BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookProjekt-ligji për amnistinë penale lehtëson edhe të dënuarit nga GJKKO

Projekt-ligji për amnistinë penale lehtëson edhe të dënuarit nga GJKKO

Pretendimi: Projektligji i dërguar për votim në seancë plenare nuk parashikon amnisti penale për veprat që heton SPAK

Verdikti: E pavërtetë

______________________________________

Pavarësisht fakteve publike të vërtetueshme përmes dokumentacioneve të Kuvendit të Shqipërisë, mediat vijojnë të shpërndajnë pretendimin e ministrit të drejtësisë Ulsi Manja se mazhoranca nuk ndryshoi qëndrim për lejimin e përfitimit të të dënuarve nga GJKKO nga ligji për amnistinë penale.

Por faktet tregojnë një histori tjetër.

Draft-ligji i amnistisë penale i propozuar nga Ministria e Drejtësisë fillimisht parashikonte që personat e dënuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të mos përfitojnë ulje të dënimit nga amnistia penale. (Neni 5, pika 2, gërma c)

Por, kur komisioni i ligjeve “mbaroi punë” me shqyrtimin e projekt-ligjit, ky ndalim nuk ekzistonte më. Kjo do të thotë se projekt-ligji i amnistisë penale tashmë lejon edhe personat që janë dënuar nga GJKKO të përfitojnë ulje të dënimit. Mes tyre përfshihen edhe politikanët dhe zyrtarët e lartë.

*projektligji fillestar i amnistisë penale (si ishte)

*drafti i amnistisë penale ku është hequr germa c) ne pikën 2 të nenit 5 (si u bë)

Kjo faktohet edhe në dokumentacionin e dhënë nga Kuvendi i Shqipërisë.

Si lexohet qartë në procesverbalin e mbledhjes (faqja 38), kryetarja e komisionit të ligjeve Klotilda Bushka fton deputetin Ndreca të shpjegojë propozimin e tij.

Në pikën 2, germa “c” shfuqizohet: “Personat e dënuar, akuzat penale ndaj të cilëve janë gjykuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sipas përcaktimeve të nenit 75, germa “a”, të Kodit të Procedurës Penale”. Bëhet fjalë për të gjithë ata persona që përfitojnë nga ulja.” – Plarent Ndreca, në Komisionin e Ligjeve, 20 shkurt 2024

Ndreca vijon duke dhënë argumentin e tij se ky ndryshim vjen me qëllim për të përmbushur parimin e “barazisë përpara ligjit”.

“Plotësisht dakord me sugjerimin” u shpreh ministri i drejtësisë Ulsi Manja. Madje, ministri Manja falenderoi Parlamentin për këtë propozim që tregon – sipas tij – kujdesin e treguar ndaj “barazisë përpara ligjit”.

“[…] vërtet janë dënuar nga Gjykata e Posaçme, por nga Gjykata e Posaçme, për shkak të lidhjes së subjekteve, ka të dënuar që jo detyrimisht janë zyrtarë të lartë dhe, nëse ne i japim mundësinë të përfitojë zbritje të dënimit një personi të dënuar nga gjykata e juridiksionit të përgjithshëm për vepra të rënda, nuk mund t’ia mohojmë të drejtën e përfitimit “zbritje nga dënimi” kësaj kategorie thjesht dhe vetëm për shkak të kompetencës së gjykatës. Dua t’ju falënderoj që Komisioni i Ligjeve është kujdesur për ta siguruar këtë barazi të trajtimit të kategorive përfituese përpara ligjit.”

 – Ulsi Manja, ministër drejtësie, Komisioni i Ligjeve 20 shkurt 2024. (faqja 39 në procesverbal)

Kjo deklaratë shkon kundër vetë deklaratave të ministrit të drejtësisë në komisionin e ligjeve, përfundimi i të cilës pasqyrohet edhe në raportin e komisionit përgjegjës për ligjin (fq 12). Pavarësisht kësaj, deklaratat dezinformuese të ministrit të drejtësisë Ulsi Manja vijuan të shpërndahen nga mediat.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img