. Në mungesë të tregut, Faktoje vendosi të shkojë sërish në Fier (në tetor të vitit 2024) për të parë nëse është jetëzuar premtimi lidhur me ndërtimin e një tregu bashkëkohor për tregtimin me shumicë të produkteve bujqësore.
Paraprakisht, Faktoje i drejtoi një kërkesë për informacion Bashkisë Fier e cila njësoj si vitin e kaluar na informoi se “Bashkia Fier është në një fazë studimi për ngritjen e një tregu bashkëkohor të produkteve bujqësore”.
Faktoje kontaktoi me Kristian Kina anëtar i Këshillit Bashkiak, Fier për t’a pyetur a ka një plan konkret dhe nëse po, ku do të ngrihet.
Z.Kina tha për Faktoje.al: “Unë jam anëtar i Këshillit Bashkiak dhe deri më tani nuk ka pasur plan të mirëfilltë për t’a kaluar si vendim.”
Tregu ekzistues drejt “zhdukjes”
Në pritje të ngritjes së tregut bashkëkohor (që nuk dihet as vendi se ku), Faktoje vizitoi tregun ekzistues të Fierit.
Tregu publik i Fierit ndodhet përballë qendrës tregtare “Gold Center” ngjitur me rrugën “Aulona”
Harta e vendodhje se Tregut Publik Fier
Sapo futesh në treg, ajo c’ka të bie në sy është mungesa e shitësve por edhe blerësve.
Më 28 tetor 2024, ditën që e vizituam kishte gjithsej pesë tregtarë që shisnin fruta-perime, ndonjë edhe pula e gjela.
Tregu Publik i Fierit
Sipas shitësve, ata paguajnë 300 lekë të reja qira në ditë.
“Unë vij dhe shes pula, paguaj tarifën cdo ditë edhe pse ka raste që nuk fitoj asgjë sepse s’ka klientë”, tha një prej shitësve
Ky treg ka funksionuar që nga viti 2016 kur u lidh kontrata e Bashkisë e pronarin e truallit.
Përfundime
Krahas tregut ekzistues, Armando Subashi premtoi një tjetër treg publik në Fier, për të cilin Bashkia Fier ka arritur deri në fazën e studimit, ende pa plan konkret
Nisur nga përgjigjet zyrtare dhe verifikimi në terren, premtimin e kryebashkiakut të Fierit, Armando Subashi për ndërtimin brenda vitit të një tregu bashkëkohor, e konsiderojmë të pambajtur.
*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.