BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookTuneli në Japoni asnjë lidhje me rrëmbimin e fëmijëve

Tuneli në Japoni asnjë lidhje me rrëmbimin e fëmijëve

Në Japoni nuk është zbuluar ndonjë tunel së fundmi, siç pretendohet në postimet e shpërndara në rrjetet sociale. Faktoje verifikoi se bëhet fjalë për tunele të Luftës së Dytë Botërore dhe jo vendkalime të fshehta, siç aludohet, për trafikim të fëmijëve.

Më 30 mars, në rrjetet sociale është shpërndarë një postim, i cili aludon për zbulimin e një tuneli në Japoni që përdoret për trafikimin e fëmijëve.

 “Sapo u zbulua tuneli në Japoni! A ju kujtohet postimi i Edi Ramës me Panda sa ishte në Japoni?! A po lidhen senet a jo”, shkruan studiuesi i kthyer në një personazh publik për shkak të teorive konspirative që trajton në Facebook,  Arianit Sllamniku. Ky pretendim vjen si mbështetje e deklarimit të tij në 13 mars në një emision televiziv mëngjesi për ekzistencën e tuneleve nëntokësore për trafikimin e fëmijëve, duke përfshirë këtu dhe fëmijët azilkërkues shqiptarë që u kanë humbur autoriteteve britanike.

Screenshot, postimi i shpërndarë në Facebook

Por si qëndron e vërteta në lidhje me këtë tunel? Mjafton një kërkim i thjeshtë për të zbuluar se kemi të bëjmë me një tunel të mbetur në Japoni që nga Lufta e Dytë Botërore. Këto tunele u hapën gjatë luftës për të ndërtuar fabrika nëntokësore municionesh.

Nga verifikimi i fotos në programin Tineye rezulton se kjo pamje i përket një tuneli të vjetër nga lufta në qytetin e Kani, prefekturën e Gifu, Japoni. Foto të tunelit qarkullojnë prej vitesh në rrjetet sociale, pasi gjatë muajit korrik aty mbahet një festival veror. Aktiviteti mban emrin “Festivali i verës së shpellave” dhe ishte i vetmi festival lokal i mbajtur në një tunel nëntokësor në Japoni. Kjo është edhe arsyeja përse tuneli është zbukuruar me drita festive.

Faktoje ka verifikuar më herët se teoria e rrëmbimit të fëmijëve nga një organizatë që i shfytëzon për rituale satanike dhe për nxjerren e adrenokromit, një substancë që përdoret nga elitat për t’u dukur të rinj, ishte e rreme. Kjo narrativë u shfaq për herë të parë në 2017 në ShBA, si pjesë e teorisë konspirative QAnon. Kjo teori përshkruan ish-presidentin amerikan Donald Trump si një hero i vetëm që po luftonte elitat që ishin pedofilë dhe vrasës fëmijësh. QAnon premtonte se këta komplotistë do të ekspozoheshin dhe ndëshkoheshin së shpejti në një “stuhi” që po vinte.

Në 2020, qarkulloi në internet një lajm i rremë që pretendonte se ushtria amerikane kishte shpëtuar 35 mijë fëmijë nga tunele nëntokësore në New York. Kolegët e Reuters e kanë përgënjeshtruar këtë lajm. Gjithashtu institucionet zyrtare të New York si Shërbimi i Familjes dhe Fëmijëve dhe Departamenti i Policisë së qytetit e kanë mohuar vërtetësinë e këtij lajmi.

Një variant i hershëm i kësaj teorie konspiracioni, Pizzagate, pretendon se pjesëtarët e Partisë Demokrate të ShBA dhe disa restorante amerikanë ishin të përfshirë në një rrjet trafikimi fëmijësh dhe pedofilie.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img