Pretendimi: Trump dhe Kennedy Jr nisën ndryshimet e premtuara kundër vaksinimit dhe agjencive shtetërore
Verdikti: E pavërtetë
Fitorja e zgjedhjeve presidenciale pritet me interes në të gjithë botën për ndryshimet që ka premtuar të sjellë Donald Trump në politikën e brendshme dhe marrëdhëniet e SHBA me vendet e tjera. Një prej këtyre ndryshimeve të premtuara është dhe funksionimi i skemës shëndetësore në Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, në disa postime në rrjetin social Facebook, pretendohet se reformat e Trump kanë nisur tashmë të veprojnë.
Në përmbajtjen e postimit thuhet se Trump që ditën e parë pas fitores ka lëshuar disa urdhëra ekzekutivë, së bashku me simbolin e lëvizjes anti-vaksinim Robert F.Kennedy Jr.
“Detyrimet për vaksinat janë hequr, FDA dhe CDC janë hequr, përbërësit toksikë dhe OMGJ janë të ndaluara dhe dëmtimi i vaksinave njihet zyrtarisht. Një epokë e re shëndeti dhe lirie po trondit Amerikën!”- thuhet në postim.
Duke verifikuar më tej këtë pretendim, nevojitet të shpjegohet se Trump nuk mund të lëshojë urdhëra ekzekutivë sepse mandati i tij do të fillojë më 20 janar 2025. Kjo është edhe arsyeja që në foton e postimit është shënuar kjo datë kur pritet të bëhet betimi i presidentit të ri.
Sa i përket ndryshimeve të tjera që përmenden, shumë prej tyre janë të pasakta ose të pasqaruara. Për shembull, shpërbërja e institucioneve kombëtare si “Administrata e Ushqimit dhe Barnave” (FDA), “Qendrës për kontrollin dhe paradalimin e sëmundjeve” (CDC) dhe “Komisioni Federal i Tregtisë” (FTC), nuk janë pjesë e zotimeve të Trump dhe nuk ka asnjë mbështetje të fortë zyrtare se do të preken nga ndonjë reformë në kompetencat e tyre.
Trump ka folur për “ballafaqimin me korrupsionin” në këto agjenci, por nuk ka bërë deklarata konkrete për shpërbërjen e tyre.
Në lidhje me vaksinat, Kennedy Jr. është një nga figurat kryesore të lëvizjes anti-vaksinë dhe ka shprehur dëshirën që individët të jenë të informuar plotësisht për rreziqet dhe efikasitetin e vaksinave.
Ai nuk ka kërkuar ndalimin e vaksinave, por ka theksuar se duhet të ketë më shumë transparencë dhe informacion për to. Trump ka lënë mundësinë që disa vaksina të ndalohen, por ekspertët e shëndetit publik janë skeptikë se Kennedy Jr. mund të ndryshojë mënyrën se si vaksinat shqyrtohen dhe rregullohen, edhe nëse ai merr një rol të rëndësishëm në administratën Trump.
Për sa i përket fluoridit në ujin e rubinetit, Kennedy Jr. tha se do të këshillonte autoritetet lokale të ndalojnë fluoridimin e ujit, një masë që është përdorur në ShBA që nga viti 1945 për të parandaluar sëmundjet dentare. Ky qëndrim ka mbështetje tek disa grupe, por nuk ka indikacione që Trump ka ndërmend të ndalojë fluoridimin e ujit në shkallë kombëtare.
Në përfundim, realizimi i këtyre ideve varet kryesisht nga roli që do të ketë Kennedy Jr. në administratën Trump dhe nga zhvillimet politike të ardhshme. Fakti që Trump fitoi zgjedhjet nuk do të thotë se këto ide janë të realizuara ose do të realizohen menjëherë, pasi kjo do të kërkojë shumë më tepër veprime dhe mbështetje nga institucione të tjera.