BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookVideo e protestës së fermerëve holandezë riciklohet pas 7 viteve

Video e protestës së fermerëve holandezë riciklohet pas 7 viteve

Video që tregon protestuesit duke hedhur bar të thatë në drejtim të policisë është filmuar në Belgjikë në vitin 2015 dhe jo në Holandë në mars të këtij viti, siç pretendohet në postimet e shpërndara në rrjetet sociale. Faktoje verifikoi këtë video, referuar burimeve të besueshme të shpërndarjes së informacionit.

——————

Një postim i shpërndarë në rrjetet sociale më 26 mars pretendon se shfaq protestat e zhvilluara nga fermerët në Holandë kundër shtetëzimit të tokës nga qeveria. Në videon e shpërndarë aludohet se protestuesit hedhin pleh organik mbi policinë holandeze.

Holandë, protestë kundër blerjes së tokës bujqësore nga shteti. Fermerët holandezë të revoltuar vërshojnë ndërtesat qeveritare dhe agjencitë e zbatimit të ligjit me pleh organik. Filloj shtetzimi”, shkruan një përdorues i Facebook, në vijim të protestave të tjera të ndara nga Franca, si rezultat i reformës së pensioneve apo dhe disa vendeve të tjera të Evropës perëndimore.

Screenshot, postimi i shpërndarë në Facebook

Nëse do të bëjmë një kërkim të thjeshtë në internet rezulton se në fakt pamjet nuk i përkasin protestës në Holandë në mars të këtij viti, por video tregon një demostratë në Belgjikë në vitin 2015.

Reuters raporton se në videon e shpërndarë në rrjetet sociale tregohen të njëjtat skena si ato të protestës së mbajtur më 7 shtator 2015, filmuar nga “Associated Press”.

Videoja është xhiruar në rrethrrotullimin Schuman në Bruksel, Belgjikë, pranë selisë së Komisionit Evropian, të njohur si ndërtesa Berlaymont dhe ndërtesa e Këshillit Evropian. Dhe ndryshe nga çfarë pretendojnë ndjekësit e rrjeteve sociale, sipas mediave të huaja oficerët e policisë u spërkatën me bar të thatë dhe jo pleh organik.

Një video tjetër nga gazeta “New Europe”, e cila përshkruan të njëjtën skenë me klipin e shpërndarë në internet tregon gjithashtu traktorin duke hedhur bar të thatë në drejtim të oficerëve të policisë.

Më 7 shtator 2015, Reuters raportoi se rreth 5,000 fermerë evropianë nga shumë vende, duke përfshirë Holandën, marshuan drejt ndërtesave të Bashkimit Evropian në Bruksel për të kërkuar mbështetje për këtë sektor, i cili u godit si rezultat i ndalimit të vendosur nga Rusia për importet e ushqimit nga BE, përfshirë produktet e qumështit.

Mediat të tjera përfshirë “Al Jazeera” dhe “The Guardian” gjithashtu raportuan asokohe se fermerët po protestonin për çmimet e ulëta të qumështit dhe mishit. Nuk është hera e parë që ky klip keqpërdoret, duke aluduar se tregon fermerë që protestojnë në Holandë.

Ndërkohë, të paktën që nga korriku i vitit 2022, fermerët holandezë kanë protestuar jo kundër ndonjë shtetëzimi të tokave, por kundër planeve të qeverisë për të kufizuar emetimet e nitrogjenit/azotit deri në vitin 2030 në kuadër të reduktimit të ndotjes së mjedisit.

Bujqësia është përgjegjëse për gati gjysmën e emetimeve holandeze të azotit. Amoniaku (azoti dhe hidrogjeni, ose NH3) i prodhuar nga plehu i përzier me urinën e kafshëve, shpërndahet në kanale, lumenj dhe det duke u konsideruar i dëmshëm për natyrën. Ndërhyrjet e parashikuara nga qeveria holandeze synojnë që të kufizojnë komplekset masive të mbarështimit industrial të gjedhëve duke orientuar fermerët drejt sektorëve me më pak ndotje. Planet e qeverisë holandeze kanë ngjallur kritika edhe në Komisionin Evropian dhe duket se masat drastike të parashikuara nuk do të jenë të lehta për t’u zbatuar.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img