BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookAmbasadorët perëndimore nuk braktisën Turqinë përpara tërmetit

Ambasadorët perëndimore nuk braktisën Turqinë përpara tërmetit

Ambasadorët e vendeve perëndimore nuk ikën nga Turqia para tërmetit, ashtu siç pretedohet nga disa përdorues në rrjetet sociale. Faktoje verifikoi duke iu referuar burimeve të besueshme të informacionit se nuk ka asnjë provë që ambasadorët e këtyre vendeve u larguan nga Turqia para tërmetit të 6 shkurtit.

—————————-

Më 13 shkurt, përdoruesit e rrjeteve sociale kanë bërë një postim, ku pretendojnë se disa shtete të fuqishme kanë tërhequr ambasadorët e tyre nga Turqia, dy ditë para tërmetit.

“Shtetet të cilat dy ditë para se të ndodhë termeti, i tërhoqën ambasadorët e tyre nga Turqia ishin: SHBA, Kanada, Britaina e Madhe, Gjermania, Belgjika, Italia, Holanda, Franca, Danimarka, Australia. Pse u tërhoqën këta ambasador pa paralajmërim? Cila ishte arsyeja e tyre pas termetit? Si kanë pasur moral që pas termetit të dërgojnë ekipe të shpëtimit nga shtetet të cilat paraprakisht i tërhoqën ambasadorët e tyre?”-shkruajnë përdoruesit e rrjeteve sociale.

Screenshot, postimi i bërë në rrjetet sociale

Pretendimi ushqehet nga narrativa të pabazuara dhe teori të shumta konspirative që po qarkullojnë në rrjet, ku supozohet se tërmeti vdekjeprurës në Turqi-Siri është bërë nga shtetet perëndimore. Por, sa e vërtetë është që ambsadorët e vendeve perëndimore braktisën Turqinë para tërmetit?

Kolegët tanë të “Reuters” kontaktuan me zëdhënësit e ambasadave të Kanadasë, Britanisë, Gjermanisë, Italisë, Holandës dhe Francës, të cilët theksuan zyrtarisht se pretendimi për largimin e të dërguarve të tyre është i rremë.

Gjithashtu, nuk ka asnjë provë për të mbështetur pretendimet që ambasadorët e këtyre vendeve e dinin më parë për tërmetin. “Reuters” nuk gjeti asnjë raport nga media të besueshme botërore se të dërguarit perëndimorë po largoheshin nga Turqia. Edhe nga vëzhgimi i bërë në profilet publike të mediave sociale të vendeve përkatëse, nuk ka ndonjë dëshmi të largimit të ambasadorëve nga Turqia para tërmetit.

Disa nga ambasadat e përmendura në listën që qarkullojnë kanë shpërndarë foto të stafit të tyre, duke përfshirë ambasadorët, që po japin ndihmën e tyre për sa i përket situatës së tërmeteve në Turqi.

Linqet e postimeve nga disa prej ambasadave: (bit.ly/3KsGsCr ), (bit.ly/3IKUldM), (bit.ly/3Z76bF3 ), (bit.ly/41fLKqC), (bit.ly/3ZadtqX), (bit.ly/3kgQ20j), (bit.ly/3IjËgEU).

Siç raporton Reuters, tre ditë para tërmetit shkatërrues, ambasadorët e nëntë vendeve perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Belgjikën, Francën, Gjermaninë, Italinë, Britaninë dhe Holandën, morën pjesë në një takim në ministrinë e Jashtme të Turqisë, për të diskutuar për vendimin për të pezulluar mbylljen e përkohshme të misioneve diplomatike në Stamboll, si pasojë e kërcënimeve nga grupe ekstremiste pas incidenteve të djegies së Kuranit në disa vende të Europës.  Pretendimet online mund të jenë frymëzuar nga ky lajm, por ky takim është zhvilluar në Turqi dhe ambasadorët nuk u larguan nga vendi.

Në lidhje me këtë pretendim që qarkullon në internet, Marc Owen Jones, studiues i dizinformimit dhe asistent profesor në Universitetin “Hamad bin Khalifa” në Katar ndau në Twitter detaje të mëtejshme të algoritmeve të 30.000 postimeve në Twitter që përhapnin të njëjtin pretendim, si një provë e mëtejshme për një “tregues të manipulimit” të qëllimshëm.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img