BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëPunimet për pallatin e Kulturës Shijak nisën 1 vit pas premtimit

Punimet për pallatin e Kulturës Shijak nisën 1 vit pas premtimit

Në Shijak ka nisur më në fund ndërtimi i Pallatit të Kulturës, thuajse 1 vit e gjysmë pas premtimit të bërë nga kryebashkiaku, Elton Arbana. Faktoje verifikoi në terren se ndërtesa e vjetër ende nuk ishte shembur, ndërkohë që pak më tutje kishte nisur puna për ngritjen e objektit të ri. Zyrtarisht Bashkia e Shijakut konfirmon se punimet do të përfundojnë në muajin maj të vitit 2023.

“Pallati i Kulturës, projekti është gati. Së shpejti nis ndërtimi i tij. Muajin maj e nisim me një lajm shumë të mirë për qytetin e Shijakut. Kemi konkretizuar projektin për ndërtimin e një godine totalisht të re të Pallatit të Kulturës, një strehë e artit dhe argëtimit për çdo shijakas”, deklaroi kryebashkiaku i Shijakut, Elton Arbana më 3 maj të vitit 2021.

Screenshot, postimi i kryebashkiakut Arbana në Facebook

Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të premtimit të bërë nga zoti Arbana në lidhje me ndërtimin e këtij objekti kulturor, të shumëpritur për artdashësit e qytetit të Shijakut. Fillimisht iu drejtuam me një kërkesë për informacion Bashkisë së Shijakut, ku ndër të tjera e pyetëm se në çfarë faze ishin punimet për godinën.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Shijak, 28 shtator 2022

Zyrtarisht ky institucion bën të ditur se punimet për ndërtimin e objektit kanë nisur në muajin gusht të këtij viti dhe pritet që të përfundojnë në muajin maj 2023.

“Punimet për ndërtimin e objektit social-kulturor ‘Pallati i Kulturës’ Shijak kanë filluar me datë 08.08.2022. deri më sot janë kryer punimet si më poshtë: Është hedhur pllaka e themelit në kuotë -5.0 m; Është hedhur betoni i mureve perimetralë të gropës kuota -5 deri në 0.00 mm.

Vazhdon puna me kolonat dhe ashensor, armim me hekur dhe kallëp. Investimi për rindërtimin e Pallatit të Kulturës është financim i buxhetit të shtetit dhe vlera e kontratës është 189.000.000 lekë pa TVSH. Punimet duhet të realizohen 9 muaj nga fillimi i tyre”, njofton zyrtarisht Bashkia e Shijakut.

Më tej sqarohet se aktualisht akivitetet kulturore po zhvillohen në ambientet e institucioneve arsimore publike, pas orarit mësimor.

Përgjigjja e Bashkisë Shijak, 7 tetor 2022

Faktoje ishte në Shijak më 4 nèntor për të parë nga afër si po ecte procesi i rindërtimit të Pallatit të Kulturës. Rrugës binte në sy ndërtesa e vjetër e Pallatit të Kulturës, e cila prej gati tre vitesh është jashtë funksionit dhe ende nuk është shembur.

Pallati Kulturës Shijak i dëmtuar nga tërmeti, 4 nëntor 2022

Disa metra më tutje kishte nisur ndërtimi i objektit të ri, saktësisht në zonën që më parë ishte parku kryesor i qytetit.

Pallati i ri i Kulturës që po ndërtohet në Shijak

Nga verifikimi në terren konstatuam që objekti sapo kishte nisur të ngrihej dhe dukej që kishte ende punë deri në përfundimin e tij.

“Ka 3-4 muaj që ka nisur puna për ndërtimin e Pallatit të Kulturës. Qyteti sigurisht që e ka të nevojshëm një objekt të tillë, si për brezin tonë, ashtu edhe për fëmijët dhe nipërit e mbesat tona”, tha një 65-vjeçare për Faktoje.

Tabela e punimeve në kantierin e ndërtimit, 4 tetor 2022

Sipas të dhënave nga Open Procurement data e lidhjes së kontratës për ndërtimin e objektit social-kulturor “Pallati i Kulturës” është 3 qershor 2022 dhe afati i përfundimit është 12 muaj.

Screenshot nga Open Procurement

 “Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img