Parku i Shijakut, një investim prej më shumë se 40 milionë lekësh dhe i premtuar në 2019-n, nuk ekziston! Paradoksalisht, në dokumenta ky parku rezulton të jetë dorëzuar në 23 qershor këtij viti, por një ditë më vonë është dhënë leja që në të njëjtën hapësirë të ndërtohet Pallati i Kulturës. Faktoje verifikoi se të gjitha pagesat për parkun që nuk ekziston janë kryer një më një. Ndërkohë banorët e Shijakut thonë të zhgënjyer se parku, që sot është kantier ndërtimi nuk u përurua asnjëherë. Për ironi, projekti i pallatit të Kulturës Shijak rindërtohet në hapësirën e parkut, dhe jo në vendin e ndërtesës ekzistuese, e dëmtuar nga tërmeti dhe ende e pashembur.
————————————————————————————–
Në qershor të 2019-s, kryebashkiaku i Shijakut në atë periudhë, Ardian Kokomani njoftoi se shumë shpejt në Shijak do të niste ndërtimi i një parku për fëmijë.
“Parku i qytetit shumë shpejt do të jetë një realitet i Shijakut! Si kurrë më parë në Shijak do të ndërtohet një park për fëmijë dhe një hapësirë e gjelbër dedikuar të gjithë moshave!
Në zemër të qytetit do të fillojnë punimet për një nga investimet më të nevojshme për Shijakun tonë!
Të gjitha rrugët e Shijakut të çojnë në Park”, shkruante në Facebook zoti Kokomani.
Screenshot, postimi në Facebook i ish-kryebashkiakut Ardian Kokomani
Ndërsa në komentet në Facebook, ai njoftonte qytetarët edhe për datën e nisjes së punimeve.
Screenshot, postimi i ish-kryebashkiakut Kokomani
Por, çfarë ndodhi me parkun e fëmijëve? Faktoje ishte në Shijak më 4 nëntor 2022 ku banorë të zonës shprehën shqetësimin se parku u ndërtua, por u prish pa e gëzuar fëmijët e qytetit të Shijakut.
“Bënë gjithë atë park për kalamaj, me stola, me të gjitha. Shembën shkollën dhe bënë lojëra kalamajsh, si përfundim as inaugurim nuk u bë, e asgjë, Pastaj e shembën dhe parkun dhe bënë Pallatin e Kulturës. Këtu te ne i bëjnë gjërat mbrapsht, ikin lekët tona!”, tha për Faktoje një banor i Shijakut.
Vendi ku po ndërtohet Pallati i Kulturës, 4 nëntor 2022
Faktoje bëri një kërkim në faqen e ‘Open Procurement’, ku rezulton se është zhvilluar një tender në vitin 2019, çka përputhet me deklaratën e bërë nga ish-kryebashkiaku Kokomani. Fondi limit për projektin e Parkut, është 45,387,152 lekë pa TVSH.
Screenshot nga dokumentet e tenderit
Po të shohim relacionin e projektit “Hapësirë rekreative, park i qytetit Shijak” vihet re që aty jepet një pamje si ka qenë kjo hapësirë para ndërtimit të parkut dhe si do të transformohej.
Hapësira para ndërtimit të parkut
Projekti i Parkut referuar relacionit
Nëse i referohemi të dhënave të Agjencisë së Prokurimit Publik dhe ‘Open Procurement’, në qershor 2019 janë lidhur tri kontrata për ndërtimin e kësaj hapësire: Kontrata e Punimeve, Kontrata e Mbikqyrjes së Punimeve dhe Kontrata e Kolaudimit të Punimeve. Vlera për ndërtimin e parkut është 40 mlionë lekë me TVSH, ku bashkë me mbikqyrjen dhe kolaudim shkon në 40.7 milionë lekë të reja.
Tabela e përpunuar nga Faktoje (burimi APP)
Nga analiza e pagesave të thesarit të kryera për këto kontrata rezulton se në datë 31.10.2020 është lëshuar fatura për situacionin përfundimtar të punimeve për këtë park. Pagesa për faturën e fundit ndaj ndërtuesit është kryer në 30.12.2020.
Ndërsa, çlirimi i garancisë për kryerjen e punimeve nga ana e Bashkisë Shijak është bërë gati dy vjet më vonë në 31.10.2022. Ky çlirim ka ardhur vetëm pasi sipas përshkrimit në transaksion është bërë “akti i marrjes në dorëzim përfundimtar” i datës 23.06.2022.
Screenshot nga ‘Spending data.al’
Ndërkohë Bashkia Shijak në përgjigjen ndaj kërkesës së Faktoje sqaron: “Punimet në këtë park filluan në datën 14.06.2019 dhe përfunduan në datën 26.09.2019 dhe shuma për këtë ndërtim është 39.095.729 lekë”.
Screenshot, përgjigjja e Bashkisë Shijak
“Është e paqartë pse fatura dhe situacioni përfundimtar kanë datë rreth 1 vit më vonë, në tetor 2020 dhe përse parku është marrë në dorëzim pasi kishin kaluar tre vite nga përfundimi i punimeve, sipas Bashkisë. Për më tepër, në kohën e marrjes në dorëzim të parkut, ai rezulton të mos ketë ekzistuar, atëherë cfarë kanë marrë në dorëzim?”- shprehen ekspertë të ekonomisë për Faktoje.
Nëse i referohemi pagesave të kryera për mbikqyrjen e punimeve, ato janë bërë në dy data. E para në datë 08.10.2020 në vlerë rreth 445,000 lekë, datë kjo e përafërt me pagesën për situacionin përfundimtar të punimeve. Ndërsa, pagesa e fundit në vlerë 200,000 lekë për mbikqyrjen e punimve për parkun e ri është bërë në 14 prill 2021, ose rreth 1.5 vite pas përfundimit të punimeve sipas Bashkisë Shijak.
Screenshot, të dhënat nga thesari
Nëse kërkojmë në të dhënat e publikuara nga “Openspending”, rezulton se nuk ka asnjë pagesë për kolaudimin e punimeve të parkut të ri të ndërtuar, ndonëse ai rezulton i marrë në dorëzim nga Bashkia në vitin 2022 edhe pse nuk ekzistonte më. Të dhënat e transaksionve të Bashkisë Shijak me subjektin fitues të kontratës së Kolaudimit, tregojnë se nuk ka pagesa për kontratën e kolaudimit për ndërtimin e parkut.
Screenshot, të dhënat nga transaksioni
Ekspertë të ekonomisë thonë për Faktoje se referuar pagesave të thesarit, shteti i ka paguar të gjitha pa
ratë për ndërtimin e këtij parku që sot është shembur.
“Po të shohim pagesat e thesarit në lidhje me këtë kontratë shihet që buxheti i shtetit ka paguar lekët e plota për ndërtimin e parkut. Pra, jo vetëm ka bërë tender, ka lidhur kontratë, por edhe ka paguar për ndërtimin e një parku që sot nuk është më”, sqarojnë ekspertë të ekonomisë.
Në lidhje me çështjen e Parkut të Shijakut, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion edhe Bashkisë së këtij qytetit. Një prej pyetjeve që i drejtuam institucionit ishte se çfarë kishte ndodhur me parkun.
Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Shijak, 22 nëntor 2022
Zyrtarisht Bashkia Shijak sqaron se për shkak të tërmetit të vitit 2019, në këtë zonë u vendos ndërtimi i 18 pallateve për banim dhe Pallatit të Kulturës.
“Në lidhje me pikat ku kërkohet informacion për parkun e qytetit bëjmë me dije se pas rënies se tërmetit të datës 26.11.2019 u hartua Plani i Detyruar Vendor për zonën e re për zhvillim ku u ndërtuan 18 pallate. Vendndodhja e pallatit ishte pikërisht në këtë zonë.
Duke qenë se Pallati i Kulturës u shpall nga Instituti i Ndërtimit për t’u prishur me akt-ekspertizë DS4-shembje, atëherë në mungesë të vendit, Këshilli Bashkiak mori vendimin për ta rindërtuar në PDYV e re në funksion të tij duke mos e prishur zonën e shkallareve dhe gjelbërimin rreth kësaj zone, e cila do t’i shërbejë përsëri zhvillimit të aktiviteteve kulturore, sociale për fëmijë.
Për sa më sipër theksojmë se po rindërtohet infrastruktura në këtë zonë dhe hapësira rekreative. Parku i Qytetit, së bashku me Pallatin e Kulturës do të jenë në funksion të gjithë qytetarëve të Shijakut”, argumenton Bashkia e Shijakut.
Më tej shton: “Në lidhje me pikën ku kërkohet informacion së çfarë është ndërtuar aktualisht në truallin ku më parë ishte Parku, bëjmë me dije se në atë zonë u miratua PDYV e re për të bërë 18 pallate, Pallati i Kulturës dhe parku ekzistues rreth kësaj zone”.
Faktoje raportoi në muajin nëntor se objekti i vjetër i Pallatit të Kulturës, i dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 nuk është shembur ende, edhe pse është jashtë funksionit.
Pallati i Kulturës Shijak, i dëmtuar nga tërmeti dhe i pashembur, nëntor 2022